Për të gjitha gratë me emrin “Roza”

0
Gjigandi

 

Nga Klara Dervishi

Është pak po të them se “Roza ime”  është sjellë si një nënë me djalin tim.

Prej vitesh për të siguruar bukën për bashkëshortin e saj pensionist dhe djalit adoleshent ajo merr rrugën  e gjatë pothuajse 24 orëshe me autobus drejt Zvicrës.

Si shumë shqiptarë ikën me 3-mujor, kursen pagesën që merr nga punonjëse stabël në një familje atje dhe kthehet të zëvendësoj mungesën e të mush shpirtin me lumturi kur tani para Tv është me djalin dhe bashkëshortin e saj.

RonaTyra

Çdo natë të atyre 3 muajve të larguar, sytë e “Rozës time” mbyllen në gjumë pas lodhjes së lotëve.

Ka mall. Si çdo nënë.

Më thotë shpesh në telefon që këtë herë do t´I japë fund odisesë së 3 muajve në shtëpi e 3 muaj në Zvicër dhe kjo edhe pse është shumë e kënaqur me familjen ku punon.

Familja ku ajo thotë “natën e mirë” dhe “mirëmëngjes” për tre muaj që i ngjajnë si tre vite, e respekton. Ata e trajtojnë si pjestare të shtëpisë. Darkave ajo thotë se ulen bashkë në dhomën e ndenies dhe tregojnë momente të bukura dhe bëjnë plane se çfarë do të gatuajnë për ditën tjetër.

Fundjavat i kalojnë bashkë dhe ajo duhet të ishte e lumtur, nëse do kishte pranë edhe dy „burrat“ e jetës së saj.

Nuk u habita kur më tregoi një episod sesi një ditë kishte gatuar duke përdorur mishin që e zonja e shtëpisë e kishte blerë për fileto. „Roza ime“ ku ta dintë këtë? Ajo si një grua e zonja edhe në gatime e preu me qetësi dhe i bëri familjes drekën që ata e quajtën më të shijshmen që kishin provuar, pa e ditur çmimin e mishit.

Por ata nuk i thanë asgjë “Rozës time” edhe kur e mësuan këtë, madje qeshën bashkë ndërsa „Roza punëtore“ tregonte me sinqeritet pa fshehur asgjë.

Me një djalë në rritje dhe që kërkon praninë e nënës, Roza mezi priste të përfundonin 3 muaj e të ndiente rrahjet e zemrës dhe të shihte emocionet e  djalit të saj i cili ndryshe nga çdo adoleshent më ka lënë pa fjalë kur kam dëgjuar se njëherë i kërkoi në telefon me lutje mamasë së tij që nëse kishte mundësi t´i sillte një palë atlete nga Zvicra. Dhe kjo dëshirë kishte ardhur si përgjigje e pyetjes që vetë Mami Rozë i kishte bërë se çfarë dëshironte që ajo ti sillte në përfundim të tremujorit të radhës.

Kur mami Rozë ishte përgjigjur se nuk ia blinte dot, ai kish heshtur pasi kishte thënë: Ok mami.

(Kush nga  adoleshentët e tjerë të rritur në Tiranë apo thjesht në Shqipëri do e kishte pranuar kaq lehtë një refuzim të tillë nga prindërit e tij!?)

„Roza ime“ t´i thotë familjes se nuk dëshiron të kthehet më në Zvicër. Me dhimbje e tha edhe këtë fjalë sepse ata i ishin bërë tashmë pjesë e jetës, e asaj gjysmës së jetës ku qëndronin bashkë e qeshura dhe e qara.

Dhe “Roza ime” këtë herë arriti të mbush javën e saj me punë duke gjetur çdo ditë nga një familje . E nis udhëtimin e saj çdo ditë herët në mëngjes. Nuk ka kohë të haj mëngjes me djalin por kafen e pi me bashkshortin në dimër pranë sobës me dru. S thotë ajo: më mirë pres poshtë shtëpisë ku do pastroj, sesa të mbetem në trafik.

Ngjarja e fundit ku përflitet që një pastruese shtëpie ka grabitur një shumë të konsiderueshme nga një familje ku punon më solli direkt në mendje Rozën time dhe jo vetëm prej koeçidencës që edhe „zonja e përfolur në lajme quhet Roza.

I shkruajta „Rozës time“ për ta pyetur se si ishin në familje dhe si shkonte me punët e saj. Dhe ajo pa hezituar u përgjigj se ngjarja e fundit i kishte prishur punë asaj dhe grave të tjera si ajo.

“Ka familje tha, ose më saktë njëra prej tyre, që më kërkoi të shkoj kur të jetë vetë e pranishme në shtëpi..

“Roza ime” ka përfunduar një shkollë të mesme dikur, një shkollë që si ka hyrë kurrë në punë. Askush në zyrën e punës nuk I kërkoi diplomimin sepse kurrë nuk ia dhanë këtë mundësi.

“Roza ime” nuk ka Parti dhe si thotë ajo: Po nuk pate Parti nuk ke as punë.

„Partia“ e saj e vetme është vetëm Zoti ku ajo lutet çdo natë edhe kur është në tokë të huaj.

Dhe “Rozit tim” diplomën e shkollës së mesme nuk ia ka kërkuar asnjë nga familjet ku ajo punon.

Ajo punon për të mbajtur familjen e saj prej tre anëtarësh, pasi pensioni i bashkëshortit është qesharak si pensioni i shumicës së shqiptarëve.

Por edhe pse punon për jetesë, “Rozën time” e kanë prekur në dinjitet kur i kanë thënë: hajde kur të jem unë në shtëpi.

Jo vetëm rruga e gjatë që ajo duhet të bëj deri në shtëpinë e zonjës por fakti që ajo nuk beson 100% të „Rozi im“ e ka çuar drejt një vendimarrje: Do ta lajmëroj për dorëheqjen tha e do shkoj derisa ajo të gjej një gruar tjetër për punët.

Po jo të gjitha „zonjat“ sillen kështu me “Rozën time”.

Ajo tregon e lumtur se si ka familje që e trajtojnë sikur ta kishin mikeshë prej vitesh dhe disa prej tyre i kujtojnë dashamirësinë e familjes ku ajo punonte çdo tre muaj.

Dhe kështu “Roza ime” merr rrugën çdo mëngjes me çantën e saj të thjeshtë ku shpesh ose gjithmonë gjen drekën e saj. Në atë çantë më tregon që shpesh ka marrë nga shtëpia e saj edhe mjete të vogla pune, pasi ka nga ato familje që shpërdorojnë shumë e nuk e dëgjojnë zërin e “Rozës time” kur thotë se për të pastruar xhamat mirë duhet kjo dhe ajo.

Ajo kthehet në shtëpi me çantën bosh por me gëzimin e një njeriu që ka bërë mirë gjithçka dhe tani mund t´i lumturohet orëve me familjen e saj.

“Roza ime” nuk njeh marka.

“Luis Vuiton” dhe “Gucci” ajo vetëm i ka dëgjuar që ekzistojnë dhe më shumë i ka dëgjuar këto ditë.

Këto ditë i kanë prishur gjumin “Rozës time”, jo vetëm lajmet por edhe ndonjë që i ka futur në një thes të gjitha gratë me emrin Roza.

“Roza ime” nuk e ka zgjedhur këtë emër, por ajo ka zgjedhur të punoj e jetoj me punë dhe pse jo me punë të vështirë.

Jo të gjithë dinë të thonë “faleminderit” e të vlerësojnë faktin që kur kthehen gjejnë çdo gjë në vendin e vetë e të pastër.

Ne harrojmë që “Rozat” e njohin më mirë shtëpinë tonë sesa ne.

Nuk e vlerësojmë që ato edhe kur u bëjnë shoqëri fëmijëve tanë i njohin shpesh ata më mirë sesa ne.

Ne që kemi dhe do kemi nevojë për “Rozën” harrojmë që ajo është nënë e një fëmije tjetër për të cilin ajo nuk gjen dot kaq shumë kohë sa me fëmijët tanë, apo se ka një bashkëshort te i cili kthehet e lodhur dhe tani edhe e fyer në dinjitet dhe e fyer jo nga Roza e lajmeve por nga “ne”.

Harrojmë që pavarësisht makutërisë së zyrtarëve për të grabitur çdo qindarkë tenderash, ka ende shumë njerëz që duan dhe kanë vendosur të jetojnë vetëm me punë. Me punën që kur t´i vijë mosha e pensionit nuk do marrin asgjë edhe pse na bëjnë sot një shërbim të madh.

Ne harrojmë se ka njerëz që edhe kur nuk kanë studiuar apo nëse kanë lexuar vetëm librat e shkollës që kanë bërë, ata e dinë që kur dikush tregon se nuk ka besim ti lërë çelësin e shtëpisë, iu merr gjumin gjithë “Rozave” dhe i fyen ato.

Madje jo vetëm i fyen por i çon drejt vendimit: më mirë një ditë pa punë sesa e trajtuar kështu.

Se “Roza ime” nuk ka kurrë ambicjen për çfarë kanë familjet ku ajo punon.

Ajo nëse do, mund shkoj sërish në Zvicër ku e presin krahëhapur çdo ditë.

Por ajo ka zgjedhur këtë herë: më mirë pak në tavolinë, por me familjen.

Se „Rozin tim“ e bën të lumtur fakti që gatuan fundjavave byrek e ndonjë tavë që do ti mbledh të tre në tavolinë.

Sepse këtu ajo kënaqet vetëm me faktin se është në gjendje ti blejë një palë atlete djalit të saj pasi i grisen ato që ka.

Ajo qan kur më tregon që djalit i tha përsëri “jo” për dëshirën e radhës.

Qan edhe kur ndonjë nga dëshirat e djalit të saj e kam plotësuar unë dhe me sytë e lagësht më thotë „faleminderit shumë“.

“Roza ime” dhe besoj edhe e jotja nëse e ke, është njeriu më i drejtë në Botë.

Mos guxoni ta lëndoni “Rozën time”.

(Sqarim: Shkrimi nuk merr përsipër as të analizojë situatën e grabitjes në banesën e Alda Klosit, ish-drejtoreshës së koncesioneve  dhe as të marr në mbrojtje gruan me emrin Roza)

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu