Sot Tirana është kthyer në kryeqendrën europiane, pasi Samiti i Procesit të Berlinit po mbahet për herë të parë në kryeqytetin shqiptar, jashtë kufijve të BE-së.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë për RTSH tha se më e mira për Tiranën është përpara.
“Për përgatitjet kemi funksionuar si një skuadër “Team Albania”. Prania e liderëve europianë në Tiranë na dha edhe një sebep për të hapur zyrtarisht Piramidën. Është një koinçidencë shumë e bukur, prandaj ndihem mirë që kush vjen në Tiranë dhe e mban mend si ka qenë, e dallon diferencën e veprave publike, duke filluar nga Sheshi Skënderbej, Pazari, Bulevardi”, tha Veliaj.
Ai shtoi se aktivitete të tilla rrisin më shumë interesin e turistëve për të vizituar vendin. “Disa nga investimet e bëra në Tiranë janë kthyer në ‘kurthe’ turistike si, Shtëpia Kadare, Kalaja, Liqeni, Shtëpia e gjetheve, BunkArti. Pra, do të thotë se ka mjaftueshëm, në një rreze prej 1 km katrorë, për të bërë edhe punët për të cilat ke ardhur me shërbim në Tiranë, por sigurisht edhe për të pasur një shije të artit, të kulturës, të historisë sonë. Mund të vish në Tiranë për të mbaruar punët zyrtare, por mund të kesh edhe një eksperiencë prej një turisti të shpejtë. Në këtë sens, Tirana i largon gjithë njerëzit me disa kile më shumë, sepse këtu është një qytet që hahet mirë, një vend ku njerëzit e shijojnë jetën. Fakti që shumica e njerëzve kthehen, do të thotë se diçka ia kemi arritur. Por, unë besoj se më e mira është përpara dhe duhet akoma shumë punë. Nëse vazhdojmë dhe punojmë do ecim përpara, nëse vazhdojmë debatet, ajo na ka mbajtur mbrapa gjithmonë. Jemi krenarë për çfarë kemi bërë”, u shpreh Veliaj.