Forcat ruse kanë bombarduar qendrën e qytetit të Kherson mëngjesin e së shtunës, nga ku 5 persona janë konfirmuar të vdekur dhe 20 të tjerë të plagosur.
Për këto sulme ka reaguar edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ai ka postuar një foto nga qendra e Kherson teksa duken makinat në flakë pas bombardimit, ndërsa shkruan se Putin është duke vrarë për “kënaqësi”.
“Kherson, mëngjesi i së shtunës, në prag të Krishtlindjes, në qendër të qytetit. Kjo është jeta reale në Ukrainë. Bota duhet të shohë dhe të kuptojë se kundër çfarë të keqeje absolute po luftojmë”, shkruan Zelensky bashkëngjitur fotos.
Në ditën që shënon dhjetë muaj nga ofensiva e parë e Rusisë në Ukrainë, një seri bombash ranë pranë një tregu shumë të frekuentuar nga qytetarët në Kherson. Gazetarët e AFP raportuan se kishin parë njerëz të pajetë në rrugë, ndërsa një prej tyre ishte edhe shoferi i një makine.