Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, zhvilloi një takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, për të ndarë shembullin personal të ngritjes së një biznesi të suksesshëm. Auditori qendror i universitetit, me dhjetëra studentët pjesëmarrës, u kthye në skenën e një bashkëbisedimi frymëzues për mundësitë që u jepen të rinjve në kohë të ndryshme dhe gatishmërinë e tyre për të provuar.
Interesimi i studentëve ishte i natyrshëm për fillesat e biznesit dhe mundësitë që mund të kenë vetë ata në ditët e sotme. “Gjithë sipërmarrja e sotme, që numëron rreth 5000 punonjës në nëntë vende, zë fill në Vjenë në vitin 1993. Kushtet e nevojshme për të nisur një biznes u paraqitën në moshën e duhur dhe unë nuk hezitova.” zbuloi Samir Mane për të pranishmit duke i nxitur të vënë në jetë sipërmarrjet që mund të kenë planifikuar.
“Filloi me pajisjet elektronike dhe sot kemi rrjetin më të madh të produkteve elektronike, i cili vepron me pakicë dhe shumicë në të gjithë rajonin dhe vende të Bashkimit Europian.”
Prof. Dr. Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës, gjatë takimit e cilësoi Samir Manen si një nga personalitetet që kanë shkruar historinë e kapitalizmit në Shqipëri. “Vendi ynë po krijon historikun e një sistemi të ri ekonomik dhe, ndër themeluesit e industrive të rëndësishme për vendin, është Grupi BALFIN. Gjithçka që krijohet falë talentit dhe kurajos së sipërmarrësit kthehet në pasuri kombëtare dhe meriton vlerësim nga anëtarët e shoqërisë” përfundoi ai.
“Sektori i shitjes me pakicë zë vend të padiskutueshëm financiar në Grupin BALFIN, por edhe emocional në personin tim.” ishte një tjetër deklaratë e Samir Manes. Pikërisht në fillimet e rrjetit të supermarketeve apo qendrave tregtare, ai u ka besuar të rinjve entuziastë por pa përvojën e nevojshme dhe tani ata janë në krye të disa prej bizneseve më të mëdha na rajon. Sipas tij, Grupi BALFIN ka ekspertizën dhe kapacitetin e nevojshëm për të konkurruar në çdo treg europian e më gjerë përsa i përket shitjes me pakicë dhe modeleve të tjera të biznesit të njohura për të. Fuqizimi i Grupit BALFIN u konfirmua edhe nga marrëveshja e arritur vetëm pak ditë më parë me International Finance Corporation, për zgjerimin e aktivitetit të TEG.
I pyetur nga studentët se çfarë e motivon më shumë, ai u përgjigj se “Ndërtimi i bizneseve të dobishme për sa më shumë njerëz është motivacioni më i fortë.”
Vizitat në universitete dhe takimet me studentët janë bërë tashmë traditë për Samir Manen, para të cilëve tregon përvojën e rritjes graduale të biznesit dhe ç ’është më e rëndësishme, mundësitë që Grupi BALFIN krijon për ta nëpërmjet praktikave profesionale, mbështetjes së ideve të tyre për biznes dhe punësimit në profilet përkatëse.