Protestuesit serbë akuzojnë Qeverinë e Kosovës për dhunë

0
Gjigandi

Është përmbyllur në mënyrë të qetë protesta e serbëve, e mbajtur në fshatin Rudar afër Zveçanit, në veriun e barrikaduar të Kosovës. Protestuesit i akuzuan Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për kërcënime me dhunë ndaj serbëve, teksa në fjalime u përçuan mesazhe për paqe. Ndërkaq Policia e Kosovës, prania e pjesëtarëve të së cilës nuk është parë as në vendin e protestës dhe as pranë barrikadave të vendosura tash 13 ditë në veri, ka vlerësuar se në tubim të pranishëm ishin rreth 1 mijë e 500 protestues.

Të organizuar, me vetura e me autobusë, me qindra serbë iu drejtuan të mërkurën fshatit Rudar në veri të Kosovës, për pjesëmarrje në protestën e thirrur nga shtabi i krizës, në të cilën u adresuan kritika e akuza ndaj Qeverisë së Kosovës për kërcënime me dhunë ndaj serbëve.

Para mbërritjes në vendin e tubimit, protestuesit i parkuan veturat skaj rrugës dhe ecën këmbë shkaku i barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, tashmë e 13 ditë.

Barrikadat në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak, janë vendosur në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, nën dyshimin për organizimin e sulmeve të fillimdhjetorit ndaj policëve e zyrtarëve të komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut.

Në krye të protestës ishin ish-ministri Goran Rakiq, dhe ish-shefi i deputetëve të Listës Serbe, Igor Simiq, të cilët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit rreth targave ilegale serbe.

RonaTyra

Midis pjesëmarrësve u shpalos një flamur gjigant i Serbisë teksa protestuesit bartnin flamuj të tjerë e pankarta me mesazhe kundër Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti.

“Nuk lindëm fëmijë për snajperët e Kurtit”, “Nuk dua të hesht për terrorin e Kurtit”; “Kurti na kërcënon me vrasje, Evropa heshtë”, ishin vetëm disa nga pankartat që bartnin protestuesit.

Në hapje të protestës, i biri i ish-policit Pantiq e kualifikoi arrestimin e tij si shkelje të të drejtave të njeriut dhe kërkoi reagim nga ndërkombëtarët. Ndërkaq, kryetari i Listës Serbe e ish-kryetar i Shtërpcës, në fjalimin e mbajtur ka adresuar mesazhe për paqe.

“Kur jemi të bashkuar dhe në harmoni, zëri ynë dëgjohet në Bruksel, në Berlin dhe në Uashington. Arsyeja pse jemi mbledhur në Rudar te kryqi dhe në Kalanë e Zveçanit është që t’u dërgojmë porosi Prishtinës dhe mentorëve të tyre se jemi këtu dhe duam paqe, por gjithashtu e duam lirinë dhe nuk do dorëzohemi para atyre që duan të marrin çdo gjë që është serbe”, ka thënë Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe.

“Nuk presim që asnjë nga mesazhet që po dërgojmë sot të dëgjohen nga Kurti dhe ministrat e tij. Pres që bashkësia ndërkombëtare, duke i parë barrikadat dhe numrin e madh të njerëzve në barrikada, t’i zgjojë nga gjumi dhe të kuptojnë se nuk është vullneti ynë të kalojmë ditët në barrikada, por është një detyrim kur kërcënohemi nga dhuna, eksodi nga institucionet, kur kërcënohemi nga Albin Kurti”, është shprehur Dalibor Jevtiq, ish-kryetar i Shtërpcës.

E gjyqtari i dorëhequr, Nikola Kabashiq, ka theksuar se serbët nuk kanë problem me shqiptarët, porse me Qeverinë në Kosovë.

“Në vitin e fundit, nga Qeveria e Kosovës ka nisur kundrejt serbëve një qërim hesapesh në mënyrë institucionale, ku në formën më të rëndë po keqpërdoren institucionet, ku po politizohen prokuroritë dhe gjykatat”, ka thënë ai.

Protesta më se njëorëshe, e mbikëqyrur gjatë gjithë kohës nga persona të maskuar dhe të veshur me jelekë fluoreshentë, ka përfunduar në mënyrë të qetë.

Në Policinë e Kosovës, pjesëtarë të së cilës nuk janë parë në vendin e protestës e as pranë barrikadave, kanë bërë të ditur se në tubimin kanë marrë pjesë rreth 1 mijë e 500 protestues.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu