Mirdita u trondit këtë mbrëmje nga një vrasje e dyfishtë që ndodhi në fshatin Kodër-Rrëshen.
Motër e vëlla u ekzekutuan me armë zjarri në banesën e tyre, ndërsa sipas policisë autori i dyshuar i këtij krimi të rëndë është ish-bashkëshorti i viktimës, i cili është larguar menjëherë nga vendngjarja.
Burime ekskluzive për JOQ Albania bëjnë me dije se emrat e viktimave janë: Vledison Filopati, 34-vjeç dhe Esmeralda Filopati, 36-vjeçe.
I njëjti burim bën me dije se Vledisoni merrte çdo ditë nga puna në darkë Esmeraldën. Që pas ndarjes me bashkëshortin, 36-vjeçarja jetonte me familjen e saj.
Ish-bashkëshorti i Esmeraldës është 47-vjeçari, Fatmir Koleci, nga fshati Zejmën i Lezhës. Ai e ka kërcënuar disa herë me jetë 36-vjeçaren, e cila e ka paditur në polici dhe është ndarë prej tij, për shkak se Fatmiri ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj.
Fatmiri dhe Esmeralda janë prindër të tre fëmijëve të mitur.
Siç mëson JOQ Albania, Fatmiri e ka kërcënuar edhe disa herë të tjera ish-bashkëshorten e tij se do ta vriste.
Në momentin që 47-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të viktimave, motër e vëlla po zbrisnin nga makina.
Policia njofton se po kryen krehjen e zonës me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Njoftimi i policisë:
Më datë 25.02.2020, në Kodër Rrëshen, Mirditë, pak minuta më parë në oborrin e banesës, janë vrarë me armë zjarri shtetasit V.F dhe motra e tij shtetasja E.F. Nga informacionet e para dyshohet se janë qëlluar me armë zjarri nga shtetasi F.K nga fshati Zejmen Lezhë, ish bashkëshorti i shtetases E.F, i cili pas krimit është larguar menjehërë nga vendngjarja. Në drejtim të vendngjarjes kanë shkuar forca të shumta të Policisë dhe Grupi hetimor. Shërbimet e Policisë po krehin zonën pë të bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit.
Foto ilustruese