Në Shqipëri sistemi shëndetësor vijon të përballet me probleme edhe pse vitet e fundit janë bërë përparime. Pagesat e qytetarëve nga xhepi megjithëse kanë paguar kontribute shëndetësore, janë mbi mesataren e vendeve të BE, dhe rëndojnë buxhetin e familjeve.
Disa ekspertë po nxisin diskutime për një model të ri të ofrimit të shërbimeve që parashikon rritjen e sigurimeve shëndetësore, dhe rimburisimin e shërbimeve mjekësore edhe në spitalet private me qëllim për të përmirësuar sasinë dhe cilësinë e tyre. Autoritetet kanë rezerva për këtë model, ndërsa thonë se po shtojnë kontratat me strukturat private për shërbime që mungojnë në ato publike.
Në Shqipëri, ofrimi i shërbimeve mjekësore bazohet në parimin universal, pra ofrimit të sa më shumë shërbimeve dhe atë të solidaritetit, të ofrimit të disa shërbimeve edhe për qytetarë që nuk kanë paguar kontribute shëndetësore. Por një nga problemet më të prekshme vazhdon të jetë sasia e lartë e pagesave që ata duhet të bëjnë, megjithëse kanë paguar kontributet përkatëse.
Sipas një raporti të fundit të Komisionit Europian, që analizon programet e reformave ekonomike në vendet e rajonit, pagesat nga xhepi në Shqipëri në masën 45% të shpenzimeve totale në shëndetësi, janë dukshëm mbi mesataren prej 15.5% të vendeve të BE. Këto janë të dhënat e vitit 2018, por INSTAT për vitet në vazhdim paraqet shpenzime në rritje të familjeve për shëndetin.
Njohës të fushës mendojnë se ka ardhur koha për një debat publik që i shërben rritjes së nivelit të kontributeve shëndetësore të qytetarëve me qëllim për të shtuar shërbimet dhe cilësinë në sistemin shëndetësor publik. Sipas skemës aktuale mbi 50% të kontributeve paguhen nga buxheti i shtetit (taska -tatime). Qytetarët paguajnë 3.4% të pagës të ndarë mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Ata mund të paguajnë kontribute edhe në shoqëri private sigurimesh.
“Ky nivel është tejet i ulët. Ne praktikisht jemi të fundit në rajon për nivelin e kontributeve direkte të sigurimeve shëndetësore. Masa e tyre është 8-9% në rajon, ndërsa në Kosovë është 7%. Me këtë nivel të ulët qytetarët kanë më pak shërbime cilësore, mjekët paga më të ulëta dhe ka më pak investime. E vërteta i duhet thënë qytetarëve, një nivel më i lartë pagese është shërbim cilësor ndaj tyre. Shëndetësia kushton, ka kosto është e shtrenjtë kudo. Duhet konsensus politik për çështje të tilla për të patur qëndrueshmëri ndër vite”-u shpreh për Zërin e Amerikës, Qamil Dika, Pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në UMT.
Nga ana e tyre zyrtarët shpjegojnë se politika e rritjes së pagave ka sjellë për pasojë dhe rritjen e kontributeve shëndetësore të qytetarëve. Edhe ekspertët veçojnë hapa pozitiv drejt mbulimit universal të kujdesit shëndetësor si përmes zgjerimit të listës së barnave të rimbursueshme dhe të kategorive që përfitojnë ashtu dhe në drejtim të investimeve në sektorin e shëndetësisë.
p.c. / ABC24.AL