Kryeministri Albin Kurti, tha sot se vetëm pasi Policia e Kosovës të vërtetojë që Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin për pranimin e targave të Republikës së Kosovës, ekzekutivi kosovar do të marrë vendimin “e barasvlershëm si çështje e marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore”. Në mbledhjen e qeverisë, më 27 dhjetor, Kurti tha se Serbia po e përdor çështjen e targave për të ulur presionin ndërkombëtar ndaj saj, si dhe “për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë më 25 dhjetor se Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që do ta mundësojë lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë.
Për një gjë të tillë, Serbia ishte pajtuar me marrëveshjen e vitit 2011, të arritur mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Qëndrimi ynë sa i përket çështjes së targave ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit, do të vazhdojmë të jemi parimor dhe konstruktiv, vendimin tonë të barasvlershëm si çështje e marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore do ta marrim, sapo që policia jonë kufitare të dokumentojë dhe vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhee pa pengesa vendimin e saj. Ne besojmë se kjo qasje është drejtë përveç se e arsyeshme”, tha Kurti të mërkurën.
Duke folur për vendimin e Serbisë për pranimin e targave RKS, Kurti tha se një vendim i tillë po vjen “pas një moszbatimi më shumë se 10-vjeçar të marrëveshjeve paraprake”.
Ai tha se Serbia e ka përdorur çështjen e targave fillimisht për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ndërsa tani, sipas tij, po e përdorë për t’i ulur kritikat nga Perëndimi pas “parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e dhjetorit atje”.
“[Targat] po përdoren për të ulur presionin nga perëndimi, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi Serbinë për zgjedhje jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar të marrëveshjes bazike në Bruksel, që e ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, [Ana] Bërnabiç, drejtuar Këshillit Evropian më 13 dhjetor, dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator”, tha Kurti.
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e Serbisë që brenda territorit të saj të lejojë qarkullimin e lirë të veturave me targa të Kosovës, RKS – Republika e Kosovës, duke e cilësuar si hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve.
BE-ja pret që edhe Kosova të ndërmarrë një vendim të ngjashëm, tha zëdhënësi Peter Stano.
“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë që zyrtarisht të njohë targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, por edhe zotimeve të mëparshme në kuadër të dialogut për lirinë e lëvizjes. Kjo dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur”, tha Stano në një përgjigje me shkrim.
Bashkimi Evropian, gjithashtu, vlerësoi se vendimi për targat është një hap i duhur drejt integrimit më të mirë evropian të Ballkanit Perëndimor.
“Ky vendim hap rrugën për heqjen e plotë të regjimit të letrave ngjitëse [sticker]. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, shtoi Stano.
Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin 5 euro. Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit, që detyroi edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.
Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, e cila bllokoi rrugët që çonin në pikat e kalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Për t’i ulur tensionet, me ndërmjetësimin e bllokut, më 30 shtator 2021, u arrit një marrëveshje e përkohshme për targat.
Kjo marrëveshje bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.
p.k\dita