Policia e Lezhës ka sekuestruar 40 kg e 200 gramë kanabis gjatë operacionit të koduar “Tempulli”.
Bëhet me dije se Ergys Markja, Dorjan Salla dhe Artur Demiri kanë rënë në pranga pasi u kapën në fshatin Gocaj, duke transportuar lëndën në drejtim të Tiranës, me qëllim shitjen në doza.
Sakaq tre të arrestuarit raportohet se janë me precedent të mëparshëm kriminal.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Lezhë, në vijim të goditjeve të pandërprera ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të transportimit të një sasie lënde narkotike drejt Tiranës, me qëllim shitjen në doza, kanë organizuar punën në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, për dokumentimin e rastit dhe arrestimin e autorëve. Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Shkodër – Tiranë”, në fshatin Gocaj, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Renault” me të cilin dyshohej se po transportohej lënda narkotike. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën 3 thasë më lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 40 kilogramë e 200 gramë”, thuhet në njoftimin e policisë.
p.k\dita