Një pjesë e institucioneve publike janë udhëzuar nga qeveria që të pezullojnë tenderat e mëdhenj dhe të shlyejnë detyrimet e prapambetura për shkak se buxheti nuk ka para. Sipas ligjit, pas datës 15 tetor institucionet publike e kanë të ndaluar të hapin tendera me vlerë më të lartë se sa 12 milionë lekë.
googletag.cmd.push(function() { googletag.display(‘div-gpt-ad-1508592105648-0’); });
Por këtë vit ndryshe nga herët e tjera institucionet janë udhëzuar të pezullojnë edhe disa tendera të mëdhenj që janë hapur para datës 15 tetor. Sipas të dhënave të publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike, rezulton se janë pezulluar një sërë tenderash me vlerë të madhe, veçanërisht ato të prokuruara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, agjencia e blerjeve të përqendruara si dhe kompanitë publike të sektorit energjetik.
Më konkretisht Fondi Shqiptar i zhvillimit ka pezulluar tenderin për përmirësimin e infrastrukturës në Qerret me vlerë 1 milionë euro dhe atë të ndërtimit të rrugës së re përgjatë lumit Osum në Berat me vlerë 1.3 milionë euro. Të dy këto tendera janë çelur përpara datës 14 tetor, por janë pezulluar.
Ndërkohë agjencia e blerjeve të përqendruara ka pezulluar thuajse të gjitha tenderat e zhvilluara gjatë muajit tetor, kurse operatori i sistemit të transmetimit pezulloi blerjen e transformatorit të ri për nënstacionin Tirana 2 me fond limit rreth 2.5 milionë euro.
Paralelisht përmes një udhëzimi agjencia e prokurimeve publike ka urdhëruar të gjitha institucionet që të mos çelin më asnjë procedurë të re prokurimi me vlerë të madhe deri në fund të vitit, sipas vendimit të qeverisë të vitit 2016.
Buxheti i shtetit po përballet me një situatë të shtrënguar financiare, e cila ka nisur të imponojë pezullimin e një pjese të investimeve publike që ishin parashikuar për këtë vit.