Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Në një shtet si i yni, asgjë nuk është më e rëndësshme se sa goditja e së keqes, ndëshkimi i saj. Si duket, qoftë edhe nga nisma vetjake të njerëzve të veçantë në strukturat e institucioneve të drejtësisë, gjërat kanë filluar të lëvizin.
Ndaj kryetarit të Partisë Republika, Fatmir Mediu është ngritur një akuzë konkrete, për çështjen e Gërdecit, ndërsa nga ana tjetër janë bërë ndalime të papritura në njërin nga institucionet më të rëndësishme të shtetit, në Ministrinë e Financave, duke u arrestuar numri dy i këtij dikasteri., së bashku me vartës apo bashkëpunëtorë të menduar të tij.
Ka qenë e natyrshme dhe e pritshme që njëra palë, opozita të quajë akuzën e parë si gjetje politike dhe të dytën si shenjë e korrupsionit madhor të shkallët e larta të qeverisjes, ashtu si është e natyrshme që shumica qeverisëse ta quajë normale akuzën ndaj zotit Mediu, dhe, arrestimet t’i kalojë në heshtje.
Sidoqoftë, diçka po lëviz dhe heshtja e qeverisë, ose mos “bubullimi” i saj, sado që mund të duket paradoksale, është shenjë e mirë. Ose ajo synon të pastrojë veten nga bëmat vetjake, ose, më në fund, do të kemi një qeveri që ka vendosur të lërë drejtësinë të qetë në punën e saj.
Nëse është e para, depurifikimi qeverisës, duhet besuar se strukturat kanë filluar të ndjejnë frikën; nëse është liria e drejtësisë, atëherë kemi një erë të mirë në politikën shqiptare.
Në sistemin e drejtësisë ka rënduar gjithnjë despotizmi i pushtetit. Që në gjyqin qesharak të 2 prillit, ku turma vendoste politikisht dhe ushtronte dhunën e saj dhe deri te gjyqi i Ndrea Prendit, ku gardistët militantë kërcënonin prokurorë dhe gjyqtarë, duke pushtuar sallën, ka pasur të njëjtën linjë dhune mbi drejtësinë.
Gjyqi i 2 prillit fundosi sistemin e drejtësisë që po mendohej se do të ishte ndryshe, gjyqi i 21 janarit e varrosi atë dhe nuk mendohej se do të kishte shpresë ringritje.
Për ata që mund të bëjnë sikur nuk kanë qenë pjesë e këtij zaptimi mund të kujtohen lehtësisht ulërimat e shefit të qeverisë së opozitës së ashme kur po ngriheshin tezat e para për Gërdecin: kërcënimet ndaj prokurorëve që, pastaj, morën arratinë, duke lënë edhe postet apo duke u strukur në hijen e tyre.
Mund t’u kujtohen lehtësisht se çfarë ndodhi me historinë e bllokut të Metës apo denoncimet e ish-deputetit Prifti, gjyqe që, pasi kundështuan edhe ekspertizat e institucioneve më të rëndësishme, si FBI, morën vendime qesharake, si të mos kishte ndodhur asgjë; mund të jenë kujtuar se si një natë para gjyqit shefi i qeverisë vajti te i akuzuari me bllok në dorë, thjeshtë se “ dëshironte” të bisedonte me vajzën e vogël për politikë!!!, apo edhe më tej, kur, pas akuzave pr vrasjen e Remzi Hoxhës, urdhëruesit e ndoshta ekzekutorët, si Sefgjini, jo vetëm nuk u larguan nga detyra, por edhe u mbështetën më tej.
Çfarë po ndodh aktualisht: sistemi i drejtësisë, përgjithsisht i degraduar, i rënë në fund të besimit njerëzor, ka tendencën të ringrihet. Ndoshta, edhe duhet besuar, më shumë nga këmbëngulja e institucioneve jashtë Shqipërisë, se sa nga dëshira abuzuese. Por, fakt është se fusha është lënë deri diku e lirë dhe, ajo që është më e rëndësishme, asgjë dhe askush nuk është tabu.
A mund të ndodhë përsëri që prokuroria të nxjerrë një urdhër për ndalime të njerëzve të dyshuar në një krim të caktuar dhe policia e shtetit të mos e zbatojë për gabime drejtshkrimore? Si nodhi me kryeprokuroren Ina Rama, urdhëri i të cilës u hodh në kosh dhe i gjithë institucioni i prokurorisë së shtetit u fundos? Vështirë, në mos e pamundur!
A mund të ndodhë përsëri që pronari i fabrikës së vdekjes apo bashkëpronari i saj, si ishte Berisha i ri, edhe pas krimit, megjithëse njihen të gjitha lidhjet e tij, të mos thirret asnjëherë nga prokuroria, qoftë edhe për të bërë një pjesë të detyrës? E vështirë, në mos e pamundur!
Arrestimi i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave dëshmoi se edhe një prokuror i vetëm, kur ka guximin për të zbatuar ligjin, është i lirë të hetojë, të mbledhë prova dhe të lëshojë urdhër arrestimet që mendon se janë të duhura. Kjo është mbarësi! Duam apo nuk duam, duhet pranuar se askush nga shteti dhe qeveria e tanishme nuk e pengoi atë prokuror në rrugën e tij: nuk ndaloi hetimin që po bënte, nuk i fshehu provat dhe as nuk e ndryshoi atë që kishte ndodhur.
Nëse sot ndodhi kështu, nuk ishte e largët nata e 21 janarit, kur, me urdhërin e shefit të qeverisë, menjëherë pas mesnatës, u fshinë nga serveri i Kryemistrisë, që dëshmonte se nga kishte nisur krimi dhe kush ishte i interesuar për këtë krim; u fshinë të gjitha pamjet që do të zbulonin një të vërtetë të hidhur, si mund të mbahet një pushtet edhe përmes gjakut të derdhur.
Por, kur grupe të përlyera rëndë në korrupsionin e djeshëm shiten sot si të virgjër në financat e tyre dhe në darkë flejnë në vilat që kushtojnë qindra mijra euro, që i kanë si shtëpi të dyta apo të treta, tani përshfaqen si kampionë të ndershmërisë, atëherë duhet besuar se sistemi i drejtësisë, sado i rënë poshtë ka qenë dje, aq fort i duhet të ngrihet sot.
Ndëshkimi i së keqes, kurdoherë që ka ndodhur, nuk është hakmarrje politike dhe as akt revanshi. Është akt besimi, i cili, përmes saktësisë i shton besimin njerëzve, pikërisht aty ku mungon më shumë se asnjëherë tjetër: në drejtësi. Oligarkia politike, sado që merr në vete gjithnjë pamjen e pafajësisë, ajo është më e fajshme se çdo strukturë tjetër.
Ajo ka krijuar rrethimin e sistemit të drejtësisë përmes zjarrit të saj, i ka mohuar të drejtën e hetimit dhe të veprimit; kjo oligarki e ka bërë pjesë të saj, me shumë dëshirë, edhe klasën e korruptuar të drejtësisë, që përbënte më shumë se gjysmën e kësaj trupe, ka ndëshkuar të vegjlit dhe ka rrënjosur bindjen se, sa më lartë të qëndrosh në pushtet, aq më i sigurtë je ndaj goditjeve të drejtësisë.
Alibia e korrupsionit të djeshëm, që është i përshfaqur sot në rezidencat e manjatëve të politikës apo në resorte, ku nuk mund të shkelë këmba e njeriut të zakonshëm nuk mund të jetë e qëndrueshme si shfajësim për korrupsionin e sotëm.
Dhe ka dy shkaqe madhore përse ky korrupsion po gangrenizon shtetin:
Së pari, afrimi në strukturat e larta të shtetit, që nga parlamenti, në qeverisje, në institucione të rëndësishme financiare të individëve që nuk e kanë merituar të jen aty. Manjatë dhe biznesmenë, politikanë të përfolur për akte korruptive, pasunarë të papritur, sapo janë bërë drejtorë, sekretarë të përgjithshëm apo drejtuan dikastere, “shërbëtorë” të popullit që u bënë zotërinjtë e tij, në fakt më teb se kaq, disa herë edhe përdhunues; njerëz që vinin nga askundi dhe e ndjenë veten zotë të këtij vendi, që është e habitshme sa sa shumë i duroi në tri dekada.
Së dyti: qeverisja e tanshme, megjithëse nëntë vite në pushtet, si çdo asamble që qëndron aq gjatë, kishte prirjen të bëhej një autokraci kolektive, e cila nuk pyeste dhe shpesh herë, edhe sot e kësaj dite, nuk pyet për ligjet dhe vetë shtetin.
Nuk pyesin pasi, asnjë institucion i ngritur nuk dënoi aktet korruptive t së djeshmes. Askush nuk u dënua për Gërdecin. Të presim çfarë do ndodhë me ish-ministrin e mbrojtjes, kur para tij, ose bashkë me të janë edhe të tjerë, përfituesit e vërtetë të aferës vdekjeprurëse;
Askush nuk u dënua për humerën financiare që kishte ndodhur, përkundrazi, ish-ministri i financave, u dërgua në Bordin drejtues të Bankës së Shqipërisë, kur, në të njëjtën kohë, ish-ministri financave i së majtës, për kriitikat ndaj qeverisë u largua nga ky bord; askush nuk u hetua për vrasjen e Kosta Trebickës, por gjaku u shndërrua në një liçencë universiteti.
Pra, shenja se shteti po vendoset, qoftë edhe duke dënuar të djeshmen, si shenjë se do të dënohet edhe e sotmja, mungoi. A po ndryshon diçka tani?
Shteti po sekustron shtesat jashtë lejeve të pallateve. Bën mirë, po vilat e oligarkisë politike kush po i heton? Cili prej tyre ka dëshmuar konkretisht se si i ka bërë pasuritë e tij dhe si i ka ngritur vilat? Thuajse asnjë!
Ndiq paranë, për të gjetur krimin. Nuk është vonë!