Përse ndodhi shkërmoqja e PD-së?

0
Gjigandi

Bedri Islami

Sido që ta themi, tani opozita e ndarë në disa rryma dhe grupe, është fakt i kryer. Për më tepër ishte një fakt i paralajmëruar.

Asnjë forcë politike në këto 32 vite nuk është ndarë kaq shumë, nuk ka pasur brenda vetes një luftë të çuditshme dhe të ashpër, nuk është mallkuar brenda vetes me kaq vrull, dhe nuk ka gjetur armiq të brendshëm me kaq pasion.

Është ndarë si kurrë një forcë tjetër politike e krijuar në ish bllokun e Lindjes, është copëzuar si kurrë një tjetër, e po ashtu nuk ka pasur luftë të brendshme si kurrë më parë.

Në harkun e tri dekadave ndarjet kanë qenë vazhdimësi, të pranishme dhe të kudo ndodhura. Që nga mocionistët e deri te bashistët kanë pasur krisje të vazhdueshme, edhe kur të lëçiturit kanë qenë bashkë krijues dhe intelektualë të njohur, edhe kur kanë ardhur në të quajturën forcë e djathtë nga radhët e komunistëve, edhe kur janë vetë shpallur si nacionalistë, edhe kur kanë qenë rishtarë , apo, tani në fund, të zgjedhur me dorën e tij nga vetë kreu i Foltores.

RonaTyra

Sidoqoftë, asnjëherë më parë, lufta brenda vetes nuk ka qenë kaq e furishme, me shpallje tradhtarësh dhe renegatësh, me sulme kështjellash si në mesjetë, me deklarata tronditëse nga të cilat i gjithë sistemi i drejtësisë duhet të kishte luajtur nga vendi, me akuza , të cilat nuk janë bërë as nga kundërshtarët e tyre politikë.

Tani janë të ravijëzuar tre grupime : i Foltores, që është më i shumtë në numër dhe duket se përbën forcën goditëse, të mbledhur rreth figurës dhe forcës politike të Berishës; grupi i Bardhit, që mund të lëvizë vidhet e politikës sa në një krah në tjetrin,  dhe, në fund , ai i Bashës, që duket se është zyrtar, që asgjë zyrtare nuk ka në vete.

Grupimi i parë përfshin në vete rreth 500 mijë vota demokratësh, shumë nga të cilët më tepër janë të hidhëruar nga qeverisja e tanishme, se sa nga malli dhe dashuria për Berishën; grupimi i dytë, i drejtuar nga Bardhi , edhe nëse votimi do të ishte nesër, nuk do të kishte votues, por ai ka tani për tani një numër deputetësh që mund të bëjnë shumicën e grupit opozitar, dhe grupimi i tretë që duket se ka rreth 100 mijë votues, por që nuk është provuar.

Grupi Bardhi tani është përfshirë në Foltore, dhe mbeten të njihen në muajt pasardhës se cilat kanë qenë premtimet që i janë bërë në zgjedhjet e ardhshme. Është grupimi më i çuditshëm që ka pasur ndonjëherë opozita, ku asnjëri prej tyre nuk është figurë e spikatur politike, nuk ka forcë në elektorat dhe nuk përbën asnjë lloj rryme politike. Është nga ato lëvizjet e mirë llogaritura, të cilat e shohin se kandari i së ardhmes anon më shumë nga Foltorja , dhe, për këtë kanë vendosur të shkrihen në radhët e saj, si prakticizëm politik dhe jo si vendosmëri politike.

Grupimi i tretë, i Bashës, po ashtu pa asnjë shtyllë kurrizore dhe asnjë vizion të bartur në idetë e tij, është ai që mund të quhej në fillimet e shfaqjes së tij si grupi i zjarrit brenda opozitës, që  çdo gjë është e shuar dhe mbahet nga dy faktorë: lëvizjet në bazë, ku të pa kënaqurit janë ende të shumtë , dhe, nga vula që e bën të quhet parti zyrtare. Lëvizja e këtij grupimi do të jetë edhe në të ardhmen përmes një konglomerati të ideve, mungesës së  vizionit, fryrjes budallaqe të shefit të tyre, i cili , duke menduar se po i jep zemër pasuesve të tij, më shumë duket se do të qetësojë veten. Është ndoshta lëvizja më butaforike e politikës shqiptare.

Foltorja mbështetet te i njëjti njeri që është mbështetur gjithnjë , Berisha. I furishëm në gjetjen e armikut brenda vetes, ai ka krijuar tashmë brenda opozitës krahun më të gjerë, pavarësisht se i shpallur “ non grata” dhe që nuk përbën asnjë kërcënim për qeverisjen e tashme. Dita kur ai do të vendosë të largohet nga politika, për të qenë vëzhgues i saj dhe jo subjekt politik, do të jetë momenti kur do të jetë e qartë nëse kjo lëvizje brenda vetes ka qenë e frymëzuar nga idetë apo nga një njeri i vetëm.  Shkërmoqja e opozitës ka disa faktorë madhorë që nuk janë të papritur dhe as të panjohur. Ata zënë fill që nga krijimi, përmes një lëvizje të aspiruar nga ndryshimi, ku bartësit e lëvizjes ishin shumë larg ideve që kërkonin të përçonin. Shumica e atyre që morën pjesë në krijimin e opozitës së parë vinte nga radhët e taborit të dytë të punistëve shqiptarë, përgjithësisht të afërt me regjimin, anëtarë të partisë komuniste, disa nga të cilët kishin qenë edhe fanatikë të saj.

Konvertimi nuk mund të ndodhte brenda një çasti. Brenda një çasti ata mund të ndërronin partitë, por jo idetë, mënyrën e të vepruarit dhe të menduarit, konceptin e armikut brenda vetes dhe, mbi të gjitha, dëshirën për të qenë njerëz të pushtetit. Vetë krijimi i opozitës lindi në zyrat e Komitetit Qendror, përgjithësisht të organizuara nga sektori më i fuqishëm në parti dhe nga një njeri me autoritet, si ishte Xhelil Gjoni, por edhe të tjerë që kishin menduar prej kohe për krijimin e një lëvizje fantazmë, ku, nëse jo vetë ato, por të afërt të tyre të ishin pjesë e sundimit të ri. Kjo ndodhi. Figura të skalionit të dytë, si Gramoz Pashko, Genc Ruli, Tritan Shehu, pjesë të asaj që ende quhet klani Kapo, u bënë në drejtuesit kryesorë, nga erdhi edhe teoria e shembjes së shtetit, përmes “ çekut të bardhë”, apo t’ia fillojmë nga zero. Në opozitë u futën, me urdhër nga lart, ish bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Ata ishin vemja që qëndruan në hije për pak kohë,  duke pasur si model njërin ndër krijuesit e opozitës, Azem Hajdarin, që mbeti rebel deri në fund, i gatshëm të futet në sherre, besnik në një çast dhe kundërshtar në çastin tjetër, deri në momentin kur u flijua për tjetër kënd dhe mbi të filluan të vendoseshin lule, pikërisht nga ata që i kishin thënë shërbëtor i Sigurimit të Shtetit, organizator i 2 prillit dhe përgjegjës për vrasjet e ndodhura në Shkodër.

Në opozitë depërtuan vrullshëm ish të burgosur politikë, që e kishin vendin e tyre aty dhe duhej të kishin qenë qendrestarët e lëvizjes për ndryshim. Por, si ndodh zakonisht në ato lëvizje ku kanë dorë edhe shërbimi i fshehtë i vendeve fqinje, aty u bënë pjesë edhe të dënuar si bashkëpunëtorë të sigurimit të fshehtë serb apo grek, dhe në pak kohë ata krijuan rrymën e tyre politike. Në fund, ata që duhej të ishin bërthama dhe thelbi i lëvizjes opozitare, mendimtarët e lirë që kishin aspiruar për ndryshimin e sistemit, për të ngritur një botë të re brenda një vendi që kishte mbetur pas ndryshimit evropian, ishin idealistët. Pak prej tyre kanë mbetur ende në radhët e opozitës. Vizionarët gjenden mes tyre, që, edhe pse shpesh herë janë gjendur në rrethinat e lëvizjes opozitare, përsëri kanë më shumë autoritet se ata që e quajnë veten si maja e mendimit politik opozitar.

Së fundi, në rrugën e saj politike, duke dashur të krijojë një front sa më të gjerë opozitar, PD humbi origjinalitetin e saj. Ata që u bashkuan me të nuk ishin e nuk janë opozitarë të bindur, me ide dhe mendim opozitar. Përkundrazi, shumë prej tyre janë më shumë të etur ndaj pushtetit dhe vegjetojnë nën çadrën e madhe të opozitës. Disa prej tyre kanë bërë lëvizje të habitshme. Duka, për shembull, ishte ministër në një qeveri socialiste, tani është me opozitën, për të qenë nesër përsëri në pushtetin e së majtës. Mjafton që t’i afrohet. Partia e Lirisë, e dikurshmja e Socialistes për Integrim ,partia familjare Meta, sa ka qenë majtas, aq herë ka qenë edhe djathtas. Ka bërë kërdinë kur ishte në bashkë pushtet me Berishën, po aq sa ka bërë kërdinë kur ishte në pushtet me Ramën. Ka lëvizur vidhet e politikës nga e majta në të djathtë, ku i ka interesuar më shumë, për të shkuar tani drejt asfiksisë, dhe do të kishte ndodhur kjo, nëse nuk i kishte dhënë frymë nga forca e tij politike Foltorja.

Vangjel Dule është një shembull tjetër. Ndoshta më qesharaku, por që ka gjetur strehë në të majtë dhe në të djathtë. Të gjitha këto e kanë bërë elektoratin e së djathtës të jetë i hutuar, skeptik, pa forcë për të qenë pjesë. Të lodhur nga gjendja që nuk ndryshon dhe pa besim në forcën e tij politike, ku ka besuar, ai e gjen më të arsyeshme të rrijë mënjanë, të heshtë, ose të besojë në kampin e së majtës, si ndodhi në Shkodër me 14 maj.

Opozita është sot ashtu si do e kishte dashur çdo qeverisje. Pra, është si mos më keq. Askush nuk është fajtor për këtë, veç vetes dhe liderit të saj.

Koha për të marrë mësimin e duhur ka shkuar. Mbetet mes dy rrugëve, ose të rithemelohet përmes ndryshimit dhe mendjes, ose të shuhet. Deri tani atë e mban në këmbë kreu i Foltores. Pas tij kiameti do të bëhet. Si ai vetë e ka parashikuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu