SERBIA CULLAK…

0
Gjigandi

Nga Viktor Malaj

“Është më mirë të tërhiqesh me nder se sa të vazhdosh përpara me turp” – 
Fjalë e urtë serbe

Ngjarja e ndodhur në 24 shtator 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit në Kosovë ishte jo vetëm tragjike por edhe shumë domethënëse. Ajo i ngjan rënies së papritur të perdes në një skenë teatri, e cila vret tragjikisht një aktor dhe nxjerr në pah thuajse gjithçka ndodh në prapaskenë.

Edhe në ngjarjen në fjalë u vra tragjikisht dhe në mënyrë kriminale një përfaqësues legjitim i një shteti legjitim, polici Afrim Bunjaku por dolën sheshit fytyrat e shumë aktorëve apo regjizorëve që në këto raste i fshihen publikut. Mbi të gjitha, doli cullak regjizori i ” shfaqjes “, shteti aktual serb i cili, për shkak të rrethanave krejt të ndryshme nga ato të njëçerekshekulli më parë, ka bërë një makiazh dhe përpiqet të shitet i ndryshëm nga paraardhësi i vet i drejtuar nga Milosheviç. Si çdo maskë tjetër, edhe maskat politike kanë një ” afat skadimi ” dhe vjen një ditë që bien dhe nxjerrin në shesh fytyrën e vërtetë të të maskuarit.

Për kosovarët, dhe shqiptarët në përgjithësi nuk ka pasur ndonjë iluzion lidhur me atë se çfarë përfaqson realisht regjimi i sotëm serb dhe kreu i tij Aleksander Vuçiç. Nëse sjellja e padenjë, mohuese, traziranxitëse dhe destabilizuese që ky regjim ka mbajtur vazhdimisht kundrejt Kosovës ka qenë e pritëshme, sjelljet dhe qëndrimet e herëpashershme të bashkësisë ndërkombëtare kundrejt shtetit aktual serb mbeten zhgënjyese dhe, siç po e tregon koha, edhe të dëmshme.

RonaTyra

Duke u përpjekur të mos e lënë politikën serbe të bjerë plotësisht në shërbim të Rusisë, për interesa strategjike, por edhe për shkak të lidhjeve, ndikimeve dhe ” dashurive ” të vjetra me të, qeveri dhe politikanë të rëndësishëm perëndimorë kanë mbajtur herëpashere qëndrime mikluese ndaj saj, të padrejta dhe të pafrytshme në raportet e saj me fqinjët dhe, veçanërisht, me Kosovën.

Posaçërisht, qëndrimet e përfaqsuesve kryesorë të Perëndimit në ndërmjetësimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, ku bien në sy spanjolli Josep Borrell dhe sllovaku Mirosllav Lajçak, si shtetas të dy vendeve që s’e kanë njohur ende Kosovën si shtet i pavarur, kanë qenë dukshëm të njëanshme dhe, mjerisht, krejt të padobishme. Ata, përherë dhe lehtësisht të dallueshëm, kanë këmbëngulur që Kosova të plotësojë ” shpejt dhe pa vonesa ” detyrimet e saj që burojnë nga Marrëveshjet e mëparshme, ndërsa Serbisë i është kërkuar thjesht dhe vetëm të marrë pjesë në dialog, ” të përmbahet ” gjatë bisedimeve dypalëshe e shumëpalëshe dhe, madje, në mënyrë qesharake, të turpshme dhe të dëmshme, i është pranuar si luajalitet dhe moderim që ” marrëveshjet ” të mos i firmosë por mjafton të pohojë gojarisht se ishte dakord me çfarë u bisedua.

Në Deklaratën e BE-së të 19 shtatorit 2023, ndër të tjera, thuhej:

“BE iu kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim… Puna për themelimin e Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa vonesë apo parakusht të mëtejshëm. Kërkesat e bëra në Deklaratën e BE-së të 3 qershorit mbeten plotësisht të vlefshme. Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën… BE-ja iu bën thirrje të gjithë aktorëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në Veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja “.

Po të vihet re me kujdes, përparësinë në deklaratën e mësipërme, ashtu si edhe në disa të tjera më heret, e ka plotësimi i dy kërkesave serbe për Asosacionin e Komunave dhe zgjedhjet e parakohshme në ato komuna dhe, nga ana tjetër, mbetja në fuqi e “penalizimit ” apo sanksioneve kundrejt Kosovës ” kryeneçe ” duke e përjashtuar nga takimet politike ndërkombëtare të nivelit të lartë.

Dhe, ndërkohë që Serbinë e trajtonin si luajale, të bindur e, madje, viktimë, ndodh ngjarja e 24 shtatorit kur një togë prej mbi 30 vetësh, të veshur ushtarakë dhe të armatosur me të gjithë arsenalin e armëve të sotme, përveç avionëve, bllokon rrugën me dy kamionë civil dhe, sapo patrulla e policisë së Kosovës shkon atje për verifikim, qëllojnë kundër saj duke vrarë një polic dhe plagosur dy të tjerë.

Grupet terroriste, qofshin ato politike apo ordinere, zakonisht përbëhen nga 3-5 vetë dhe kryejnë një akt e zhduken, ndërsa në rastin konkret kemi të bëjmë me një formacion civilo-ushtarak të trajnuar dhe armatosur rëndë dhe me mision shumë herë më të madh dhe më afatgjatë se kryerjen e një akti sporadik terrorist.

Për këtë na bind jo vetëm numri i madh dhe sasia e paimagjinueshme e armatimit që mbanin, por edhe deklaratat dhe qëndrimet e mëpastajme politike të shtetit serb e më gjërë.
Deri tani nuk i dimë të gjitha çfarë nevoitet të dihen rreth grupit dhe aktit të tyre, por edhe aq sa dimë janë domethënëse dhe na ndihmojnë të konkludojmë se kemi të bëjmë me një skenar të politikës serbe për të organizuar në Kosovë një lloj rezistence antiqeveritare si alibi për të kërkuar ndoshta një autonomi të komunave serbe në Veri të Kosovës, praktikisht një lloj minishteti brenda këtij shteti.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, z. Xhefri Hovenier, me të drejtë, pohoi se ” I dimë disa gjëra, por disa të tjera nuk i dimë… Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë bashkë për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture. Ky ishte një sulm i madh ndaj Kosovës, me pasoja tragjike “.

E, ndërsa z. Ambasador dhe cilido qytetar i kësaj bote që ka sadopak intelekt e ndërgjegje arrin lehtë në këtë konkluzion, trajnuesit dhe pajisësit me veshje, armë dhe municion të këtij grupi, domethënë shteti serb, u përpoqën ta paraqesin atë si një grup qytetarësh serbë të Kosovës që po organizoheshin e armatoseshin për t’u mbrojtur nga ” terrori i Albin Kurtit “.

Vetë Presidenti serb Vuçiç pati paturpësinë dhe guximin arrogant e mospërfillës të deklaraonte se: ” Çfarë ka ndodhur në të vërtetë ? Serbët, jo nga Serbia qëndrore, por të Kosovës e Metohisë, të rebeluar duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit…shkuan të ruanin shtëpitë e tyre dhe u përgatitën për sulme në të ardhmen. Ata nuk janë terroristë. Kurti thirri policinë e Kosovës për herë të 62-të kundër serbëve…Kur Serbia shkoi në Drenicë që të konfrontohej me ata që donin të shkëputeshin nga shteti i njohur ndërkombëtarisht, ata thanë se ishin luftëtarë për liri, me në krye Adem Jasharin, dhe jo terroristë. Vetëm Serbia, si duket, qenka terroriste “.

Këto thënie të z. Vuçiç, së bashku me pohimin e tij bërë delegacionit kosovar në Bruksel në 2 maj ( sipas z. A. Kurti ) se “Millan Radojçiç do të bëhet Adem Jashari i serbëve “, gjetja në vendngjarje e një dokumenti që provon se Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i kishte dorëzuar grupit terrorist granathedhësit, ikja e grupit terrorist në Serbi dhe strehimi i tyre nga shteti serb, bllokimi i rrugës pranë një manastiri dhe përdorimi i objektit fetar si bunker mbrojtës nga reagimi i policisë, afrimi i forcave ushtarake serbe drejt kufirit me Kosovën dhe,qershia mbi tortë, shpallja e zisë kombëtare në Serbi për tre terroristët e vrarë në përleshje me policinë, plus fakte të tjera që do të dalin në dritë më vonë, nuk lënë vend për dyshime se grupi në fjalë ishte krahu i armatosur i politikës serbe kundrejt Kosovës.

Ka qenë metodë e hershme e politikës serbe, para dhe gjatë sundimit të Milosheviçit, që të bëjë viktimën edhe kur duket hapur se është vetë ideatore e realizuese e krimeve. Edhe në këtë rsat, Vuçiç, kryetari i parlamentit serb, Orlliç, politikanë dhe shtypi serb bëjnë çmos të paraqiten si viktima dhe të fajësojnë qeverinë e Kosovës, duke pretenduar se “Fajtori i vetëm për gjithçka që po ndodh në Kosovë dhe Metohi është Albin Kurti. Kurti është i vetmi fajtor që dëshiron konflikte dhe luftë …”.

Çudi !!! Ai që e ka fituar atë që dëshironte e i përkiste dhe për të cilën pati luftuar dhe qe burgosur nga shteti i Vuçiçit, ai që është më i dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht po bëka çmos të futet në luftë me atë që e ka humbur prenë e grabitur para 150 vitesh? Përse i nevoitet konflikti dhe dhuna Kosovës dhe Kurtit në këtë rast ?! Kush kërkon luftë dhe është agresor, ai që trajnohet e armatoset gjer në dhëmbë, bllokon rrugët dhe vret punonjësit e shtetit, apo vetë shteti që mbrohet prej grupit të armatosur dhe vrasës ?!

Psikologjia, sjellja dhe pretendimet e sotme serbe më kujtojnë historinë e një burri të dhunshëm dhe patriarkal i cili, para shumë kohësh, kishte grabitur një vajzë, e mbante me dhunë si grua duke e torturuar e kanosur derisa një ditë u zbulua dhe, me vendim gjykate u çkurorëzua dhe u urdhërua të qëndronte disa kilometra larg saj. Burri i dhunshëm qante në sallën e gjyqit, jo nga dashuria për gruan e grabitur dikur dhe të humbur atë ditë por sepse besonte se ishte pronë e tij dhe se i kishte rënë nderi për tokë duke ia marrë ligji dhe e drejta. Burri betohej se do ta rrëmbente përsëri, por vdiq beqar dhe në mjerim.

Shikoni tani shtetin serb ! Ndërsa i ankohet komunitetit ndërkombëtar se pala kosovare nuk është për dialog e zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve por për konflikte, dhunë e luftë, nga ana tjetër, në fshehtësi instrukton, pais e përgatit grupe terroriste dhe i krahason ato me Luftën Çlirimtare të popullit të Kosovës kundër pushtimit e dhunës serbe në vitet ’90, dhe një trafikant e bandit si nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç me kryeluftëtarin kosovar Adem Jashari.

Kur Adem Jashari dhe shokët e tij u armatosën dhe rebeluan kundër regjimit serb në vitet 1998-1999 ku Vuçiç ishte Ministër Informacioni, Kosova kishte një histori të gjatë e tragjike burgimesh, internimesh e vrasjesh të atyre që kërkonin të drejtat e tyre, dhe po përjetonte edhe në ato momente dhunime, zhdukje të intelektualëve e rinisë si dhe përdhunime të femrave kosovare nga pjesëtarët serbë të ” vëllazërim-bashkimit “.

Çfarë dhune ka kryer shteti kosovar kundër serbëve që banojnë nën juridiksionin e tij qysh se u krijua ?! Cilët serbë burgosi, internoi, vrau apo dëboi dhunshëm ?! Cilëve serbë ua ndaloi përdorimin e gjuhës së tyre, shkollën apo median në gjuhën që duan ?! A mos quhet dhunë e terror t’iu kërkosh atyre, ashtu si gjithë popullsisë tjetër, të përdorin targat e shtetit që i përkasin ?!

A është dhunë e terror të çbllokosh me forcë rrugët dhe urat e bllokuara nga kokat e nxehta dhe mendjet e turbulluara prej mashtrimit nacionalist të eksportuar nga Beogradi ?! A është shkelje e të drejtave të pakicave kombëtare t’iu bësh thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale mbarështetërore dhe të dërgosh në zyrat e pushtetit vendor njerëzit e dalë nga këto zgjedhje, qoftë edhe pas bojkotimit vullnetar të pakicës serbe ?! Apo, është diferencim, dhunë e terror që qeveria e Kosovës t’iu paguaj atyre banorëve shpenzimet e ujit dhe energjisë elektrike për vite me radhë, çfarë nuk ndodh në asnjë vend kapitalist ?!

Dhunën dhe terrorin kundrejt pakicës serbe në Kosovë nuk e konstaton asnjë shtet perëndimor, as misionet e tyre diplomatike e ushtarake në Kosovë dhe as institucionet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Atë ” e shohin ” dhe e shpallin vetëm qeveritarët e Beogradit që spajtohen me statusin e Kosovës dhe duan ta drejtojnë atë edhe tani, madje duke u përpjekur t’i imponojnë qeverisë së këtij vendi edhe se sa policë duhet të dërgojë për rendin e qetësinë publike në ato hapësira, kush duhet të jetë gjykatës apo shef policie, çfarë targash duhet të mbajnë makinat e banorëve të atij territori etj.etj..

Këtë ” terror ” e sheh edhe Ministria e Jashtme e Rusisë e cila pohoi pas ngjarjes së 24 shtatorit se ” Gjakderdhja e djeshme është rezultat i drejtpërdrejtë i kursit të marrë nga i ashtëquajturi kryeministër Albin Kurti për të ndezur konfliktin dhe për të spastruar territorin nga serbët “. Ka shumë mundësi që syzet e sotme nacionaliste dhe perandorake ruse t’ua paraqesin viktimat e pafajshme civile të Ukrainës dhe turmat e larguara nga terrori që shkakton lufta atje, të shkaktuara nga bombardimet e verbëra ruse, si viktima të spastrimeve të Albin Kurtit në Kosovë.

E ndërsa ndërmjetësit e dështuar perëndimorë në bisedimet Kosovë -Serbi, shumë herë dhe në mënyrë mashtruese, iu thoshin autoriteteve kosovare të pranojnë ” marrëveshjet ” me Serbinë sepse ” pastaj do të ndodh njohja reciproke faktike “, presidenti serb Vuçiç pohoi prerë dhe qartë: ” Kurrë nuk do ta njohim Kosovën e pavarur ! Mund të na vrisni të gjithëve por kurrë Serbia nuk do ta njohë Kosovën e pavarur. Një krijesë që e krijuat duke bombarduar Serbinë. ”

Tani shtrohen pyetjet: Përse duhet të ” merren vesh ‘ dy palë kur njëra deklaron se nuk do ta njohë tjetrën deri në vdekje dhe në kushtetutën e vet e ka përcaktuar Kosovën si pjesë të shtetit të vet ?! Përse njëra palë ( Kosova ) duhet të ulet në tryezë për të zgjidhur me marrëveshje një apo disa probleme për zgjidhjen e të cilave pala tjetër ( Serbia ) në prapaskenë bën plane dhe ndërmerr veprime për t’i zgjidhur me armë dhe ashtu si i intereson vetëm asaj ?! Nëse Kosova është shpallur de facto shtet i pavarur dhe njohur si e tillë de jure e de facto nga shumica e shteteve të botës dhe konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, përse duhet të hyjë ajo në marrëveshje me Serbinë për problemet e saj të brendëshme ?!

Nëse ka pretendime nga pakicat e brendëshme, pse nuk bëhen përpjekje për marrëveshje qeveri kosovare-pakicë serbe ?! Çfarë është dhe pse duhet Asosacioni në fund të fundit ? Nëse ky organizëm ” magjik ” ka si qëllim thjesht dhe vetëm plotësimin dhe realizimin më mirë të interesave ekonomike, kulturore e fetare të pakicës serbe, pse s’e formojnë ata këtë lloj shoqate dhe ta regjistrojnë në Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës pa pasur nevojë për palë të treta ?! Apo, mos ndoshta pas këtij termi human e të pranueshëm fshihen qëllime dhe objektiva politikë dhe strategjikë ?

Pabesia dhe hileja serbe e përgatitjes dhe trajnimit ushtarak të ” luftëtarëve të lirisë nga terrori i Albin Kurtit “, përveç se kundër Kosovës, a janë të tilla edhe kundër bashkësisë ndërkombëtare që bën ndërmjetësin ? Nëse Kosova ” meritonte ” sanksione pse vendosi me forcë në zyrat përkatëse njerëzit e zgjedhur me votim të lirë, çfarë meriton Serbia që kërkon të imponojë me forcën e armëve pushtete lokale dhe gjendje kushtetuese të popullsive në shtetet fqinje ?! Respekt ? Besim ? Mirënjohje, apo buzëqeshje dhe rrahje krahësh si deri tani ?

A nuk është tashmë Serbia politike cullak në synimet, qëllimet dhe moralin e saj dhe a mundet ndokush të na bindë se ajo është thjesht e veshur si në konkursin ” Miss BE-ja ” ?

Përgjithësisht, ndonëse me ngurim dhe pak vonesë, qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së për ngjarjen e 24 shtatorit ishin më të qarta dhe më të drejta se më përpara, duke i vënë emrin e duhur sulmit dhe grupit që e kreu si terrorist, por edhe duke ” Kundërshtuar përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin përfshirë në vrasjen e një polici “.

Pyetja është: Si do ta konsiderojë politika perëndimore shtetin serb, i cili aktet terroriste i konsideron si ” mbrojtje të shtëpive të tyre ” dhe grupin terrorist si grup heronjsh, duke i bërë kështu thirrje ndërgjegjes dhe pasioneve të popullsisë serbe që të ndjekin shembullin e këtyre ” atdhetarëve ” ?!

Mendoj se përgjigjja e z. Kurti kundrejt Beogradit zyrtar se ” lufta për liri as nuk fabrikohet dhe as kopjohet ” ishte më e duhura, dhe se reagimi kritik i znj. Gërvalla kundrejt qëndrimit të z. Borell, i cili pas ngjarjes terroriste, fliste për ” palë “, duke i vënë në të njëjtat pozita si sulmuesit terroristë ashtu edhe shtetin që ka për detyrë t’iu kundërvihet atyre, ishte krejt e drejtë.

Ndërsa këshilltarja e BE-së, zonja Kati Schneeberger,qëndron shumë më lart se vetë BE-ja në pohimin e të vërtetës, kur thotë: ” Ngushëllimet e mija për të afërmit e viktimës ( policit kosovar ) dhe shërim të shpejtë të plagosurit. Kështu ndodh kur qetëson Vuçiçin dhe luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon. Josep Borrell, Mirosllav Lajçak, është koha për të mbrojtur popullin e Kosovës !”.

Mendoj se i padenjë ishte deklarimi i Ministrit Britanik për Çështjet Evropiane, z. Leo Docherty, i cili pohoi: ” Ngjarjet më 24 shtator paraqesin rreziqe reale për stabilitetin rajonal. Ato rrjedhin nga akumulimi i armëve dhe dështimi për të arritur përparim në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të gjitha komunitetet të ndihen të sigurta. Mbretëria e Bashkuar inkurajon Kosovën dhe Serbinë të sillen në mënyrë të përgjegjëshme dhe t’i rikthehen dialogut…”.

“Akumulimi i armëve ” nuk është si aluvionet që mbledhin lumenjtë dhe as është shkaku kryesor i ” rreziqeve reale për stabilitetin rajonal “. Akumulimi i armëve është mjeti i destabilizimit rajonal dhe ngjarje si ajo e 24 shtatorit e kanë shkakun në mentalitetin, moralin politik dhe strategjinë e politikës serbe në rajon, e veçanërisht kundrejt Kosovës. Rreziku real është politika e armatosur dhe jo armët vetë jashtë politikës. Cilin komunitet të Kosovës ka parë ministri britanik të rrezikohet, dhe nga kush është rrezikuar ?!

Ç’do të thotë në këtë rast që Kosova të sillet ” në mënyrë të përgjegjëshme ” kundrejt asaj politike dhe atyre politikanëve, brenda ose jashtë territorit të saj, që përgatisin, trajnojnë dhe armatosin skalione vdekjeje ? Si do të vepronte vetë qeveria e z. Docherty në një rast të ngjashëm ?
Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama reagoi fillimisht si ” palë e barazlarguar ” kundrejt ngjarjes. Veçanërisht në luftë nuk mund të ketë paanësi. Gjithë çështja është të bëhesh palë me të vërtetën dhe të drejtën.

Duke u përpjekur, me të drejtë, të jetë faktor paqeje në Ballkan dhe duke besuar, siç pohoi vetë, se është strategjik, z. Rama u vu në një linjë me burokratët e padobishëm të BE-së, me ” dy burrat që vejnë e vijnë “. Qëndrimi i duhur i z. Rama erdhi pasi Serbia shpalli ditë zie për tre terroristët e vrarë nga ndeshja me forcat speciale të policisë së Kosovës. Pohimi i tij se “Ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në Veri të Kosovës dhe atë që ka pasuar në Beograd me shpalljen e ditë zie kombëtare, që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në Veriun e Kosovës “, përcjellë jo vetëm vlerësimin e drejtë politik për ngjarjen, por edhe ato çka, me të drejtë, ndiejnë dhe mendojnë shqiptarët në Ballkan.

Marrëzitë e shprehura nga non-grata me pesë yje se ” Kryeministri i Shqipërisë nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendëshme të Kosovës “, apo përçartjet e një politikaneje fodulle të Kosovës ( Dejona Mihali ) se ” Mbase heshtja e Kryeministrit të Shqipërisë për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe në këto momente, dhënë Kosovës “, janë tregues i papërgjegjshmërisë tonë politike e atdhetare.

Kryeministri i Shqipërisë, cilido qoftë ai, e ka të drejtë dhe detyrë të reagojë në këto raste, si qytetar i kësaj bote, si shqiptar dhe, mbi të gjitha, si detyrim kushtetues i përfaqsuesve më të lartë të shtetit shqiptar. Ata që i kërkojnë z. Rama të heshtë, ashtu si edhe ata që i kërkojnë të mbledhë Këshillin e Sigurimit të OKB-së, para së gjithash duhet të kuptojnë se nevojitet të mblidhet ” Organizata e Shqiptarëve të Bashkuar ” për të unifikuar mendime dhe qëndrime politike e diplomatike në shërbim të mbrojtjes së interesave legjitime të shqiptarëve në Ballkan.

Personalisht, mendoj se propozimet e z. Rama për Konferencë të Jashtëzakonshme Ndërkombëtare për Paqen në Kosovë, apo për marrje të Kontrollit të Plotë nga KFOR në Veri të Kosovës, janë jo vetëm të padobishme por, ndoshta, edhe të dëmshme. E para do të angazhonte në Kosovë edhe palë të tjera që do të bënin çmos për ndryshimin apo ” modifikimin ” e statusit të saj, ndërsa e dyta do të krijonte idenë e rreme se shteti kosovar e ka të pamundur të kontrollojë dhe administrojë gjithë territorin nën juridiksionin e tij.

E vërteta është se, po të mos ishte veprimtaria destabilizuese e Serbisë dhe më gjërë, dhe sikur bashkësia ndërkombëtare perëndimore të mbante qëndrim më parimor, të drejtë dhe asnjanës në problemet artificiale politke në Kosovë, shteti kosovar do të funksiononte normalisht. Është më “strategjike ” që shteti kosovar të ndihmohet në kontrollin e plotë juridik e demokratik në të gjithë territorin derisa të vijë dita, dhe me siguri do të vijë, që shumica dërmuese e pakicës serbe në Kosovë të bindet se është dhe do të jetë e barabartë në të gjitha të drejtat njerëzore e politike, dhe se ” pasiguria dhe rreziqet ” janë thjesht investimi i Beogradit zyrtar, jo në shërbim të serbëve të Kosovës por të idesë së Serbisë së Madhe.

Përfundimisht duhet thënë se ” perdja ka rënë ” dhe çdo ” spektator ” me sadopak mend e ka të qartë se cilat janë vlerat dhe antivlerat, morali dhe pamorali i secilit aktor politik ballkanik dhe më gjërë. Nuk kërkon erudicion të madh kulturor, as inteligjencë të lartë dhe as eksperiencë politike për të kuptuar se, nëpërmjet shpalljes së zisë kombëtare, Serbia e institucionalizoi aktin terrorist, duke dëshmuar se ai nuk ishte një lajthitje kriminale e pak mendjeve të nxehta në periferitë e Ballkanit, por ishte dhe mbetet kauza e politikës së pandryshuar të shtetit serb.

Deklarata e dorëheqjes si drejtues i Listës Serbe dhe marrja përsipër e përgjegjësisë së aktit nga banditi Radojçiç, deklaratë e përgatitur në zyrat politike të Beogradit, nuk mund të jetë alibia e pafajsisë së atyre që veshën rrobat e zisë për tre terroristët e vrarë. Thënia e z. Vuçiç se ” Radojçiç nuk dëshiron ta dëmtojë më tej Listën Serbe ” bije në kundërshtim me glorifikimin, vajtimin dhe trajtimin e tre terroristëve të vrarë si heronj të kombit serb, me pretendimin e mëparshëm të z. Vuçiç se ata u armatosën ” për të mbrojtur shtëpitë e tyre ” dhe me faktin se vetë Lista Serbe, dhe jo Radojçiç, shpallën tri ditë zije në bashkësinë e tyre etnike. ” Heronjtë dhe mbrojtësit e popullit “, të gjallë apo të vdekur, nuk e dëmtojnë partinë drejtuese dhe përfaqsuese të atij populli.

Tani na mbetet vetëm të presim dhe shohim aktin tjetër ” teatral ” politik të aktorëve të skenës dhe prapaskenës.

 

—-

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu