Një pikturë me gjysmë shqiponjën dykrenare dhe në anën tjetër hartën e Shqipërisë së madhe, është realizuar nga Briken Hasimi, 17 vjeçar me spektrin e autizmit.
Këtë punim së bashku me të tjera realizime të bëra nga fëmijë e të rinj njëjtë si ai, Brikeni e ka nxjerrë për ta shitur në një nga shtëpizat e ngritura në Sheshin ‘Skënderbej’.
“Jam 17 vjeç. Jam në Gjimnazin Qemal Stafa në kryeqytet. Këtë pikturë e kam bërë për aktivitetin “Autizmi flet”. Motra e zgjodhi këtë ide. Të gjithë ato njerëz që janë të apasionuar pas pikturave mund ti blejnë. Këto para do shkojnë për fëmijët autikë”, tha Brikeni.
Të gjitha punime e ekspozuara janë bërë nga fëmijë me spektrin e autizmit. Ara vijnë nga disa rrethe të Shqipërisë, jo vetëm nga Tirana.
“Ideja erdhi për të lobuar që e gjithë shoqëria të kuptojë se autizmi nuk është sëmundje. Është një çrregullim neurologjik. Ata janë aq të aftë sa kanë bërë punime kaq të bukura”, tha Egla Bajrami nga organizata ‘Autizmi Flet’.
Brikeni ka gjithmonë pas mamanë dhe gjyshen, e cila nuk nguron së shprehuri krenarinë për nipin.
“Kam shumë debulesë për Brikenin. Në fillim mezi foli, por tani është bërë dikush në jetën e tij. Mori iniciativën që të bëje hartën e Shqipërisë. U ul atje në tapet në shtëpi dhe e ka pikturuar. Brikenin e duan të gjithë…”
Piktura e Brikenit dhe punimet e shumë fëmijëve me spektrin autik gjenden edhe për pak ditë tek shtëpizat e përkohshme të festave pranë Bashkisë së Tiranës.
p.c. / ABC24.AL