Artan Xh. DUKA – Prof.As.Dr.MSc.
Padrejtësi të “kopsitura” me ligj!
Padrejtësia vret më shumë kur bazohet në ligj dhe shkon më tej kur politika e kupton e vijon me karshillëkun e saj.
Lista e padrejtësive ligjore është e gjatë dhe çdo qeveri, përfshi edhe Rama 1-2-3, ka gisht në të. Prona, diskriminimi e braktisja e qytetarit, çmeritizimi i votës, pabarazia para ligjit etj, gërryejnë besimin tek ligji, sistemi, shoqëria, vetja duke nxitur indiferentizmin, klientelizmin deri braktisjen e vendit.
Mbi të gjitha, prona e vota janë nëpërkëmbur me ligj deri në pakthim! Boll maja e ajsbergut të abuzimit, bizneset, vilat, makinat, stilet e jetesës, shkollimet e pinjollëve, deklaratat vjetore të pasurive etj, e kuptohet pse!
Si t’ua kishte lënë plaku!
Më 7501, pronarët e tokave u zhveshën nga titulli i pronësisë. Shqiptarëve në Çamëri ua mori tokat greku, tek ne ua tjetërsoi shteti shqiptar! Toka nga tek i zoti shkoi tek më i “zoti” dhe qeveria jep tapira me tam-tame pavarësisht se ca nga të ardhurit kanë toka andej nga vijnë. Gjithshka me ligj!
Po me ligj, padrejtësia polli pabarazi. Ndryshe nga pronarët e tokës, pronarët e banesave ish-pronë private i morën ato. Ndryshe nga ata që zunë tokat e tjetrit e marrin tapi, banorët e banesave ish-pronë private nxirren (me mijra) jashtë ndonëse paguan qera një jetë si ata që privatizuan thuajse falas banesa në ‘90 (nëse me “fat” u ofrohet kredi!). Gjithshka me ligj!
E ndërsa pronari tokës nuk e mori atë, ndërsa banorët në banesat e ish-pronarëve dolën fishek, me qindra-mijra banorëve u ra “llotaria” e morën nga pasuria publike në vitet 90 prona e tapi apartamentesh, dyqanesh, magazinash, automjetesh etj. Gjithshka me ligj!
Kjo nëpërkëmbje e së drejtës mbi pronën ka cënuar kohezionin social, respektin e besimin ndaj ligjit (ata që besuan në ligj e shtet, humbën), merr peng zhvillimin ekonomik dhe krijon pasiguri për sigurinë juridike të pronës e paprekshmërinë e saj për sot e mot.
Qesja e shtetit e pabarazia pa teklif
Pronarët e tokave kanë mbi 30 vjet që presin kompensim real (natyrë apo monetar) mes një vandaku letrash e proçesi sfilitës burokratik. Thonë mund të shtyhet edhe 5 të tjerë! Koha nuk është me ta dhe jetët po ikin. Ndërkohë, ish-të persekuatuarve u jepen ethshëm kompensimet (familjet e dëshmorëve jo) ndonse u futën në një “thes” disidenti dhe i pafajshmi me ordinerin e kohës.
Sot jepen dëmshpërblime, grante e lehtësira financiare pa hesap. Për prona ilegale kur ka projekte në to, politikanë e qytetarë “VIP” për kurim jashtë shtetit (rasti më i fundit i braktisjes është 33 vjeçari i sëmurë në Maliq), kredi të favorshme strehimi mjekëve, policëve, ushtarakëve, administratës etj (pavarësisht nëse familjet e tyre privatizuan apartamente dikur) duke shpërfillur kategori të tëra që përballen me të njëjtin realitet, jepen banesa falas pas tërmetit, shtesa rrogash duke diferencuar mes sektorëve, rritje e hendek rrogash pa sens mase ndërkohë që harrohen pensionistët, asistenca sociale etj.
Ndërkohë që syresh u polli gjeli i plakës, për shumë të tjerë të braktisur nga sistemi, ora ka “mbetur” në vitet 90. Nga pronari i tokës që pret, banorët në shtëpitë e ish-pronarëve që u lënë pas fëmijëve jo pasuri si të tjerët por borxhe (kredi) etj. Gjithshka me ligj!
Kompensimet duhet të jenë të merituara, në kohë dhe pa krijuar pabarazi mes shtetasve. Legalizimi i tokës së zënë, pa një mekanizëm e fond kompensimi për pronarin e tokës, është padrejtësi ndaj tij dhe favorizim i uzurpimit e shkeljes së ligjit sërisht (boll në tufë se llogariten si votues). Edhe fondi i krijuar nga privatizimi i banesave në 90, duhej të ishte përdorur së pari për qytetarët në banesat e ish-pronarëve etj … por gjërat normale janë luks tek ne!
Padrejtësia ndaj brezit të tretë shkon shpesh edhe përtej pensionit shpërfillës. Vihen klauzola përjashtuese për kompensimin e energjisë (psh. t’a kenë shtëpinë të tyre) ndërkohë që plot nuk kanë, bile ca i la shteti pa to (ata në banesa ish-pronarësh), ndahen nga të dashurit e duhet mal me letra e pagesa (që të bëjnë të heqësh dorë) për të tërhequr pensionin e fundit të të ndjerit etj. Gjithshka me ligj!
Sa nga xhepi i qytetarit, tek vota e tij!
Sot me ligj politika e ka “tredhur” votën dhe qytetari praktikisht e ka të vështirë t’i diktojë kësaj klase politike apo largojë atë e hapur udhë politikës ndryshe.
Kjo kapje e vullnetit të votuesit e pengmarrja e shpresës për më mirë mbjell veç arrogancë e karshillëk tek klasa politike dhe kur ajo kalon “pikën e moskthimit” abuziv, ajo i konsideron pushtetin, postet e privilegjet të mirëqëna e domosdoshmëri jetike për të mbrojtur veten më tej.
Përtej bujës së reformës në drejtësi, sot klasa politike ndjehet sërisht e sigurtë në abuzimin e privilegjet e pamerituara të saj. Gjithshka “kopsitet” me ligj dhe nëse ndodh që bie nga “fiku” dikush, ose gjykohet si Nastradini “o unë, o gomari, o mbreti …” ose shoqi-shoqin nuk e lënë në baltë.
Degradimi e formaliteti i proçeseve zgjedhore, deri shndërrimi i referendumit në iluzion, e ka zhytur shoqërinë në një rreth vicioz “o Mete për vete” ku njësoj si mëlçitë në qafën e ujkut, edhe shpresa për më mirë mbetet tek po ata që e vrasin atë! Gjithshka me ligj!
Nëse nuk zgjidhet padrejtësia, duhet të zgjedhë vota!
Padrejtësitë ndodhin por edhe zgjidhjet janë aty. Boll vullneti politik për t’u përballur me to e shpërfillur hesapet zgjedhore të rradhës.
Pronarët e tokave nuk duhet të presin pafundësisht. Qytetarët që u futën në tokat duhet t’u ofrohet nga shteti psh. kredi bankare me kushte të favorshme për të mundësuar më pas kompesimin e pronarit. E drejtë, e shpejtë dhe dinjitoze për palët e vetë sigurinë e pronës për më tej.
Banorët në ish-pronat private duhet të trajtohen si të gjithë ata që përfituan banesë në vitet 90. Përmes granteve (privatizimet e 90 krijuan fond) nga shteti që i nxorri të pastrehë(!), po ai shtet që jep sot grante tërmeti (ndonëse syresh mund të kenë privatizuar banesë në 90). Kredia bankare për ta është pabarazi e padrejtësi.
Nuk duhet të ndodhë që me ligj dikush përfiton dhe dikush privohet pafund. Dikush privatizon hyrje në 90, dyqanin ku punonte (vlen miliona), tokën që zuri … dikush tjetër nuk merr tokën e prindit, nuk kompensohet sa e si duhet, nuk privatizon banesë sepse del ish-pronari e nëse me fat i jepet kredi, nuk përfiton nga pasuria publike (përveç letrave me “vlerë”), nuk merr kompensim elektriku sepse shteti e la pa shtëpi, nuk merr pensionin e fundit të shoqit të ndarë nga jeta sepse vandaku i letrave e shpenzimet bëhen barrë etj… nuk është rast hipotetik por fakt që haset tek shumëkush në shoqëri.
Në një shtet demokratik padrejtësia nuk shkruhet nga lart dhe askush, sado “poshtë”, nuk humb besimin tek shanset e barabarta. Kur padrejtësia bëhet me ligj, politika nuk është më për qytetarin e ai nuk e meriton atë. Ajo bëhet sinonim i padrejtësisë dhe as kallaji “demon-kratik” apo “social-ishte” nuk hyn më në punë.
Zgjidhja është përtej dyshes PS e PD. Me aq sa lejon sistemi aktual zgjedhor apo ndryshe me një përpjekje serioze për referendum për t’a ndryshuar atë. Vetëm përmes votës së lirë rikthehet edhe besimi se padrejtësia nuk është një mallkim i shkruar nga “lart”.
p.c. / ABC24.AL