Një tjetër lajm i keq për Kombëtaren shqiptare. Pas Armando Brojës, i cili dëmtoi ligamentin e gjurit në fillim të dhjetorit, edhe Keidi Bare ka pësuar një dëmtim të rëndë me ekipin e tij Espanyol.
Gjatë ndeshjes së Kupës së Spanjës, mesfushori shqiptar vuri këmbën keq në tokë dhe menjëherë kërkoi zëvendësim. Dëmtimi dukej serioz dhe vizitat mjekësore treguan se në fakt bëhet fjalë për dëmtim të rëndë.
Bare ka këputur ligamentin e kaviljes së djathtë, siç konfirmon vetë klubi spanjoll, dhe do t’i nënshtrohet operacionit.
Edhe pse Espanyol nuk jep datë rikthimi, është e sigurt që rekuperimi do të kërkojë disa muaj kohë. Kjo do të thotë që rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në sfidat kualifikuese për EURO 2024, ku Shqipëria do të ndeshet me Poloninë, më 27 mars të vitit 2023.