Punësimet e reja për 2023, vendet e lira në qendra shëndetësore dhe spitale

0
Gjigandi

Edhe në nisje të këtij viti, qendrat shëndetësore, poliklinikat, spitalet rajonale, si dhe ato të nivelit terciar, raportojnë qindra vende të lira pune për profesionistë të shkencave mjekësore teknike, të profileve infermieri, teknikë laboratori, imazherie dhe mami. Në portalin e punësimit “Infermierë për Shqipërinë” janë zbardhur tashmë vendet vakante për punësime definitive dhe provizore në çdo spital, poliklinikë apo qendër shëndetësore të njësive vendore të kujdesit shëndetësor në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.

Sipas të dhënave të konfirmuara nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, rezulton se strukturat mjekësore të Rajonit të Tiranës dhe Elbasanit kanë edhe numrin më të madh të vendeve të lira të punës, kryesisht për punësimin e infermierëve pranë qendrave shëndetësore të zonave që secili rajon përfshin. Konkretisht pranë qendrave shëndetësore, poliklinikave dhe spitaleve të këtyre dy rajoneve janë 274 vende të lira pune për profesionistë të shkencave mjekësore teknike. Ndërsa në strukturat mjekësore publike të të gjitha niveleve që përfshin Rajoni i Vlorës dhe Shkodrës janë konfirmuar 224 vende të lira në këto profile shëndetësore. Ndarjen e plotë të vendeve vakante për secilin rajon, dhe institucion shëndetësor e gjeni të detajuar në tabelat në vijim të shkrimit.

Autoritetet e dikasterit të shëndetësisë bëjnë me dije se plotësimi i këtyre vendeve vakante do të bëhet me kandidatët që ndodhen listat e pritjes të shpallura nga portali online i punësimit. Pjesa dërrmuese e të punësuarve do të mund të marrin kontratën definitive të punës, ndërsa një pjesë tjetër do të jenë të punësuar provizor, sipas nevojave të shpallura nga qendrat shëndetësore, poliklinikat, apo edhe strukturat spitalore. Për vendet provizore, autoritetet e shëndetit sqarojnë se pas përfundimit të periudhës së punësimit si zëvendësues, teknik i shkencave mjekësore në profilet përkatëse kalon në listën e pritjes duke u renditur në përputhje me pikët totale që ka siguruar nga fazat e konkurrimit nëpërmjet portalit.

Prej afro katër vitesh, punësimet e reja të profesionistëve të shkencave mjekësore teknike në spitale, poliklinika e qendra shëndetësore bëhen nëpërmjet konkurrimeve që zhvillohen në portalin online “Infermier për Shqipërinë”, ku të gjithë të pajisurit me lejen e ushtrimit të profesionit në këto profile mund të konkurrojnë në dy fazat e përcaktuara (aplikimi me dosje dhe faza e dytë që është testimi i informatizuar që zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit). Çdo kandidat që bëhet pjesë e portalit vlerësohet me pikë për secilën fazë konkurrimi. Sipas skemës së përcaktuar në fazën e parë të aplikimit me dosje kandidati vlerësohet rreth arsimimit të kryer, përvojës dhe trajnimeve të lidhura me fushën. Për fazën e parë të aplikimit sigurohen deri në 30 pikë. Ndërsa në fazën e dytë që është “Testimi i informatizuar”, marrin pjesë vetëm kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të vlerësimit me dosje, dhe nëpërmjet testimit çdo kandidat mund të sigurojë deri në 70 pikë. Testi përbëhet nga dy pjesë: Pjesa e parë përmban pyetje rreth akteve ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor dhe profesionin e infermierit në Republikën e Shqipërisë dhe çështje që lidhen me etikën dhe komunikimin profesional në infermieri, si dhe pjesa e dytë që përmban pyetje rreth kujdesit infermieror bazë dhe në specialitete.

Pas përfundimit të këtyre dy fazave të konkurrimit bëhet edhe renditja e finale e të gjithë kandidatëve, duke nisur nga ata që kanë nivelin më të lartë të pikëve, e deri tek kandidati me pikët më të ulëta. Referuar kësaj liste do të vijojë edhe plotësimi i vendeve të lira që raportohen vazhdimit nga strukturat mjekësore publike sipas profileve përkatëse. Falë kwtij sistemi përzgjedhjeje që mbështetet mbi meritokracinë, por edhe cilësinë e hyrjeve të reja në sektorin e shëndetësisë, gjatë vitit 2022 janë punësuar 335 mjekë të rinj të përgjithshëm dhe specialist dhe mbi 950 infermierë në shërbimin parësor dhe spitalor”.

RonaTyra

Tabelat

Vendet vakante në strukturat mjekësore publike të Rajonit të Tiranës

Vendet vakante në strukturat mjekësore publike të Rajonit të Vlorës

Vendet vakante në strukturat mjekësore publike të Rajonit të Elbasanit

Vendet vakante në strukturat mjekësore publike të Rajonit të Shkodrës

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu