Rusia ka zëvendësuar prap komandantin e forcave të saj në Ukrainë, duke emëruar në këtë pozitë ish shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov.
Kështu njoftoi përmes një deklarate më 11 janar, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Gerasimov zëvendëson Sergei Surovikin, i cili u emërua në këtë post më 8 tetor. Ai ishte zyrtari i parë që u emërua si komandant për të gjitha forcat ruse që janë në territorin ukrainas, prej muajit shkurt.
Brenda pak ditësh pasi Surovikin mori detyrën për të mbikëqyrur pushtimin rus të Ukrainës, Moska nisi të godasë infrastrukturën energjetike ukrainase.
Ai ishte gjithashtu në krye kur forcat ruse u tërhoqën nga kryeqyteti rajonal jugor Herson në nëntorin e vitit të kaluar.
Surovikin do të bëhet një nga tre zëvendësit e Gerasimovit, dhe mbetet komandant i forcave ajrore.
Dy zëvendësit e tjerë janë gjenerali i ushtrisë, Oleg Salyukov, i cili do të shërbejë si komandant i forcave tokësore dhe gjeneral-koloneli, Aleksei Kim, zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Forcat ruse aktualisht janë të angazhuara në beteja intensive rreth qytetit Soledar në Ukrainën lindore.
Ministria ukrainase tha më herët se forcat ruse, përfshirë ato të grupit mercenar Vagner, kanë pësuar “humbje kolosale” në përpjekjen për të pushtuar Soledarin./ Marrë nga REL
a.m/dita