Korça është zgjuar sot nga një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë.
Një burrë i identifikuar me emrin Jonis Mazllëmi ka plagosur një grua 52-vjeçare me sëpatë, e cila është transportuar në spitalin rajonal të qytetit.
Një person i tretë, i cili ka tentuar të largojë autorin ka mbetur dhe vetë i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Pazarin e Korçës. Autori është shoqëruar në Polici.
Sipas informacioneve të fundit nga Policia, autori vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Dy të plagosurit kanë marrë dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Një dëshmitare e plagosjes në Pazarin e Korçës ka treguar e tronditur, momentin kur 52-vjeçarja u sulmua me sëpatë nga 36-vjeçari.
Sipas saj, autori e ka gjuajtur disa herë me sëpatë gruan edhe pse nuk pati asnjë zënkë apo konflikt.
Dëshmitarja tregon se 52-vjeçarja është një grua e respektuar që shet në treg dhe nuk ka probleme me askënd.
“Këtu isha unë, ajo ishte atje, ai erdhi me sëpatë, vajti deri tek ky stoli, po më dridhet trupi nuk flas dot. I hyri me sëpatë, ajo ngriti duart thirri ua ua ua dhe ra poshtë. Ai vetëm e godiste me sëpatë. Nuk pati asnjë sherr, asnjë konflikt. Ai erdhi me sëpatë, pastaj nuk e pashë sepse u bënë kapicë. Gruan e njoh, është shumë e mirë, shet këtu. Na ka respektuar sa s’ka. Më pas i erdhi i shoqi dhe u bë kapicë, nuk pashë më se çfarë u bë. Ai ishte i droguar thoshin dhe iku me vrap. Unë ka përpirë barkun, po më dridhen këmbët, po më shpifet dhe në gjumë do më dalë. Ajo po rrinte tek dyqani, ndërsa ai e ndoqi, tek stoli ajo u pengua dhe ai i ra me sëpatë. Filloi të bërtiste, pastaj i doli i shoqi”, shprehet dëshmitarja.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 19.10.2023, rreth orës 10:00, në lagjen nr. 8, në zonën e Pazarit, Korçë, shtetasi J. M., 36 vjeç, banues në Korçë, ka dëmtuar me mjet të mprehtë, shtetasen A. M., 52 vjeçe dhe shtetasin V. Sh., 60 vjeç, në momentin kur ky i fundit ka ndërhyrë për të neutralizuar situatën, të cilët u dërguan për mjekim në spitalin e Korçës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga të dhënat e para dyshohet se autori i ngjarjes, vuan nga probleme të shëndetit mendor. 36-vjeçari menjëherë u kap nga shërbimet e Policisë dhe aktualisht ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
j.l./ ABC24.AL