Është diçka e bukur të dëgjosh për të porsalindurin e një çifti, ditëlindjet, arritjet dhe çdo gjë tjetër por kjo vjen me një kosto. Të gjitha këto janë informacione për hakerat.
Ka pak gjëra më të bukura sesa të shohësh prindër që postojnë fëmijët e tyre në rrjetet sociale. emrat, fotot, ditëlindjet, arritjet, kafshët shtëpiake etj janë disa nga informacionet që prindërit shpërndajnë për ne që i ndjekim dhe kjo është normale sepse në fund të fundit, cilët prindër nuk do të donin që bota të dinte se sa i mrekullueshëm është fëmija i tyre?
Megjithatë, në vitet e fundit, postime të tilla janë parë si një rrezik dhe shkelje e privatësisë së fëmijëve.
Disa prindër mund të pyesin veten: Si do të ndjehej vajza ime 21-vjecare për fotot që kam shpërndarë unë kur kam qenë e vogël?
Por ajo që ka marrë pak vëmendje është se si ndarja e këtyre informacioneve janë një rrezik për sigurinë e fëmijëve në të ardhmen.
Gjithçka fillon para lindjes
Gjithçka, natyrisht, duket kaq e padëmshme dhe e çmuar, dhe fillon edhe para lindjes. Prindërit postojnë imazhe të ekos, me datat e përfshira, në faqet e mediave sociale. Të dy prindërit zakonisht etiketohen në foto. Vazhdimi është një “njoftim lindjeje”, i cili zakonisht përfshin emrin e plotë të fëmijës, datën e lindjes, kohën e lindjes, peshën dhe spitalin. Dhe më pas fillojnë të postohen foto me informacione si hapat e parë të fëmijës, festa e parë, kafsha e parë shtëpiake, fjala e parë, shoku më i mirë, ushqimi i preferuar etj.
Këto duken mjaft të njohura pasi janë pikërisht informacionet që na kërkohen kur duam të rimarrim një llogari që na është bllokuar ose që mund të kemi harruar fjalëkalimin.
Një studim mbi zgjedhjen e fjalëkalimit zbuloi se 42% e britanikëve përdorin ose emrin e një kafshe, emrin e një anëtari të familjes ose një datë të rëndësishme si fjalëkalim.
Dëshironi të vidhni llogarinë e dikujt 10 vjet më pas? Thjesht shikoni në internet emrin e një kafshe shtëpiake ose një ditëlindje të rëndësishme.
Banka Barclays paralajmëroi se deri në vitin 2030, pas një dekade tjetër të prindërve që ndajnë me gëzim dhe pa vetëdije informacione për fëmijët, mund të ndodhin 7.4 milionë raste të vjedhjes së identitetit në vit.
Qendra Burimore e Vjedhjes së Identitetit paralajmëron se duke kombinuar informacionin nga mediat sociale, si emri, data e lindjes dhe adresa, së bashku me grumbullin e të dhënave personale të hakuara, siç janë numrat e sigurimeve shoqërore, një haker ka të gjitha detajet e nevojshme për të hapur një llogari bankare ose për të marrë një kredi në emër të një fëmije.
Pandemia e ka komplikuar këtë çështje. Një studim zbuloi se shumë shkolla inkurajuan prindërit të postonin video në mediat sociale për t’i mbajtur fëmijët të lidhur më botën, duke rritur numrin e informacionit personal në lidhje me jetën e fëmijëve.
Deri në ditëlindjen e tij të pestë, një fëmijë do të ketë mesatarisht rreth 1500 foto të shpërndara në internet. Kjo do të thotë se deri në moshën 13 vjeç, kur fëmijët lejohen të përdorin vetë faqet e mediave sociale, tashmë mund të ketë pothuajse 4000 foto në internet. Këto shifra nuk përfshijnë fëmijët ‘blogerë’, të cilët kanë shumë më shumë foto në internet.
Një kërcënim në rritje për fëmijët është përdorimi i teknologjisë AI që përdoret për të krijuar falsifikime të thella si imazhe, video, GIF, tinguj ose zëra për t’u dukur ose tingëlluar si dikush tjetër. Duke pasur parasysh vëllimin e madh të imazheve dhe videove të fëmijëve të postuara në internet nga prindërit e tyre, ato janë automatikisht të rrezikuar nga sulmet kibernetike në të ardhmen por edhe nga ngacmuesit në rrjetet sociale.
Kur postojnë informacion në internet, prindërit zakonisht nuk kërkojnë pëlqimin nga fëmijët e tyre. Sondazhi i Qendrës së Internetit të Sigurt në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se 46% e të rinjve ndiheshin të shqetësuar dhe të frikësuar për numrin e lartë të informacioneve që kanë gjetur në internet për veten e tyre.
44% e të tjerëve u ndjenë të zemëruar dhe vetëm 10% ishin indiferentë.
Është e qartë se informacionet janë një bombë me sahat dhe ka të ngjarë të sjellin edhe ankth tek fëmijët pasi të rriten dhe çka është më e rëndësishmja, ti ekspozojnë fëmijët ndaj vjedhjes së identitetit.
Çfarë mund të bëjmë për këtë? Para së gjithash, prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm se, sado me qëllim të mirë, informacionet për fëmijët mund të shkaktojnë dëme të vërteta afatgjata te njerëzit që duan më shumë.
Të kuptuarit e pasojave në botën reale të ndarjes së informacioneve na lejon të gjithëve të bëjmë zgjedhje më të mira për vendimin tonë për të postuar ose jo./GazetaSi
a.m/dita