Një prej të mbijetuarve nga masakra që u shkaktua në jug të Izraelit, aty ku mbahej një prej festivaleve muzikorë më të mëdhenj në vend, ka rrëfyer se si arriti t’i mbijetojë sulmit të militantëve të Hamasit.
Arik Nani shkoi në festivalin në jug të Izraelit për të festuar ditëlindjen e tij të 26-të të premten mbrëma, por përfundoi duke u arratisur nga vdekja pasi raketat e Hamasit u qëlluan mbi zonë dhe persona të armatosur hapën zjarr ndaj njerëzve.
Mijëra të rinj morën pjesë në festën e Natyrës, pranë Kibbutz Re’im afër Gazës, e cila u kthye në një nga objektivat e parë të trupave të Hamasit që kaluan në Izrael herët të shtunën në sulmin më të madh ndaj vendit në disa dekada.
“Dëgjova të shtëna nga çdo drejtim, ata po gjuanin drejt nesh nga të dyja anët”, tha ai për Reuters.
“Të gjithë vraponin dhe nuk dinin çfarë të bënin. Ishte kaos total. Në një moment unë dhe një mik hipëm në një makinë me njerëz që nuk i njihnim dhe thjesht u nisëm,” tha 23-vjeçari Zohar Maariv.
Pasi makina u godit nga plumbat, ata u larguan në këmbë dhe u fshehën për orë të tëra derisa u shpëtuan.
Të paktën 700 izraelitë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u rrëmbyen dhe po mbahen në Gaza, që nga nisja e sulmit të Hamasit të shtunën.
a.c./dita