Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Greqi! “Luftë” e fortë për qarkun e Thessalisë

0
Gjigandi

Prej orës shtatë të mëngjesit janë hapur përsëri kutitë e votimit në 12.966 qendra në gjithë Greqinë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Në balotazh ndodhen sot 84 bashki dhe 6 qarqe të vendit.

Në raundin e parë të dielën e kaluar 6 nga 13 qarqet e mëdha të vendit i kanë fituar kandidatët e mbështetur nga partia në fuqi Demokracia e Re, ndërsa qarkun e Kretës një kandidat i mbështetur nga socialistët, por edhe nga forcat e majta dhe të qendrës. Konservatorët kërkojnë që të gjitha qarqet e mbetura të fitohen prej kandidatëve të tyre, duke synuar përsëri një epërsi në të gjithë vendin, ashtu si edhe rezulati i zgjedhjeve parlamentare katër muaj më parë kur fituan rivalët e tyre të majtë të Syrizës me 21 pikë diferencë.

Ndërsa pritet luftë e fortë sidosmos në qarkun e Thessalisë, i goditur nga përmbytjet e dy stuhive katastrofike në muajin e kaluar, me interes të madh ndjekin mediat dhe opinioni publik edhe duelin në dy bashkitë më të mëdha të vendit, Athinë e Selanik. Megjithëse kryebashkiaku në detyrë Kostas Bakojanis që synon një mandat të dytë, ka kryesuar me më shumë se 20 pikë në raundin e parë, parashikohen edhe skenarë të përmbysjes së rezultatit, nga Charis Dhukas, kandidati i mbështetur prej socialistëve dhe të Majtëve të Syrizës.

Luftë e fortë parashikohet edhe në Selanik ku diferenca mes kryebashkiakut aktual dhe rivalit të tij, ishte në raundin e parë vetëm 1500 vota.

Deri në orën 11:30 shkalla e pjesëmarrjes së votuesve ka arritur në 10.7%, krahasuar me 13.8% në periudhën përkatëse të dielën e kaluar, njoftoi zëvendësministri i Brendshëm, Theodoros Livanios. Kujtojmë se pjesëmarrja në raundin e parë ishte 52%, një nga shifrat më të ulëta prej vitit 2000. Ndërsa kutitë e votimit do të mbyllen në orën 19.00 , rezultatet e balotazhit do të mësohen rreth orës 20.30 të mbrëmjes.

RonaTyra

 

p.c. / ABC24.AL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu