Procesi i Berlinit? Nga hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës, te Rehabilitimi i HEC-it të Fierzës! Projektet për vitet 2024-2027

0
Gjigandi

Nga Fatos Çoçoli

Komisioni Evropian, në mbledhjen e nivelit të lartë të Procesit të Berlinit nesër në Tiranë, do të parathotë një paketë të madhe me investime nga buxheti i Bashkimit Evropian. Paketën në detaje pritet ta paraqesë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fillim të muajit nëntor, kur edhe do të publikohet programi vjetor i zgjerimit me raportet e progresit për vendet që u janë hapur bisedimet për anëtarësim, si Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe vendet kandidate për anëtarësim, si Kosova dhe Bosnje-Hercegovina.

Kosova tashmë është nën masa ndërshkuese të BE-së, që përfshijnë edhe mosshqyrtimin e disa projekteve që financohen nga Bashkimi Evropian. Shpresohet që në Tiranë tonet të ulen për Kosovën dhe projektet të rifuten për shqyrtim, sidomos pas sulmit terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023. Serbia është nën orbitën e vendosjes së sanksioneve të BE-së, në varësi të rezultateve të hetimit për sulmin terrorist.

Axhenda e Konektivitetit (Ndërlidhjes) e Procesit të Berlinit

Procesi i Berlinit është një nismë e ish-Kancelares Angela Merkel të Gjermanisë në vitin 2014, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në përafrimin e tyre me korridoret evropiane të ndërlidhjes, pas pasigurisë së krijuar nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në po këtë vit.

RonaTyra

Procesi i Berlinit ka si plan kryesor planin e quajtur Axhenda e Konektivitetit(Ndërlidhjes). Kjo axhendë ka si objektiv përgatitjen dhe financimin e një numri projektesh të rëndësisë strategjike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë të lidhin ato më fort me njëra-tjetrën dhe me Bashkimin Europian. Fokusi është kryesisht në projekte të transportit, por dhe të ndërlidhjes energjetike. Një theks të veçantë ka marrë ndërlidhja dixhitale dhe tregu dixhital.

Deri në shtator 2023, në vlerë totale, Shqipëria përfaqësonte rreth 13% të projekteve të Axhendës (nga 7% në fund të vitit 2019 dhe 11 përqind në fund të vitit 2020), duke përmirësuar pozicionin e saj, për shkak të miratimit të dy projekteve të reja në samitin e Sofjes, për rehabilitimin e HEC-it te Fierzës dhe By-Pass-it të Tiranës. Shqipëria ka dhe shpërndarjen më të gjerë të investimeve në bazë sektori, duke përfshirë transportin, energjinë dhe sektorin dixhital.

Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor

Procesi i Berlinit ofron për vendet e Ballkanit Perëndimor një instrument financues, që është Instrumenti i Investimit të Ballkanit Perëndimor. Instrumenti siguron mbështetjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nga Komisioni i Bashkimit Europian, me grante dhe bashkë-financime nga institucione të tjera financiare, siç janë bankat e zhvillimit (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH, Banka Gjermane KfW, Banka Botërore, etj.), përmes kredive te buta.

Së bashku me përfituesit në Ballkanin Perëndimor, Instrumenti i Investimit i Ballkanit Perëndimor është pjesë e një partneriteti unik që përcakton përparësitë dhe paketat e ndihmës për investime strategjike dhe reformë institucionale në rajon. Instrumenti kontribuon në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor duke mbështetur investime që përmirësojnë konkurrencën dhe rritjen ekonomike.

Që nga viti 2010, instrumenti ka dhënë 1.3 miliardë euro grante për mbi 230 projekte dhe 20.8 miliardë euro investime në transport, energjetikë dhe rrjetet digjitale, në energjinë e ripërtëritshme dhe efiçiente, në furnizimin me ujë dhe sistemin e menaxhimit të ujërave të zeza, në mbrojtjen nga përmbytja, në arsim, qendra kërkimi shkencor dhe të kulturës, në institucionet shëndetësore dhe gjyqësore, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.

Në këtë proces, Shqipëria deri tani ka qenë një nga vendet më aktive. Shqipëria ka lëvizur nga vendi i katërt, në vitin 2014, në vendin e dytë në vitin 2016-2017 dhe në vitet 2021-2022, në lidhje me aplikimin dhe thithjen e fondeve që ofron Instrumenti i Investimeve i Ballkanit Perëndimor. Shqipëria qëndron në vendin e dytë, pas Serbisë, me 36 përqind të fondeve të përthithura. Në disa thirrje për projekt-propozime të Instrumentit të Ballkanit Perëndimor, që mbështet përgatitjen me asistencë teknike të disa projekteve të rëndësishme të gjashtë vendeve përfituese, Shqipëria u rendit në vendin e parë për vitet 2021-2022.

Projektet e Shqipërisë:

  • Mbështetje në ndërtimin e by-pass-it të Tiranës         150.9 mln euro
  • Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës        91.5 mln euro
  • Interkonjeksioni Shqipëri-Maqedoni e Veriut 70 mln euro
  • Internet broadband (me bazë të gjerë) 40 mln euro
  • Kalatat 1 dhe 2 Porti i Durrësit 62.4 mln euro
  • Rehabilitimi HEC i Fierzës     42.7 mln euro

Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor është një platformë unike dhe e suksesshme bashkëpunimi që i bashkon përfituesit, donatorët dhe huamarrësit për të përmirësuar harmonizimin dhe bashkëpunimin e investimeve për zhvillimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Instrumenti është një iniciativë e përbashkët e Komisionit Evropian, Bankës së Zhvillimit të Këshillit të Evropës, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve, donatorëve dypalësh dhe vendeve përfituese në Ballkanin Perëndimor, e nisur në dhjetor 2009, për të siguruar asistencë teknike dhe financiare për investime strategjike ne rajon.

 

p.c. / ABC24.AL

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu