Pse këtë vit mund të zhytemi në Luftën e Tretë Botërore?

0
Gjigandi

Nga Niall Ferguson

“Bloomberg”

Lufta është ferri në Tokë. Dhe nëse dyshoni për këtë vizitoni tani Ukrainën ose shihni filmin “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit” me regji të Edward Berger, adaptimin e ri nga Netflix të romanit klasik anti–luftë të vitit 1929 nga Erich Maria Remarque. Sigurisht edhe një luftë e vogël është e tmerrshme për ata që janë të përfshirë në të.

Por një luftë botërore është gjëja më e keqe që ne njerëzit i kemi bërë ndonjëherë njëri-tjetrit. Në një ese botuar muajin e kaluar, Henry Kissinger reflektoi mbi temën “Si të shmangim një luftë tjetër botërore”. Ai shtroi një pyetje të rëndësishme:“A gjendet sot bota në një pikë kthese të krahasueshme (siç ishte mundësia për paqe në vitin 1916) në Ukrainë, ndërsa dimri imponon një ndërprerje të operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë?”.

Si sot një vit më parë, unë parashikova se Rusia do të pushtonte Ukrainën. Një vit më vonë pyetja është nëse ekziston një mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte, apo nëse ajo është e destinuar të zgjerohet në diçka shumë më të madhe. Siç vë në dukje me të drejtë Kissinger, 2fuqi të pajisura me armë bërthamore po përplasen aktualisht mbi fatin e Ukrainës. Njëra palë, Rusia, është e përfshirë drejtpërdrejt në luftën konvencionale.

RonaTyra

Ndërkohë, SHBA-ja dhe aleatët e saj po luftojnë në mënyrë indirekte, duke i ofruar Ukrainës atë që Alex Karp, kreu ekzekutiv i ‘Palantir Technologies Inc.’, e quan “fuqia e sistemeve të avancuara algoritmike”. Këto armë janë tani aq të fuqishme, deklaroi ai së fundmi për Washington Post, saqë “barazohen me të pasurit e armëve bërthamore taktike ndaj një kundërshtari të pajisur vetëm me armë konvencionale”.

Ndaluni një moment dhe reflektoni mbi pasojat. Lufta është rikthyer. Por a mund të rikthehet edhe lufta botërore? Nëse po, ajo do të ndikojë në të gjithë jetën tonë. Në epokën e dytë midis 2 luftërave (1991-2019), ne e harruam rolin e luftës mbi ekonominë globale. Për shkak se luftërat e asaj kohe ishin të vogla (Bosnje, Afganistan, Irak), harruam se lufta është shtytësi i preferuar i historisë për inflacionin, falimentimin për shkak të borxheve, por edhe për zinë e bukës.

Kjo sepse lufta në shkallë të gjerë, është njëkohësisht shkatërruese e kapaciteteve prodhuese, përçarëse e tregtisë dhe destabilizuese e politikave fiskale dhe monetare. Por ajo ka të bëjë po aq edhe me mobilizimin e burimeve reale sa edhe me financat dhe paratë: çdo fuqi e madhe duhet të jetë në gjendje të ushqejë popullsinë dhe të fuqizojë industrinë e saj.

Në kohën e një ndërvarësie shumë të madhe (globalizimi), një fuqi e madhe duhet të ruajë opsionin për t’u rikthyer tek vetë-mjaftueshmëria në kohën e luftës. Dhe kjo e fundit i bën produktet dhe shërbimet më të shtrenjta sesa mbështetja tek tregtia e lirë. Përgjatë historisë, burimi kryesor i fuqisë është epërsia teknologjike në armatime, përfshirë inteligjencën dhe komunikimin.

Prandaj, një pyetje jetike është:Cilat janë inputet kryesore, pa të cilat është e paarritshme një ushtri e nivelit të lartë? Në vitin 1914, ato ishin qymyri, hekuri dhe kapaciteti prodhues për të prodhuar në masë artileri dhe predha, si dhe anijet me avull. Në vitin 1939, ishin nafta, çeliku, alumini dhe kapaciteti prodhues për të prodhuar në masë artileri, anije, nëndetëse, aeroplanë dhe tanke.

Pas vitit 1945, ishin të gjitha këto që u thanë më sipër, plus kapaciteti shkencor dhe teknik për të prodhuar armë bërthamore. Sot, inputet jetike janë kapaciteti për të prodhuar në masë gjysmëpërçuesit me performancë të lartë, satelitët dhe sistemet algoritmike të luftës që varen prej tyre. Po cilat ishin leksionet kryesore të luftërave botërore të shekullit XX-të?

Së pari, ishte i pamundur të mposhtej kombinimi që i bëri SHBA-ja udhëheqjes teknologjike dhe financiare, plus burimet e bollshme natyrore. Së dyti, perandoritë dominuese anglofoneishin të dobëta në parandalimin e konflikteve. Britania dështoi 2 herë ta bindte Gjermaninë dhe aleatët e saj të mos guxonin të shkaktonin një luftë botërore.

SHBA-ja ka qenë perandoria dominuese anglofone që nga kriza e Suezit e vitit 1956. Nënkërcënimin e Apokalipsit bërthamor, ajo -ja e pengoi me sukses Bashkimin Sovjetik të zgjeronte perandorinë e tij marksiste-leniniste në Evropë përtej lumenjve Elba dhe Danub.Por Amerika ishte relativisht e pasuksesshme në parandalimin e përhapjes së komunizmit nga organizatat dhe regjimet e mbështetura nga sovjetikët në atë që atëherë njihej si Bota e Tretë.

Edhe sot ajo ka shumë të meta në aspektin e strategjisë së parandalimit. Vitin e kaluar, dështoi të pengonte presidentin Vladimir Putin të pushtonte Ukrainën, sepse kishte shumë pak besim tek ushtria ukrainase që kishte trajnuar vetë dhe tek qeveria e Kievit. Objektivi i fundit i parandalimit amerikan është Tajvani, një demokraci funksionale, të cilën Kina e pretendon si të sajën.

Në tetor 2022, administrata e presidentit Joe Biden publikoi me vonesë Strategjinë e Sigurisë Kombëtare . “Epoka e pas Luftës së Ftohtë ka përfunduar. Tani po ndodh një garë midis fuqive të mëdha për të diktuar atë që vjen më pas. Ne nuk kërkojmë konflikt apo një luftë të re të ftohtë. Rusia përbën një kërcënim të menjëhershëm për sistemin ndërkombëtar të lirë dhe të hapur, duke shkelur në mënyrë të pamatur ligjet bazë të rendit ndërkombëtar sot, siç

E ka treguar lufta e saj brutale e agresionit kundër Ukrainës”– thuhet në dokument.

Ndërkohë, Kina cilësohet si “konkurrentja e vetme që synon të reformojë rendin ndërkombëtar dhe po përdor gjithnjë e më shumë fuqinë ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike për ta çuar përpara këtë objektiv”. Dhe çfarë do të bëjë SHBA për t’ikontrolluar këta rivalë? Përgjigja duket shumë e ngjashme me atë që bëri në Luftën e Parë të Ftohtë.

“Do të krijojmë koalicionet më të forta të mundshme për të çuar përpara dhe mbrojtur një botë që është e lirë, e hapur, e begatë dhe e sigurt. Do t’i japim përparësi ruajtjes së një avantazhi konkurrues të qëndrueshëm ndaj Kinës, duke mbajtur nën kontroll një Rusi ende shumë të rrezikshme”- theksojnë autorët e strategjisë.

Pra krijo dhe ruaj aleanca, dhe përpiqu ta pengosh palën tjetër që të të arrijë në aspektin teknologjik. Kjo është një strategji tipike e Luftës së Ftohtë, përveç emrit formal. S’ka asnjë dyshim se mbështetja e SHBA-së për Ukrainën që nga pushtimi i 24 shkurtit ka arritur të dobësojë regjimin e Putinit. Ushtria ruse ka pësuar humbje katastrofike në trupa dhe pajisje. Ekonomia ruse mund të mos ketë rënë aq sa shpresonte Uashingtoni (vetëm 3.4 për qind vitin e kaluar, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar), por importet ruse kanë pësuar një rënie drastike. Gjithsesi strategjia amerikan ka 2 probleme të dukshme. Së pari nëse sistemet e armëve algoritmike janë ekuivalente me armët bërthamore taktike, Putini mund të nxitet në fund të përdorë këto të fundit, pasi i mungojnë qartazi të parat.

Së dyti administrata Biden duket se i ka deleguar Kievit të drejtën e caktimit të kohës kur duhet të nisë çdo negociatë për paqe, dhe parakushtet që kërkojnë ukrainasit janë haptazi të papranueshme në Moskë. Prandaj ashtu si Lufta e Koresë në Luftën e Parë të Ftohtë, kjo luftëduket e destinuar të zgjasë derisa të arrihet një ngërç, Putini të vdesë, dhe të arrihet një armëpushim që krijon një kufi të ri midis Ukrainës dhe Rusisë.

Dhe problemi me luftërat e gjata, është se publiku amerikan dhe evropian priret të lodhet shumë më shpejt sesa armiku. Kina është një kundërshtare shumë më e fortë se Rusia. Ndërsa një luftë e deleguar po e kthen pas në vitet 1990 ekonominë dhe ushtrinë ruse, qasja e preferuar ndaj Kinës është pengimi i rritjes së saj teknologjike.

Përvoja e Luftës së Parë të Ftohtë, konfirmon se metoda të tilla mund të funksionojnë. Kontrollet e eksporteve, ishin pjesë e arsyes pse ekonomia sovjetike nuk mundi të mbante ritmin me SHBA-në në lidhje me teknologjinë e informacionit. Pyetja është nëse kjo qasje mund të funksionojë kundër Kinës, një vend me industri shumë më të madhe dhe të larmishme sesa ajo e Bashkimi Sovjetik.

Për më tepër Kina është dominuese në përpunimin e mineraleve që janë jetike për ekonominë moderne, duke përfshirë bakrin, nikelin, kobaltin dhe litiumin. Ajo kontrollon mbi 70 për qind të prodhimit të mineraleve të rralla, që përdoren në telefonat inteligjentë, makinat elektrike, panelet diellore dhe gjysmëpërçuesit.

Prandaj administrata Biden duhet të tregohet shumë e kujdesshme, duke mos zhvilluar një luftë ekonomike kaq agresive kundër Kinës, saqë Pekini ta gjejë veten në pozicionin e Japonisë në vitin 1941, pa ndonjë alternativë më të mirë sesa të godasë herët dhe të shpresojë një sukses ushtarak. Kjo do të ishte vërtet shumë e rrezikshme, pasi sot Kinës është në një pozitë shumë më të fortë se Japonia në atë kohë.

Kissinger ka të drejtë të shqetësohet për rreziqet e një lufte botërore. Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore u paraprinë nga konflikte më të vogla:Luftërat Ballkanike të viteve 1912–1913, pushtimi italian i Abisinisë (1936), Lufta Civile Spanjolle (1936-39), Lufta Kinë-Japoni(1937). Pushtimi rus i Ukrainës mund të duket sikur tani për tani po shkon mirë për Perëndimin. Por nëse gjërat shkojnë për keq, ajo mund të jetë një paralajmërues i ngjashëm i shpërthimit të një lufte shumë më të gjerë.

Shënim: Niall Ferguson, anëtar i Institutit Hoover në Universitetin e Stanfordit. Libri i tij i fundit titullohet “Politika e katastrofës”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu