Rroga e trembëdhjetë…

0
Gjigandi

Nga Edona Llukaçaj

Botuar në DITA

Shpërblimi i fundvitit apo një rrogë e trembëdhjetë është pritshmëri e justifikuar e çdokujt që kontribuon apo ka kontribuar në profesionin e vet. Është një farë vlerësimi për punën dhe përkushtimin. E për shumëkënd është ndihmesë e vyer, paçka se nuk mjafton t’i bësh ballë çmimeve të rritura, ndër vite, të shportës e të festës.

Gjithsesi, këtë dhjetor, shpërblimi i fundvitit u kthye në një shfaqje të palezetshme, me të dorovitur preferencialë dhe të pavlerësuar kronikë.

Të parët që morën lajmin e një kacidheje të shtuar për festa qenë penisionistët. Atyre iu dha ai 5 mijë lekëshi historik, ndonjë vit i munguar, por i pandryshueshëm që kur kartmonedha 5000-she ishte prerja më e madhe e lekut. Paçka se, tashmë, duket gati-gati tallje që për moshën e thyer kujtohen një herë në vit dhe i jepet çfarë nuk del as për një gjysmagjel deti të Baldushut,
si për t’i vënë fre ëndrrave me shpërblime që, për festa, shlyejnë borxhe dhe zgjidhin halle të shtyra prej muajsh, në dyjavëshin e parë të dhjetorit u njoftua se administrata nuk do shpërblehej. Shumë e shpjeguan me rrogat e tyre të shtuara këtë vit, por harruan se rritja e vitit që po lemë pas ishte një orvatje për të mbyllur hendeqet dekadore. Nuk u mor parasysh as se kjo krijoi justifikimin perfekt për sektorin privat, që rëndom ia uruan vitin e ri punonjësve me kartolina elektonike ose shumë-shumë me ndonjë darkë bajate.

RonaTyra

Si nuk pati rritje rroge, nuk pati as shpërblim për të punësuarit në shëndetësi. Si duket, asnjë politbërësi vizionar nuk i ka shkuar mendja se trajtimi më dinjitoz i mjekëve dhe infermierëve do ishte më efikas për moslargimin nga vendi të kësaj kategorie se disa kontrata të kontestueshme, të nënshkruara me 18-vjeçarë aspirantë. Pak mirënjohje, qoftë edhe njëherë në vit, ndoshta do rriste cilësinë e shërbimit shëndetësor sot, dhe, madje mund të ishte shtysë që më pak mjekë të pranonin “dhurata” për t’i sjellë fundin muajit.

As për mësuesit nuk pati një rrogë të trembëdhjetë. As ajo rritja e premtuar në pagesën modeste të kategorisë më me peshë për të ardhmen nuk u aplikua. Me gjasa, gjithë çfarë ishte ndarë për arsimtarët shkoi për paga minimale studentësh kontigjent-mbushës të regjistruar në degët e rrezikuara të mësuesisë. Si duket, refuzohet të pranohet se mungesa jo fort e largët për arsimtarë të aftë të shpjegojnë tabelën e shumëzimit, i ka rrënjët te politikat e pamenduara për arsimin, ku zhvlerësimi i figurës së mësuesit zë vend parësor.

Me përjashtim të shpërblimeve që iu dhanë policëve, të vetmit që u dorovitën këtë fundvit qenë një grup prej mbi 130 personash tek Ministria e Arsimit. Ndonëse kontributi profesional nuk mund të vlerësohet me ngjyrë uniforme, shpërblimi i policëve edhe mund të shihet në kuadër të tentativës për një shtet ku sundon ligji dhe polici nuk është një lapanjoz me çmim pazari. Por urdhri i posaçëm i ministres së arsimit për rrogën e trembëdhjetë të disa dhjetëra punonjësve “të zgjedhur” në dikasterin që ajo drejton nuk ka shpjegim.

Në këto muaj drejtimi të ri, ministria nuk ka asnjë arritje konkrete. Mban turpin e trashëguar prej mungesës të qoftë edhe një universiteti shqiptar në rankimin #THE (Times Higher Education World University Rankings) dhe të renditjes së katër universiteteve publike të përfshira në QS në fundin e listës. Mban edhe turpin e rënies mëshirëndjellëse të cilësisë së arsimit parauniversitar shqiptar, i cili sipas PISA-s të OECD, shumicën e nxënësve ose i diplomon si analfabetë të mirëfilltë ose si analfabetë funksionalë.

Prandaj është e pakuptueshme se ç’sukses shpërblehet në mënyrë të posaçme, këtë fundvit, në MAS. Nuk është e evidentueshme cila punë, ç’lloj përkushtimi apo cila nismë e bashkëpunëtorëve të ngushtë të ministres së re meriton të vlerësohet me kaq zemërgjerësi. Ndoshta shpërbkehen nga frika se kjo cilësi e pagjendshme ekspetësh arsimi po na ikin si mjekët, se inkurajimi për kontribut të shtuar, si në rastin e policëve nuk ka si të jetë.
Gjithsesi, i gëzofshim festat, paçka se më fort po festojnë ata që mbajnë kupën e dështimeve për 2023-shin.

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu