“Protesta e presidentit kundër qeverisë”, DW: Sa të rënda janë akuzat, aq të larta janë edhe pritshmëritë e Metës

0
Gjigandi

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thirrur qytetarët e Shqipërisë, të hënën që vjen, ( 2.03.2020) të protestojnë para Kryeministrisë dhe të rrëzojnë qeverinë Rama. Ndaj kësaj qeverie Meta drejton akuza të rënda: “grusht shteti përmes sistemit të drejtëssë,” “shkelje e Kushtetutës”, “lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar”. Sa të rënda janë akuzat, aq të larta janë edhe pritshmëritë e Metës nga protesta. Ai ka deklaruar se në 2 mars pret që dy institucionet kryesore, “qeveria dhe parlamenti t’i kthehen popullit shqiptar.”

Kurse Kryeministri Rama e cilësoi të mërkurën (26.02 protestën e thirrur nga Meta në 2 mars ,”një manifestim të madh të mos-arsyes njerëzore që nuk parashikohet nga Kushtetuta dhe ligji.”

Konflikti Presidencë – Qeveri dhe Kushtetuta

Ky konflikt u shfaq hapur qershorin e kaluar, kur Presidenti Meta ҫfuqizoi me dekret 30 qershorin si datën e Lokaleve 2019. Maxhoranca socialiste nisi procedurat për shkarkimin e Presidentit Meta pasi ҫdekretimi i 30 qershorit u konsiderua prej saj „shkelje e Kushtetutës” dhe „tejkalim i kompetencave kushtetuese “. Procedura e shkarkimit të Metës, i vendosi palët në konflikt interesi në raport me Gjykatën Kushtetuese, (GJK) pasi vetëm kjo Gjykatë do të mund të vendosë përfundimisht shkarkimin ose jo të Metës. GJK në Shqipëri nuk funksionon prej më shumë se dy vitesh dhe emërimi i anëtarëve të saj po ecën mes bllokimesh dhe ngërҫi.

Për të zhbllokuar emërimin, maxhoranca socialiste miratoi së fundmi ndryshime ligjore në procedurën e betimit të anëtarëve të GJK, që i heqin Presidentit të Republikës ekskluzivitetin e betimit të tyre në Presidencë. Nëse Presidenti nuk thërret brenda 10 ditëve kandidaturat e miratuara në Parlament për të bërë betimin në Presidencë, ndryshimet ligjore u japin atyre mundësinë ta bëjnë betimin me shkrim dhe t’ia dërgojnë Presidentit dhe GJK për të filluar menjëherë punën në GJK. Këtë alternativë në procedurën e betimit Meta i konsideron “kapje të GJK dhe grusht shteti nga qeveria”.

RonaTyra

Çfarë qëndron pas konfliktit? Cilat janë interesat e palëve?

Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, thotë për DW se në thelb të konfliktit Presidencë – Qeveri është beteja për Gjykatën Kushtetuese (GJK). “Kjo është një betejë për ndarje të hises të anëtarëve të GJK mes dy palëve në konflikt. Meta në këtë pikë është në të drejtën e tij kushtetuese. Por me thirrjen e protestës ai po bën një akt politik jo kushtetues. Meta u zgjodh President me votat e kësaj maxhorance socialiste. Aktet e tij populiste kanë bërë që ai të mos jetë më garant i unitetit të kombit dhe nuk i ka lënë vehtes asnjë grimcë dëshmie si president mbi palët. Meta është tani në pozitën e një opozitari radikal në Presidencën e vendit! Në akuzat e tij, përveҫ gjërave ku ka të drejtë, ka paradokse dhe absurditete të pashoqe, si pretendimi për grusht shteti nga një qeveri që është në qeverisje!,” thekson Aleksandër Çipa.

SPAK- një shkak për acarimin e konfliktit.

Përtej konfliktit për anëtarët GJK nuk mungojnë edhe shkaqe të tjera që mund ta kenë ndezur konfliktin mes palëve, sipas Çipës. “Pas tij mund të jetë një mënyrë diabolike e politizimit dhe neutralizimit të veprimtarisë së pritshme të institucioneve të reja të drejtësisë, sidomos të Strukturës së Posaҫme Anti-Korrupsion, (SPAK) që sipas Kushtetutës do të merret me luftën kundër korrupsionit në nivele të larta” thotë për DW, Aleksandër Çipa.

Ilir Meta është një nga 4 politikanët kryesorë, më të suksesshëm në Shqipërinë post-komuniste, që ka zotëruar skenën politike për 28 vjet rrjesht. Por sipas Aleksandër Çipës, “në udhëtimin e tij të gjatë politik ai ka shumë sfida të humbura morale, korrupsion, mëkate qeverisëse, lojëra politike me PD dhe PS dhe me interesat e vendit e të demokracisë. Kauza që ka zgjedhur Meta ka një kornizë të plotë, të drejtë, por ai nuk e ka të plotë besimin nga qytetarët.”

Protesta – show politik, qytetarët mosbesues

Paradokset dhe absurditetet në konfliktin Presidencë – Qeveri tregojnë se në Shqipëri demokracia vazhdon të mbetet e brishtë. Edlira Gjoni, Drejtore Ekzekutive, Qëndra për Ndikim Publik, me seli në Tiranë, thotë për DW se ky konflikt ka në themel kontrollin ndaj institucioneve demokratike dhe të pavarura nga politika. “Ka shumë retorikë politike nga të dyja palët. Përtej retorikës asnjë palë nuk është gati të sakrifikojë në emër të konsolidimit të demokracisë. Pushtetarët duan ta forcojnë edhe më tej kontrollin, ata që kanë humbur pushtetin duan ta marrin,” thotë Edlira Gjoni për DW.

Ndryshe nga pritshmëritë e larta të Presidentit Meta, pjesëmarrja dhe rezultatet e protestës mbarë kombëtare shihen me mosbesim. “Protesta do të jetë një show politik, jo një ngjarjeje që do të sjellë kthese të fortë politike. Ajo e bën edhe më të pavonueshëm procesin e shkarkimit të Presidentit Meta nga Parlamenti, që Meta kërkon ta shpërndajë” thotë Aleksandër Çipa.

Kurse Edlira Gjoni mendon se qytetarët nuk e shikojnë konfliktin Presidencë-Qeveri të lidhur me hallet dhe të përditshmen e tyre. “Protesta e fundit me interes të drejtpërdrejtë qytetar në Shqipëri ka qenë ajo e studentëve, në dhjetor 2018. Nga reagimi publik për 2 Marsin, kuptohet që njerëzit ende nuk janë bindur se kriza politike,dhunimi i Kushtetutës në emër të të cilave flasin palët, prekin drejtpërsëdrejti nivelin dhe koston e jetës, arsimimin e fëmijëve, punësimin. Qytetarët e thirrur në protestë, nuk bëjnë jetën e pasur e të sigurtë të atyre që janë në pushtet, të atyre që duan të qëndrojnë, apo të atyre që duan të vijnë” thotë për DW , Edlira Gjoni

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu