Për tifozët e luftërave

0
Gjigandi

Nga Viktor Malaj

Botuar në DITA

Historikisht, luftërat kanë dëshmuar, përveç mosmarrëveshjeve dhe padrejtësive midis fiseve, kombeve e shteteve, edhe paaftësinë alarmante të qenies njerëzore për të përdorur arsyen dhe vetëdijen në zgjidhjen e konflikteve dhe arritjen e zgjidhjeve paqësore të përhershme.

Prej shkurtit të vitit 2022 e këtej jemi dëshmitarë të dy konflikteve dhe luftërave të përgjakshme, atyre midis Rusisë e Ukrainës, dhe kësaj të fundit midis Izraelit dhe organizatës politiko-ushtarake palestineze me emrin Hamas.

Megjithëse duken si të reja në kohë, e vërteta është se rrënjët dhe shkaqet e tyre janë të kahershme. Këto dy luftëra kanë të përbashkët aspektin tragjik të humbjes së jetëve njerëzore, ndërkohë që shkaqet, qëllimet dhe rrethanat janë të ndryshme.

RonaTyra

Një nga gjërat që bën përshtypje të keqe është prirja e theksuar e shqiptarëve për t’u shfaqur si tifozë ndaj palëve në konflikt, në vend të arsyetimit, baraslargimit dhe mosmiratimit të këtyre luftërave. Nuk ka dyshim se në të gjitha luftërat, palët ndërluftuese nuk ndodhen asnjëherë në të njëjtat pozita morale, historike, politike, ushtarake dhe ligjore.

Është normale shfaqja e mendimeve, sidomos e mendimit cilësor dhe racional rreth shkaqeve, arsyeve dhe karakterit të konflikteve dhe luftërave si mjete ekstreme të zgjidhjes së tyre. Ai që nuk është normal është tifozmania dhe, veçanërisht, shfaqja e kënaqësisë që ky ose ai shtet, ky apo ai popull po ia bën mirë palës tjetër në konflikt, apo përdorimi i dy kritereve të ndryshme në gjykimin e veprimeve të njëjta të kryera nga palë të ndryshme.

Pasi konflikti Ukrainë-Rusi mori përmasa të mëdha, individë të ndryshëm, në panele emisionesh televizive dhe, më shumë, në komente në rrjetet sociale shfaqnin një gazmend banal dhe kriminal rreth mundësisë që Rusia të përdorë armët bërthamore apo që këtë gjë do të mund ta bënin aleatët perëndimorë të Ukrainës.

Pasoja më e vogël e këtyre konflikteve e luftërave kundrejt popujve e rajoneve jo pjesëmarrës në to ishte dhe mbetet rritja e çmimeve të lëndëve djegëse dhe e produkteve ushqimore. Ndërsa përdorimi i armëve bërthamore nga cilido qoftë do të sillte katastrofa mbarëbotërore me afate pafundësisht të gjata. Prandaj, ndërgjegjja qytetare nuk duhet të pajtohet as me luftërat dhe kurrë me përdorimin e mjeteve të shfarosjes masive.

Për çdo mendje normale dhe të arsyeshme, aksioni ushtarak i organizatës palestineze Hamas kundër Izraelit në datën 7 tetor mbetet një akt terrorist. Mbetet i tillë jo pse kryhet kundër Izraelit, por sepse, në një pjesë të madhe të tij, ky akt drejtohet drejtpërdrejt kundër popullsisë civile, marrjes peng të saj, duke përfshirë edhe fëmijë. Nga ana tjetër, gjykimi i drejtë i konfliktit aktual nuk mund të bëhet duke e analizuar atë si moment të rastësishëm, të shkëputur nga konteksti historiko-politik i shekullit të fundit.

Historia e popullit të Izraelit është unike në historinë e njerëzimit dhe krijimi i shtetit të Izraelit në vitin 1948 ka qenë një e drejtë historike. Popullsia izraelite i ka ofruar njerëzimit dy shembuj dhe mësime të vyera:

Së pari, aftësinë e veçantë të një populli i cili, pasi dëbohet nga vendbanimet e tij dhe shpërndahet thuajse në të gjithë botën, arrin jo vetëm të mos asimilohet, por të ruaj me fanatizëm e përkushtim gjuhën, kujtesën historike të prejardhjes dhe shumicën e vlerave kulturore të tij.

Së dyti, por duket e ndikuar fort nga e para, nuk besoj se ka një komb tjetër në botë që, ndër shekuj, të ketë nxjerrë aq figura të rëndësishme në shkencë, filozofi, arte dhe kulturë sa ky popull, krahasuar me numrin e pjesëtarëve të tij.

Populli hebre arriti të krijojë shtetin e tij menjëherë pas persekutimit më të madh që pësoi në histori nga ideologjia dhe praktika naziste e shekullit të njëzetët. Mirëpo, së bashku me kthimin në “vendlindje” dhe krijimin e shtetit, mendoj se bëri një gabim fatal i cili do të mund t’i kushtojë edhe për një kohë shumë të gjatë, atij dhe popujve të rajonit.

Ai solli me vete, me bindje, idenë se është “popull i zgjedhur” prej Zotit dhe se vetë Zoti ia ka premtuar kthimin e tokave të dikurshme. Vetë ideja iluzore e “popullit të zgjedhur”, e transmetuar ndër shekuj nëpërmjet librave të shenjtë të formuluar e shkruar nga njerëz jo të shenjtë, nuk është fort larg nga ideja naziste e “racës ariane” që na paskej qenë e paracaktuar të sundonte botën.

Zoti nuk mund të veçojë grupe individësh si “të zgjedhurit e tij” pasi, po të ishte kështu do të kishim të bënim me përdallime që nuk e pranojnë drejtësinë e barazinë për të gjithë njerëzit. Nga ana tjetër, Zoti nuk ka qenë dhe nuk është Drejtor i Zyrës Botërore të Pronave që jep certifikata pronësie të shoqëruara me hartat përkatëse. Historia ka dëshmuar se sjelljet, pretendimet dhe veprimet e bëra në emër të Zotit nga njerëzit e tokës kanë qenë përherë iluzione, gënjeshtra dhe burime padrejtësish.

Po e përsëris se është e vërtetë historike se fiset izraelite kanë banuar dikur në hapësirat ku ndodhet sot shteti i Izraelit por askush nuk e di me saktësi se cilët kanë qenë kufijtë e vërtetë të vendbanimeve të tyre. Dhe, nëse krijimi i shtetit të Izraelit ishte një e drejtë historike, edhe krijimi i shtetit palestinez është e drejtë e tillë, në mos më e madhe.

Fiset e dikurshme, të cilat përbëjnë sot popullsinë palestineze janë semite, ashtu si dhe fiset judeje, dhe kanë qenë aty me mijëra vjet. Edhe sikur të mos kishin qenë, të drejtën e banimit dhe shtetkrijimit e kanë fituar me të jetuarit aty. Siç dihet, në të drejtën e shumicës së vendeve të botës ekziston “instituti i parashkrimit fitues” i cili iu jep të drejtën njerëzve të bëhen pronarë të pasurive të paluajtshme pasi i kanë zotëruar (poseduar) apo përdorur ato qetësisht për një periudhë kohore prej disa dhjetëvjeçarësh. E çfarë mund të thuhet pastaj për 2 mijë vjet?!

E vërteta historike është se shteti i Izraelit, qysh nga krijimi i tij e deri sot, e ka zmadhuar jashtë mase territorin e vet nëpërmjet pushtimeve, zaptimeve e ngulimeve të reja, duke ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirat e palestinezëve. Ky ka qenë dhe mbetet shkaku kryesor i konfliktit ende të pazgjidhur midis palëve dhe, rrjedhimisht, i luftërave midis tyre. Vetëm për këtë konflikt ekzistojnë dhjetëra rezoluta të OKB-së, ndoshta më shumë se për asnjë tjetër, shumica e të cilave fajësojnë Izraelin për pushtimet e territoreve dhe vrasjet e civilëve dhe i kërkojnë të tërhiqet në kufijtë e caktuar fillimisht nga OKB.

Mirëpo, Izraeli as që ka dashur t’ia dijë rreth këtyre rezolutave dhe ka vazhduar në praktikë realizimin e synimeve për zgjerim territoresh. Rendi botëror është rregulluar të funksionojë sipas së Drejtës Ndërkombëtare dhe, rrjedhimisht, kush e shkel atë është fajtor për prishjen e këtij rendi dhe për konfliktet dhe luftërat që e pasojnë atë.

Konflikti në fjalë ka sjellë krijimin dhe veprimtarinë e disa organizatave palestineze të cilat, nga dëshpërimi dhe padrejtësitë, kanë kryer shpesh akte terroriste brenda dhe jashtë Izraelit, akte me të cilat nuk duhet të pajtohet ndërgjegjja e njerëzve të civilizuar. Por, po kështu, kjo ndërgjegje njerëzore nuk duhet të pajtohet as me aktet terroriste të kryera dhjetëra herë nga shteti i Izraelit kundër popullsisë civile palestineze, duke bombarduar qendra të banuara me popullsi civile.

Rasti më i fundit, ai i bombardimit të spitalit Al-Ahli ku u vranë qindra njerëz të pafajshëm është një krim kundër njerëzimit dhe krim lufte. Ne pamë se disa shtete e dënuan atë, ndërsa disa të tjera, sidomos vende perëndimore, ose heshtën ose folën për “veprim në mospërputhje me të Drejtën Ndërkombëtare” (Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel), a thua se bëhej fjalë për shkelje të ujërave territoriale.

Konflikti i gjatë dhe i pazgjidhur Izrael-Palestinë ka bërë që të dyja palët, dhe palë të treta si Irani, të kalojnë në ekstrem dhe gabime fatale. Njëra palë, Izraeli vazhdon me kokëfortësi dhe mospërfillje humane e juridike të zgjerojë me forcë territorin e vet, ndërsa kundërshtarët e tij betohen për “zhdukjen e shtetit të Izraelit”. Bota Perëndimore, si aktori kryesor në vendosjen dhe ruajtjen e rendit botëror, duket sikur asnjëherë s’e ka pasur seriozisht zgjidhjen e këtij konflikti.

Është e çuditshme dhe e pakuptueshme se si një popull i vuajtur e i persekutuar, si populli i Izraelit, ia lejon vetes dhe elitave të veta politike të bëhet persekutor dhe shkaktar i padrejtësive ndaj popujve të tjerë. Nga ana tjetër, gjithashtu është jashtë arsyes dhe intelektit njerëzor që elitat politike dhe intelektuale të Izraelit nuk e kanë kuptuar ende se nuk mund të vazhdohet më gjatë kështu, sado potenciale ekonomike e ushtarake të kesh, pasi për aq kohë sa të ekzistojë i pazgjidhur ky konflikt po aq kohë do të zgjasë pasiguria, ankthi dhe rreziqet për popullin e Izraelit.

Shtatëdhjetë vjet janë më se të mjaftueshëm për të nxjerrë konkluzione të drejta dhe për të punuar në drejtimin e duhur për zgjidhjen e konfliktit.

Në mediat dhe rrjetet sociale shqiptare lehtësisht dallon rreshtime emocionale dhe pasionante, si ato të tifozëve sportivë, me njërin apo tjetrin krah. Harron shqiptari mendjelehtë se kurrë nuk mund të jetë as ai vetë i sigurt sepse një ditë apo një çast mund të bëhet viktimë e akteve terroriste jashtë zonës së konfliktit, akte që ndërmerren nga njerëz të dëshpëruar dhe njerëz në hall.

Edhe pohimet e disa analistëve jo pa mend se ne duhet të rreshtohemi me palestinezët pasi shumica e shqiptarëve i përkasin fesë myslimanë janë të gabuara. Palestinezët nuk kanë të drejtë në këtë konflikt për shkak se janë në shumicë myslimanë, por sepse dikush tjetër iu ka zënë territoret, i ka shtypur, vrarë e plagosur në shtëpitë e tyre.

Po kështu, edhe një ish-Ministër i Brendshëm i Shqipërisë shtronte pyetjen: Me Izraelin apo me Hamasin? Rreshtimet e motivuara nga përkatësitë fetare, politike apo qoftë edhe etnike, pa marrë parasysh rrethanat historike dhe të Drejtën Ndërkombëtare, në shumicën e rasteve janë të gabuara dhe nuk shprehin personalitet. Njeriut me mend dhe me integritet moral nuk i lejohet të rreshtohet as pro fëmijës së vet kur ky i fundit e ka gabim apo kryen krime.

E, ndërsa ndërgjegjja njerëzore duhet të mos pajtohet me veprimet terroriste të Hamasit në Izrael, dhe as me ato të Izraelit në Palestinë, arsyeja duhet të bëjë thirrje, qoftë edhe “në shkretëtirë”, për zgjidhjen paqësore të konfliktit, zgjidhje e cila nënkupton tërheqjen e Izraelit në kufijtë e caktuar ndërkombëtarisht dhe pastaj shpërbërjen e organizatave palestineze anti-Izrael. Reagimet e disa fuqive të mëdha, të cilat nga njëra anë premtojnë ndihma humanitare për viktimat e Gazës dhe, nga ana tjetër dërgojnë kryqëzorë dhe luftanije në rajon “për vëzhgime dhe siguri”, që do të thotë lënie dorë të lirë dhe mbështetje Izraelit në kryerjen e akteve terroriste dhe zhvendosjen masive të palestinezëve nga vendbanimet e tyre, flasin për hipokrizi ekstreme dhe për tallje me të drejtën e popujve dhe me të Drejtën Ndërkombëtare.

—-

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

   

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu