Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka publikuar në faqen zyrtare dekretimin e ligjit për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit, pavarësisht kritikave të opozitës dhe shqetësimeve të ngritura nga Bashkimi Europian.
Projekti i ri përfshin një port jahtesh dhe pallate shumëkatëshe në zonën ku ndodhet aktualisht Porti i Durrësit.
Ligji për portin u votua së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë, pavarësisht protestës së opozitës e cila e cilëson projektin si një aferë.
Partia Demokratike i kërkoi presidentit që të mos e dekretonte këtë ligj, duke kërkuar rikthimin e tij për shqyrtim në Kuvend.
Po ashtu, disa deputetë të PD-së e kanë ankimuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Marrëveshja e diskutueshme është lidhur mes qeverisë shqiptare dhe kompanive Eagle Hills Real Estate Development, Albania Seaports Development Company sh.a dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Ligji parashikon kalimin falas të një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 në favor të investitorëve, ndërkohë që qeveria mbajti sekret një pjesë të marrëveshjes, që lidhet me të dhënat e pronarëve përfitues të njërës prej kompanive që qëndron pas investimit.
Delegacioni deklaroi para disa ditësh se BE kishte anuluar një grant prej 27 milionë euro për investime në projektin e mëparshëm të portit, si rezultat i “modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të portit aktual”.
a.m/dita