Bota e futbollit po mban frymën për Pele, ndërsa familja përpiqet të qetësojë tifozët. Lajmet e vogla ngushëlluese për kushtet e “O Rei” ndjekin njëri-tjetrin, mes buletineve të spitalit në Sao Paulo (ku 82-vjeçari është shtruar) dhe informacioneve të raportuara nga shtypi brazilian. “Edhe sa kohë mund të jetojë Pele?” Kjo është pyetja që bëjnë të gjithë.
Një pyetje për të cilën është e pamundur t’i japësh një përgjigje të qartë. Kur sëmundja nuk është më e shërueshme, koha e mbetur varet nga shumë faktorë të ndryshëm si: lloji i kancerit, sa i përhapur është, trajtimet e përdorura dhe përgjigja e marrë. Dhe të gjithë këtyre variablave duhet t’iu shtojmë gjendjen e përgjithshme shëndetësore të një personi individual dhe moshën e tij.
KOHA QË MBETET – Në rastin e kampionit brazilian, fiziku tashmë i rënduar nga operacione të ndryshme të ijeve, që e kanë penguar të ecë i sigurt për disa kohë, tashmë po përballet edhe me Covid-in (i cili ishte përgjegjës për shtrimin e fundit në spital, pak ditë më parë), ndërsa po ndjek trajtimin për kancerin e zorrës së trashë, që u zbulua dhe u operua në shtator 2021.
“Falë terapive të shumta që kemi sot në dispozicion (ka shumë ilaçe të reja efektive në fazën e avancuar), pacientët me kancer kolorektal metastatik (në fillim të vitit 2022, Pelé u diagnostikua me metastaza në zorrë, mushkëri dhe mëlçi) mund të jetojë me vite, – shpjegon Filippo Pietrantonio, ekspert në Onkologjinë Mjekësore Gastroenterologjike në Fondacionin IRCCS-Istituto Nazionale Tumori në Milano dhe anëtar i bordit të Shoqatës Italiane të Onkologjisë Mjekësore (Aiom). – Koha që mbetet (javë, muaj ose vite) varet nga grupi i variablave që përbëjnë pamjen klinike, e cila ndryshon nga personi në person”.
KUJDESI PALIATIV – Disa gazeta braziliane kanë folur për kujdesin paliativ, të cilit po i nënshtrohet Pele. Ja çfarë do të thotë kjo, sipas Filippo Pietrantonio: “Është termi i përdorur për atë grup trajtimesh që synojnë pacientët e pashërueshëm, për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre duke ulur nivelin e vuajtjes dhe dhimbjes. Terapia e simptomave duhet të përfaqësojë lajtmotivin e historisë së një pacienti me sëmundje metastatike.
Në fakt, vjen një kohë kur këmbëngulja për trajtime specifike për kancerin është e pakuptimtë dhe e dëmshme për cilësinë e jetës së pacientit dhe, në këtë situatë, ne duhet të mësojmë të shmangim trajtimet e kota. Në këtë fazë, në vend që të përpiqemi me çdo kusht të shtojmë më shumë ditë, do të duhej t’iu shtohej cilësia e jetës ditëve të mbetura”.
TRAJTIMET DHE PARANDALIMI – Nëse sëmundja zbulohet në një fazë të hershme, kanceri i zorrës së trashë mund të kurohet vetëm me operacion. “Kur tumori është i vogël, operacioni kryhet duke hequr vetëm pjesën e zorrëve të prekura nga tumori me limfën, nyjet e lidhura dhe duke u përpjekur t’iu kursejnë pacientëve kolostominë (d.m.th. qesen për mbledhjen e feçeve), – sqaron Paolo Pietro Bianchi, drejtor i Kirurgjisë së Përgjithshme Robotike në Spitalin San Paolo në Milano. – Nëse është e nevojshme mund të përdoret radioterapia, kimioterapia ose medikamente të reja të ndryshme para ose pas operacionit, për të reduktuar rrezikun e metastazave ose për të mbajtur nën kontroll sa më shumë një tumor në progresion.
Por ka edhe më shumë: 9 nga 10 raste mund të shmangeshin fare nëse njerëzit do të merrnin pjesë në depistim, i cili në Itali është falas, sepse kanceri kolorektal zhvillohet nga adenoma (ose polipe) që duan vite, mesatarisht rreth dhjetë vite, për t’u shndërruar në forma malinje. Me testin për kërkimin e gjakut okult në fece (Sof test), tumoret e zorrës së trashë mund të parandalohen në një masë shumë të madhe”.