Poezia e Vllasova Mustës, një burim jetësor i komunikimit…

0
Gjigandi

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

 

Vllasova Musta është nga brezi i poeteshave të poezisë shqipe ndër më të talentuarat, të cilat bashkë me poetët e tjerë të njohur shqiptarë bashkëkrijuan fondin dhe epokën e poezisë moderne shqipe. Duke jetuar një realitet social në të cilin letërsia dhe veçmas poezia përjetonte sintetikisht të kaluarën dhe aktualitetin, poetesha Vllasova Musta mbetet një model i rëndësishëm poetik, që mbart në vetvete dhe në të gjithë indin e saj poetik periudhën e para- viteve ‘90, një periudhë me detaje, tematikë, qasje estetike- artistike të veçantë, por edhe atë të pas viteve ‘90 një periudhë që përkon me atë çlirimin e përfolur dhe të shfaqur në një angazhim jo pak të panjohur që në vitet ‘60 të shekullit XX, pastaj në vitet ‘70 e më pas, ku bën pjesë dhe Vllasova Musta.

Natyrisht, koha tregoi më së miri, po ashtu dhe përmes prurjes së fundit poetike të poeteshës Musta, se koncepti i lirisë së krijimit nuk funksionon dot pa talentin, poezia nuk është një “liri e shqyer”, pasi gjedhit dhe profilet poetike të njohura dhe poetet apo poetët e talentuar të para viteve ‘90 vazhduan dhe mbeten po aq poetë të mrekullueshëm, po kaq komunikues si në njërën kohë dhe në tjetrën.

Rrugëtimi poetik i Vllasova Mustës është i mrekullueshëm, pasi ajo duket se lëviz me një “bagazh” të madh kujtese, emocioni, pamjesh, ndjesish dhe fytyrash njerëzore, aq sa kur lexon poezinë e saj të duket se ecën sokakëve të gurtë të Gjirokastrës, sikur komunikon me një kulturë të vjetër dhe të fisme të njerëzve të anëve të saj, ashtu siç të shfaqen Tirana, Vlora, rrugëtimet nëpër stinë dhe mote, pasi Vllasova Musta ka një shqisë më të tepërt se poetët e tjerë, atë të vizatimit të kohës dhe të karakterit, sa herë që poezia e saj gjen një shkas të tillë, një lloj jetësimi të brendshëm, një jetësim indor, që në të shumtën e herës shfaqet përmes uni-t poetik.

RonaTyra

Vllasova Musta mbetet një poeteshë e një poezie shumë refleksive, jo vetëm pse ajo jeton gati poetikisht, por edhe nevojën e komunikimit me njerëzit dhe kohën ajo e ka po poetikisht. Në komunikimin e saj lëvizin natyra, njerëzit, stinët, flora dhe fauna, erërat, dielli dhe hëna, gjethet dhe drurët, lulet dhe kafshët, gjërat dhe momentet psikologjike, koha si kumt dhe koha si komunikim. Në frymëzimin e saj poetik lëviz kujtesa, meditimet, fuqia e përjetimeve, fuqia e mendjes, qasjet për të tipizuar dhe përgjithësimet gjithashtu, ç’ka e bëjnë poezinë e saj një mundësi për ta perceptuar kushdo lexues i çdo niveli, pasi forca e talentit ka bërë që ajo ta thotë gjithçka thjeshtë, dhe pse poetikisht.

Duke qenë një poeteshë e cila nuk e kërkon figurën, apo mjetet e tjera të komunikimit artistik, poezia e saj ka një metaforë të brendshme, një sendërtim artistik, i cili diktohet nga këndvështrimi i saj, nga harmonia me të cilën ajo e përcjell gjendjen emocionale nga njëra anë, por dhe kodin e thjeshtë të leximit artistik që ajo u bën dukurive fenomeneve, natyrës, raporteve njerëzore, vetvetes me të tjerët dhe të tjerët tek ajo, duke ruajtur raportin e poezisë me materien poetike. Dendurisht në poezinë e Vllasova Mustës ka momente, ka një zbulesë përmes të cilës ajo shpjegon veten, por edhe përmes vetes zbulon peshën dhe referimet e detajeve poetike. Duke i besuar shenjës poetike, në këtë rast kur them shenjën poetike nënkuptojmë detajin poetik, poetesha përpiqet më së shumti të mos e shndërrojë poezinë në vetvete në një strukturë, mbi të cilën të derdhë gjithë ç’mund të thuhet, si p.sh. për një gjethe vjeshte, pasi gjethja e vjeshtës është vetëm një detaj në një poezi.

Librin e fundit poetik Vllasova Musta e ka botuar në vitin 2019, të cilin e ka titulluar “Shkruaj në një gjethe vjeshte”. Ky vëllimi është një libër i begatë motivesh dhe i gjerësishëm tematikisht. I strukturuar mjaft mirë për t’i paraqitur lexuesit një përzgjedhje të mirë komunikimi libri është ndarë në kapituj, që në vetvete përbëjnë edhe një formë tradicionale të komunikimit që poetesha na ka ofruar. Janë kapituj interesantë nga titujt që poetesha u propozon lexuesve, si: “Dielli i fjalës’, “Për dashurinë”, “Varg pas vargu”, “Gurët e qytetit tim”, “Shkruaj në gjethe vjeshte” dhe “Rrugëtim poetik ndër vite”, një strukturë e cila ka detaje në formën e librit dhe përmbajtjen e tij. Vëllimi poetik “Shkruaj në gjethe vjeshte” ka një metaforë, në bazën e së cilës vizatohet një vështrim dhe raport kohësh dhe të vetë kohës së poeteshës, por që shpalohet në të gjithë librin, në shtresimet e të cilit shfaqet një kod jetësor interesant. Libri në të gjithë plotësinë e vet ngjan me një rrobë të ngrohtë brenda të cilës qëndron vetë poetesha, jo vetëm pse krijimtarinë e saj e përshkon një lirizëm i dukshëm, por edhe pse brenda tij, pjesa më e madhe e poezive janë një rrëfim lirik për veten.

Pas vëllimeve poetike “Pa kopertinë” (1970), “Kur çelin sythet” (1984), “Kthema diellin, Tim” (2007) dhe vëllimit “Më thuaj diçka të bukur” (2014), vëllimi që i vjen lexuesit është një udhëvazhdim poetik i poeteshës Vllasova Musta, natyrisht me një “perimetër” më të madh motivesh, gjendjesh dhe mesazhesh që përcjell poezia e saj. Poetesha ka qenë gjithherë e lexuar me interes nga shqiptarët për shkakun se poezinë e saj e përshkon gjithmonë një gjendje optimizmi dhe marrëdhënie fisnikërie me mjedisin, njerëzit, atë që kërkon t’i përcjellë lexuesit përmes fjalës poetike dhe vargut.

Cikli i parë i vëllimit “Shkruaj në gjethe vjeshte”, mbart një simbolikë jetësore, një sintezë që sintagma “Dielli i fjalës” përngjit bashkë jetën dhe fjalën, mjetin më të rëndësishëm dhe më jetik të poezisë, fjalën. Është një cikël i gjerësishëm, që prek sinorë të skajshëm, por që petku i poezisë së Mustës arrin t’i mbajë nën vete. Nëse diku shënon raportin që ka me diellin, se “Më duhet një diell/ të rinis një këngë”, peizazhet e tjera të fjalës prekin thelbin që mbart raporti i poeteshës me poezinë, që nga poezia “Altari im”, një poezi që i kushtohet, madje i dedikohet fjalës poetike, të cilën e endin shkronjat njëra pas tjetrës, për t’u përthyer në poezinë “Ndoshta”, e cila për nga gjendja e brendshme  e saj, të kujton se mund të jetë dhe një lloj kredoje poetike e poeteshës, pasi vargun legjitim “Nëse tek unë /S’do trokiste poezia/ Ndoshta,/ Lule do të mbillja,…” apo “….Do të thurja fole për zogjtë,....” apo “… Do të flisja me erërat,…”, e ndjekin korrelacione vargore, që në të vërtetë shpërfaqin raportet që poezia e Mustës ka me atë që ajo i ka dhënë lexuesit gjatë gjithë rrugëtimit të saj poetik.

Raporti me fjalën, natyrisht me fjalën poetike, e cila nëntekston një shpirt brilant femëror prek pjesën më të madhe të këtij cikli, pasi ajo realisht ngjan me diellin, ka diçka prej diellit, është një burim diellor, që e shpërfaq gjithë poezia sintetike “Dielli i fjalës”:- “Dielli,/ Është i zjarrtë/ Por,/Nuk i ngroh të gjithë/ Fjala,/ Ndez dhe shuan/ Tërë dashuritë!”, është kaq poetik dhe jetësor ky meditim i derdhur në vargje sintetike poetike. Duke i besuar poezisë, duke i besuar fjalës, për shkakun e burimit hyjnor të besimit që pleks poezia dhe fryma që e sjell poezinë, Musta e rishfaq këtë raport dhe në poezitë e tjera “Kambana”, “Lahutari” apo poezia “Të besosh”, ku ndër të tjera shkruan: “… I besoj kodit, që ka fjala/ Sikurse:/ pas dimrit,/ Kemi verë…”, një kumt që nuk ka nevojë për asnjë dyshim dhe asnjë lloj purifikimi.

Një gjendje interesante, që lidhet me indin jetësor të natyrës, natyrisht dhe të njeriut, ku stinët shfaqen dhe komunikojnë me njëra tjetrën është dhe simbolika e gjetheve, që shfaqet në disa raste në këtë cikël. Poezia “Gjethe vjeshte” është një metaforë e kuptueshme në këtë vëllim, e cila peshon akoma dhe kërkon vëmendje në poezinë “Credo”, një poezi që ngjan me dy gjymtyrë të një fjalie të gjatë, ku në strofën e parë ngjeth, një trishtim i beftë: “Ra dhe një gjethe/ Shkoi dhe një tjetër/ Koha gremiset në zgrip…”, një simbiozë njeri- gjethe, ku shfaqet një fjalor gati i trishtë (shkoi, koha, gremiset, zgrip etj) dhe një rivitalitet, për shkakun e dialektikës që ka jeta njerëzore në strofën e dytë: “Iku kjo ditë/ Nesër mëngjesi/ Diell të ri do të sjellë!...”, e bëjnë poezinë e Mustës një përjetim të vetë natyrës lirike që poezia ka pasur në udhëtimin e saj të përbotshëm.

Universalisht e përjetuar brenda poeteshës është tema e dashurisë, një marrëdhënie e përjetshme njerëzore, me të cilën ajo pleks çdo moment jetësor të saj. Poezia “Udhëkryqet” është njëra nga poezitë më të bukura që mund t’i kushtohet dashurisë. Poezia është një “diagramë”, nëse mund të quhet kështu, një horizont që pritet kryqas në çdo rrugë, “udhëkryqet” janë një simbolikë gati gjithsorizuese në këtë rast, e cila përtërin vetveten, vetëkryqëzohen pambarimisht për të diktuar praninë e dashurisë. Poetesha shkruan: “Në udhëkryqe, në sheshe, në kryqëzime,/ Me mijëra hapa shkojnë e vijnë…/ Krahë, që hapen/ Zëra, që zgjohen/ Tinguj, që ndalen/ Fjalë, që ngrijnë...”, pra një raport gati gjithpërfshirës, që e reflekton në dy vargjet e tjera vazhduese të strofës tjetër: “Në udhëkryqe, në sheshe, në kryqëzime. / Ndeshen befas gjithë dashuritë...” për ta njoftuar dhe si burim të vetvetes.

Dhe si gjithë poetet apo poetët, as Musta nuk u shmanget dilemave, pasi dashuria është një jetim i veçantë, një dhimbje që dashuria e ka në trupin e saj, e ka një lloj “gjymtyre” me të cilën ajo ecën. Poezia “Elegji për fillim vjeshte” reflekton kujtimet dhe pritjet si dashuri dhe si peng, ashtu siç përjetohen me mall dashurie kthimet në vendlindje (“E shkruar buzë liqenit”), apo e përjetuar brenda qenies si dialog dhe monolog (“Për dashurinë”). Ndërsa poezia “Shtatë korrik”, ka një dimension tjetër, një horizont dhe një qiri të ndezur përjetë. Poezia i kushtohet një dite e cila ka brenda saj gjithë dhimbjen dhe gjithë peshën që ka dashuria brenda një femre, gruaje, bashkëshorteje dhe nëne gjithashtu. Është një dashuri dhe dhimbje e pleksur, ku të dyja plotësojnë njëra – tjetrën. Poetesha shkruan, në kujtim të bashkëshortit të saj: “Është e kotë/ Të të them:/ në këtë datë,/ Ndize një qiri,/ në dritë ktheje!”, dhe “U bë një jetë,/ Qiri i përflakur/ Digjet brenda teje!”, këtu dashuria vjen përmes dhimbjes dhe përjetimit të humbjes. Jo çdo lule mbin në shkëmb.

Një cikël interesant në vëllimin poetik “Shkruaj në gjethe vjeshte” është ai i titulluar “Varg pas vargu”, që padashur të kujton mitin e lashtë antik të Penelopës, i cili në interpretimet e studimit të poezisë dhe interpretimin e antikitetit është i lidhur me mitin e besnikërisë.  Raporti me poezinë ka gjithmonë diçka me këtë mit dhe motiv. Burimi i parë i zejes së poezisë lidhet me endjen, me thurjen, dhe në një rrugëtim 50 vjeçar libror poetik të Vllasova Mustës, e cila ngjan si gjetje dhe si një e vërtetë e rëndësishme. Vllasova ka endur dhe nuk ka prishur, ndërsa raporti i besnikërisë ka mbetur.

Cikli është i rëndësishëm në profilin poetik të poeteshës dhe të burimit poetik të poezisë së saj. Është një cikël që nyjëton gjëra fondamentale për zejen e laboratorit të poezisë. Poezia “Një ëndërr” ngjan të jetë poezia e të pamundurës në kërkim të asaj që nuk vjen më, ndryshe këndvështrimit filozofik që ka poezia “Guriçkë”, e cila percepton preludin e fuqisë që kanë gjërat e vogla, ku ata bëhen bashkë. Poetesha shkruan: “Guriçkë, guriçkë/ Me thepa, me majë/ I duhesh kështjellës/ Që muret të mbajë”, dhe “I duhesh kështjellës/ Oborrit më shumë/ Kujdes mos i prekësh/ të hedhin në lumë...”, por pa harruar dhe rrënimin apo flakjen që në jo pak raste u bëhet gjërave të vogla: “Guriçkë, guriçkë/ E vogël si thua/ Të mbajnë në duar/ të hedhin në përrua.”, është thënë kaq bukur.

Gati të gjithë poezinë e Vllasova Mustës e përçon një lirizëm i dukshëm, pas çdo sythi poetik apo indi “fshihet” njeriu, një qenie pa të cilën nuk ka kuptim as natyra, as horizonti, as dielli e as hëna, as dashuria e as dhimbja. Poezi si “Dimë” (një poezi me një frymë lirike të hapur përmes një subjekti epik për të zbuluar raportin e poetes me poezinë), poezia “Troku i një kali” (një poezi brilante, me një figurë qendrorizuese simbolin, që përmes një shkallëzimi rritës shkon drejt gojëdhënës, ku reflektohet ideja e rendjes), poezia “Luledielli” (që ngjan me një vizatim), poezia “Ora” (refleksioni i kohës), poezia “Motive që presin” (projeksione poetike), për të ndaluar te poezia “Zemra”, e cila është absolutisht një poezi e brendësisë, poetesha njofton përmes një apostrofe të heshtur: “Kam zënë  e flas me zemrën/ Në heshtje,/ Thyej ajrin/ Befas dëgjoj nënën/ Vjen/ Më përkund mallin.”, e më pas delta e saj hapet kur i shfaqen zërat, ngjyrat, njerëz dhe ngjarje, dhe nuk gabon kur e përmbyll kumtin e brendshëm që i dikton zemra: “Sa njerëz,/ Sa ngjarje/ Mbart kjo zemra ime/ Sikur të jetë glob/ Me dritë vetëtime”. Ndërsa poezia që titullon dhe ciklin “Varg pas vargu” përbën metaforën- rrugën e poezisë, një deltë motivesh në një shpërfaqje progresive.

Në ciklin “Gurët e qytetit tim” natyrisht përmes një dritësimi të brendshëm shfaqet qyteti i lindjes në këndpamje të shumta, në përjetime të ndryshme. Poezia “Damarët” duket se e thotë mjaft mirë këtë përjetim të poeteshës në lidhje me qytetin e saj, ajo sheh damarët e dorës së saj ku kapilon koha dhe mosha, por brenda këtij kapilimi është dhe e kaluara, nëna, babai dhe të tjerët. Ajo shkruan: “Mbi pëllëmbë të dorës /Keni dalë/Mbi pëllëmbë të dorës/Zutë vend/ Dhe m’u shfaqen vite pambarim/Dhe më erdhën / Ngjarje nëpër mend”, ngjarje që njoftojnë burimet jetësore në qytet, për ta parë veten po në një gjendje kërkimi dhe në poezinë “Tej hapësirave”, një poezi e cila reflekton momente interesante në kërkimin e nostalgjive dhe të njerëzve të dashur.

Poezia e këtij cikli “Gurët e qytetit tim” ngjan si një pëlhurë, një mozaik dhe një palimpsest në të cilin ka shkruar gjithmonë koha, pasi në të vëretë në arkitekturën e qytetit të gurit duket e gjithmonë shkruhet diçka nga njerëzit, pasi nëpër qytet dhe në kalldrëmet e e gurta kanë ecur njerëzit, ka rendur jeta, nëpër to shtrihet koha dhe historia, pasi Gjirokastra nuk mund të jetë ndryshe asessi. Por nuk ka si të ndodhë ndryshe në këtë strukturë komunikimi, në këtë mozaik që lëviz dhe që mbushet gjithmonë në kujtesën e poetes dhe përjetimin e  saj. Poezia “Portret’ kthehet në një refleks dashurie për njeriun (koncepti vjen përmes fjalës “portret”- vizatim i njeriut) dhe dhimbja pastaj që të shkakton kur nuk të pret njeri.

Në këtë cikël mjaft të bukur, të shkruar me një pezëm dashurie dhe dhimbjeje, poetesha ka gjetur rastin të sjellë një poezi, ndër më të bukurat, të titulluar “Para udhëtimit”, një poezi e cila është medituese, po kaq është dialoguese dhe që komunikon përmes ndjesës  që shpërndan. Ajo titullohet “Para udhëtimit”, poetesha i do lulet, kujdeset për to para se të niset për udhëtim, e u premton atyre se do të kthehet përsëri, pasi lulet kanë një hirësi, ta kthejnë me bukuri dhe aromë kujdesin dhe dashurisë që ke për to. Kurse poezia “Fëmijëria” s’kishte pse të mos i shfaqet asaj në Gjirokastër, ajo i ngatërrohet bukur nëpër këmbë si një idil i përjetshëm, një kumt i përjetshëm njerëzor, pasi ajo gjithmonë mbetet brenda njeriut, ashtu siç ajo gjen dhe një arsye përmes poezisë “Qilimi” për të kujtuar nënën.

Cikli “Shkruaj në gjethe vjeshte”, metafora e librit, e gjithë lidhet qartë me ndjesinë dhe poezinë e brendësisë së poeteshës. Jeta rrjedh stinë pas stine, si varg pas vargu endet poezia (“Stinë”), por dikush nuk i mungon asnjëherë, një poezi që i kushtohet ‘dikujt’, “atij” që mbart gati një lidhje jetësore të pashmangshme (“Gjithkund ti”), zgjatimi i një ndjesie të tilla gjendet në poezinë “Tej kohës”, ku befas ajo takon një njeri që dikur ishte një ndjenjë e brendshme , por sot mes saj dhe atij është rritur një mur – kob.

Në të gjithë librin, në poezi të shumta shfaqet një refleksion, një projeksion i brendshëm shpirtëror, përjetimi dhe ndjenje, që lidhet me një simbolikë përjetësie, simbolika e “dikujt’ të paharrueshëm për poeteshën, aq sa ajo mendon se “ai” është diku në galaktikën qiellore, se ai është bërë një yll në qiell, që ndrin dhe digjet. Ajo shkruan në poezinë “Nëse”: “Nëse,/Do i lutesh/ Qiellit,/Një yll të më hidhte/Do ta vija në krye të vendit/ aty,/ Ku ti prehesh/Përjetësisht të të ndriste”, dhe “…S’më duhet asgjë!/Do jetoj me këtë dritë/ Sot./ E përgjithnjë.”, lehtësisht e kuptueshme për ndjesinë që ajo përcjell për atë që drita e dashurisë nuk është shuar kurrë.

Libri “Në gjethe vjeshte shkruaj” është një kumt dashurie dhe ndjesish, një libër jetësor, i vjelur ditë pas dite e stinë pas stine, ku bien gjethe dhe gjelbërojnë gjethe, dhe pse gjethet e vjeshtës gjithmonë ngjallin një lloj trishtimi. Vllasova Musta mbetet një poeteshë e mrekullueshme e lirikës dhe dashurisë, një burim jetësor i komunikimit të shpirtit të brendshëm të femrës,, gruas dhe nënës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu