Për herë të parë, maturantët që do të duan të konkurrojnë për vijimin e studimeve të larta në degën e Mjekësisë së përgjithshme gjatë këtij viti, krahas formulës aktuale me treguesit e Maturës, do të duhet t’i nënshtrohen edhe një testi të informatizuar, që do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit gjatë muajve të verës. Ky test do të ketë në përmbajtje pyetje nga tre lëndët që përcaktohen si prioritet për degën e Mjekësisë, e që janë: Fizikë, Kimi dhe Biologji. Sikundër edhe ishte deklaruar më herët, grupi i ekspertëve të përzgjedhur ka hartuar tashmë fondin e mijëra pyetjeve rreth të cilave do të hartohet përmbajtja e tezës finale që do të duhet të plotësojë çdo maturant që do të zhvillojë testin e digjitalizuar për pranimet e reja të 2023 në degën e Mjekësisë.
Për të orientuar maturantët në përgatitjet e tyre, fondi i pyetjeve për secilën lëndë tashmë është zbardhur, dhe mund të gjendet lehtësisht online në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit në adresën www.qsha.gov.al . Janë përcaktuar 20 tematika kryesore për të tre lëndët, rreth të cilave do të duhet që të përqendroheni me përgatitjet për këtë provim. Në total janë rreth 3 mijë pyetje, ku për secilën lëndë maturantët kanë në dispozicion 1000 pyetje lidhur me njohuritë e tematikave kryesore të zhvilluara gjatë studimeve të shkollës së mesme, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.
Për lëndën e Kimisë, përgatitja duhet të ndalet në këto tematika: Kimi organike, Reaksionet redoks dhe elektrokimia, Ekuilibri kimik, acidet-bazat, ekuilibrat jonik pa përgjigje, Termokimia dhe kinetika, Lidhjet kimike, simbolet, formulat dhe njehsimet stekiometrike, si dhe Struktura e atomit dhe sistemi periodik. Në lëndën e Fizikës, përgatitja do të duhet të vijojë me njohuritë rreth këtyre tematikave: Fizika kuantike dhe bërthamore, Optika gjeometrike, Lëkundjet dhe valët, Optika valore, Magnetizmi, Rryma elektrike, Elektrostatika, Termodinamika, Puna dhe energjia, Dinamika, si dhe Kinematika. Ndërsa për lëndën e biologjisë, do jenë tematika të tilla që kanë të bëjnë me njohuritë rreth Sistemeve, Diversitetit, Ciklet dhe Ndërveprimet.
Sipas autoriteteve të arsimit, në përgatitjen e fondit janë përzgjedhur mësuesit më të mirë të këtyre lëndëve, ndërkohë që shpallja e tyre do të bëjë që maturantët të kenë kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë provim shtesë, i cili fillimisht do të pilotohet në degën e Mjekësisë, për t’u shtrirë më pas në vitet e ardhshme edhe në degët e tjera të profileve mjekësore.
“Provimi do të jetë i ndarë në tri nivele, ashtu sikurse edhe testi i maturës është, apo sikundër janë edhe testet që zhvillohen në shkollë. Është menduar teza e provimit të informatizuar të ketë në përmbajtje rreth 50 pyetje të cilat do të vlerësohen me një sistem prej 100 pikësh, duke përfshirë pyetjet për të tria nivelet e vështirësive. Në përfundim të zhvillimit të testimit çdo maturant do të mund të mësojë edhe pikët e marra me të gjitha përgjigjet e dhëna. Përgjigjen ju e merrni përmes një deklarate në kohë reale, ku sapo përfundoni provimin ju kuptoni se në cilin pozicion të rankimit jeni”, kanë konfirmuar më herët autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Formula e re për fituesit e 2023
Ekspertët e MAS kanë bërë me dije se formula finale për shpallen e fituesve të rinj që do të pranohen në degën e Mjekësisë së Përgjithshme gjatë vitit të ardhshëm akademik, do të përcaktohet nga treguesit e Maturës Shtetërore, si dhe provimi i pranimit. Ndikimin më të madh në përzgjedhjen e fituesve do e këtë formula me treguesit e maturës, e cila vlerësohet me 70 për qind të ndikimit, ndërsa testi i informatizuar i pranimit do të ketë vetëm 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj që do të mund të vijojnë studimet në këtë degë.
“Provimi i automatizuar në programin Mjekësi e Përgjithshme, i cili do të ketë 30 për qind peshë në vlerësimin e përgjithshëm, ndërsa 70 për qind do të jetë nga rezultatet e shkollës së mesme, përfshirë këtu edhe rezultatet e Maturës Shtetërore. Ky ndryshim është bërë me synimin që të nxitet edhe më shumë parimi i meritokracisë për pranimin në këtë degë, e cila rezulton të jetë edhe një ndër më të kërkuarat në radhët e maturantëve”, kanë konfirmuar autoritetet e MAS.
Kriteret e konkurrimit
Për studimet e larta në degët Farmaci, Mjekësi i përgjithshme dhe Stomatologji do të mund të hyjnë në garë vetëm maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë notë mesatare të shkollës së mesme nga 8.5 dhe më lart. Ndërsa për të garuar në degët për programet e teknikës dentare dhe higjienist dentar duhet një mesatare mbi notën 7, për degët logopedi, teknik laboratori, teknik imazherie, mami, fizioterapi, infermieri e përgjithshme duhet mesatare e shkollës së mesme mbi notën 7.5, si dhe për degën e shëndetit publik duhet mesatare e gjimnazit mbi notën 8.
Krahas mesatares minimale që duhet për të hyrë në konkurrim për degët e këtij universiteti, janë edhe tre kriteret mbi të cilat do të bazohet përzgjedhja e fituesve të rinj do të pranohen gjatë vitit të ardhshëm akademik. Kriteri i parë ka të bëjë me mesataren e shkollës së mesme që vlerësohet me 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj. Sikundër dhe u theksua më lart, kjo notë përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës.
Kriteri i dytë ka të bëjë me mesataren e provimeve të Maturës Shtetërore 2023, ose maturave të mëparshme. Ky kriter vlerësohet me 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj të këtij viti. Sa i takon këtij treguesi sqarohet se nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje: Kimi, Fizikë, Biologji, nota e provimit shumëzohet me 1.4. Nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje, të ndryshme nga këto tre lëndë të përcaktuara, nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1. Kriteri i tretë ka të bëjë me mesataren e tre lëndëve formuese që janë: Kimi, Biologji dhe Fizikë. Sipas vendimit të marrë më herët nga Senati Akademik i këtij universiteti, nota mesatare aritmetike e lëndëve formuese (Fizikë, Kimi dhe Biologji), të zhvilluara gjatë tri viteve të shkollës së mesme përbën 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj. Kur lëndët Fizikë, Kimi dhe Biologji janë të vitit të tretë, shumëzohen me koeficient 1.25.
Kriteri i katërt është provimi i informatizuar që do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit, sipas kushteve të përcaktuara më lart.
Fondi i Pyetjeve të Provimit të Informatizuar të Mjekësisë 2023:
Pyetjet në lëndën e Kimisë do të përfshijnë këto tematika
- Kimi organike.
- Reaksionet redoks dhe elektrokimia.
- Ekuilibri kimik, acidet-bazat, ekuilibrat jonik_pa përgjigje.
- Termokimia dhe kinetika.
- Lidhjet kimike, simbolet, formulat dhe njehsimet stekiometrike.
- Struktura e atomit dhe sistemi periodik.
Pyetjet në lëndën e Fizikës do të përfshijnë këto tematika
- Fizika kuantike dhe bërthamore.
- Optika gjeometrike.
- Lëkundjet dhe valët, Optika valore.
- Magnetizmi.
- Rryma elektrike.
- Elektrostatika.
- Termodinamika.
- Puna dhe energjia.
- Dinamika.
- Kinematika.
Pyetjet në lëndën e Biologjisë do të përfshijnë këto tematika
- Sistemet.
- Diversiteti.
- Ciklet.
- Ndërveprimet.