SHËNIM: Nuk i konkuron dot skiftera, valltarë e VIP-a! Ky vend, fatkeqësisht, është kthyer në botën e tyre!

0
Gjigandi

 

Nga Edona Llukaçaj

Botuar në DITA

Nuk kam dashur kurrë ta pranoj se Shqipëria ka ndërtuar një marrëdhënie thellësisht armiqësore me dijen e aftësinë, të mirën e të drejtën. Por fakti është se shumica e atyre që munden të kontribuojnë denjësisht në një fushë të caktuar për këtë vend ose detyrohen të ikin “për të gjetur veten” ose heshten.

Ndryshe nga sa na pelqen ta pohojmë, kjo nuk është rrjedhojë e kontratave tunduese për disa kategori të caktuara profesionesh, që ka qëlluar të mos jenë në numër të mjaftueshëm në perëndim. Nuk mund të shpjegohet as me politikat e vendeve të zhvilluara për thithjen e fuqisë punëtore prej Ballkanit Perëndimor.

RonaTyra

Është mbi të gjitha velja dhe zhgënjimi nga promovimi që i bëhet të shëmtuarës dhe të gabuarës si rrugëtim i kënaqshëm jete.

Jo pak të arritur të kësaj gjeografie i kaluan festat në mënyrë modeste se, këtu, aq i vlen truni e puna. E, me siguri, ata janë kompleksuar nga shumat marramendëse me prerje të madhe në tubin e aspirimit.

Parodia mediatike e familjes me profesion të trashëguar ndër gjenerata “skifterizmin” e që me sa duket, paskan targetuar “skifterë mbi skiftera” do i ketë bërë të dyshojnë sërish te vlera e vet.

Do kenë menduar nëse do kishte qenë më e udhës të investoheshin edhe ata vetë në skifterizëm ordiner a të cilësuar. Mund të jetë tundues si profesion kur të parëve i mundëson një makinë superluksoze për ditën, një për natën e një rezervë, ndërsa këta të arriturit gjuajnë rastet kur bordi zbret çmimin e naftës me ndonjë lek.

E të jesh i cilësuar të jepka shumë. Madje, të shpëton a e bën një sy qorr kur të mungojnë qindra mijëra euro në shtëpi, fiks ashtu si të aftët e shkretë kur harrojnë se ku kanë lënë karikuesin e celularit.

Do i jetë ulur besimi në aftësitë e veta, edhe kur kanë vënë re se atyre u mungon ai talenti që hap dyer e që është të tundurit e belit sipas muzikës. Nuk janë të aftë ta hedhin vallen gjarpuese të kaheve nga Shkodra deri në jug, me tekste të përshtatura këngësh qindra vjeçare për dashuriçka të orëve të fundit.

Dhe kjo defiçencë përshtatshmërie kushton, sigurisht. Në një vend, kur mundësitë për të treguar veten t’i dhurojnë aleancat tallava me shtrembërime të dehura këngësh popullore, domosdo që s’ka vend për tjetër meritë veç mbajtjes së ritmit me zhdërvjelltësi beli.

Pavlefshmërinë e aseteve të veta ia vë në pah edhe fenomeni i VIP-izimit të disa tipave që gjithë ç’ofrojnë është bërja tërkuzë e badallallikut publikisht. Ndonëse aspak të këndshëm si përmbajtje, sidomos kur merret parasysh orari i shfaqjes së disa programacioneve ndër televizione kombëtare, kuptohet që ata do vijojnë të na serviren me justifikim e shikueshmërisë. (A thua se për qytetarin e zakonshëm ka fort larmi zgjedhjeje). Kuptohet edhe që ata do prodhojnë VIP-at e lojës së vet.

Por ajo që hidhëron në caqet e papranueshmërisë këdo që zgjedh të arrijë suksesin me mund e integritet është loja mbi shpinën e tyre. “I sëmuri për mend” i sezonit të lojrave me vëllezër të mëdhenj, VIP-i i botëkuptimit të ngushtë, na ka përfaqësuar si Sekretar i Parë për Kulturën dhe Turizmin në Ambasadën Shqiptare në Paris.

Se çfarë ka qenë kontributi i tij nuk është e evidentueshme, por, padyshim, i mjaftueshëm për ta bërë të heqë dorë të aftin idealist e aspirues. Për ta bërë të heshtë dhimbshëm, se i mungon “sharmi” kësisoj VIP-ash.

Nuk i konkuron dot në qerthullin e vet skiftera, valltarë e VIP-a, se vendi i tij, fatkeqësisht, është kthyer në botën e tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu