Njësia 5, Veliaj: Kampusi sportiv te Aquapark, stadiumi i ri Dinamo dhe rikthimi i Kinema Agimit, prioritetet e vitit 2023

0
Gjigandi

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Njësisë 5 për buxhetin e vitit të ardhshëm, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj numëroi disa prej projekteve më të mëdha të planifikuara si në infrastrukturë, arsim, sport dhe kulturë.
Veliaj vecoi Parkun e Liqenit të Farkës, si një prej investimeve kryesore, që i jep më shumë frymë dhe Liqenit Artificial, rikonstruksionin e Stadiumit “Selman Stermasi”, “Aquaparkun”, Kinema Agimin, si dhe plot ndërhyrje në infrastruturën rrugore dhe disa shkolla të reja që pritet të ndërtohen akoma e që i përkasin njësisë 5.
Veliaj kujtoi si ishte më parë zona përreth Arenës Kombëtare dhe si është transformur sot: “Ju kujtohet Arena Kombëtare. Nga njëri cep nga ana e KQZ-së ishte gomisteri, nga ana e Sheratonit ju kujtohet ai lavazhi aty që shkonte shkuma përpjetë tamam si shkuma party. Sot arena kombëtare ka sjellë biznes, ka sjellë ekonomi, janë punësuar njerëz, është rritur vlera e pronës. Të njëjtën gjë duam ta bëjmë me stadiumin “Dinamo” për Njësinë 5 dhe për tu siguruar që gjithë Tirana e Re merr një vlerë të jashtëzakonshme”.
Një kampus sportiv tha ai do të ngrihet në zonën e pishinave publike tashmë të Tiranës. “Ne do të vazhdojmë transformimin me Aquaparkun, me parkun e pishinave. Nisëm pishinat dhe tani do mbarojmë me pjesën e futbollit. Duam të shtojmë edhe fusha tenisi dhe basketbolli dhe volejbolli. Do ta kthejmë në një kampus të vërtetë. Kemi pjesën e lojërave në ambiente të mbyllura. Ne atje duam që të jetë për ekipet sportive por kryesisht një kampus sportiv për çunat dhe gocat e mrekullueshëm të Njësisë 5”.
Një krahasim si ishte – si është sot, Veliaj e bëri edhe për zonën e Liqenit, ku tha se të paktën 98 ndërtime pa leje nuk ekzistojnë më në parkun më të madh të Tiranës: “E mbani mend si ishte Liqeni. Tirana e vjetër në vitin 2015 mbaronte te diga. Nga diga deri te Uillsoni 98 ndërtime pa leje. Ju kujtohet që ishte landifill për plastikë, për susta, për bojlerë, për lavatriçe, për frigoriferë. Në mes të Tiranës një fabrikë e madhe riciklimi. Sot është transformuar totalisht. Janë shtuar pistat e biçikletave. Është bërë amfiteatri. Kemi kapur 965 pemë të mbjella. Duam ta mbyllim vitin me një shifër për Guiness, 1 milion pemë në Tiranë,” tha ai duke shtuar se i njëjti investim po bëhet edhe në Farkë. “Ne duam që parku i Farkës të jetë investimi më i madh për vitin 2023,” shtoi Veliaj.
Kinema Agimi do ti rikthehet kryeqytetasve dhe Njësisë 5: “Një nga gjërat që kemi buxhetuar për vitin tjetër duke qenë se shumë asete që i ishin dhënë privatëve, po ia kthejmë Bashkisë në një lëvizje të paprecedentë këto vitet e fundit, është edhe kinema Agimi. Më në fund “Kinema Agimi” është kthyer në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Është kinemaja klasike e Tiranës dhe agjencia jonë kreative edhe e industrive digjitale. Shumë shpejt do ta hapim për publikun. Për njësinë 5, sidomos për pjesën e vjetër të Pallateve Agimi do të jetë një kthim në nostalgjinë e kohërave që kemi kaluar në Tiranë në ato vite dhe do jetë edhe një mundësi fantastike për çunat dhe gocat që merren me film, me teatër, kinematografi dhe të gjithë artet digjitale”, u shpreh Veliaj.
Për infrastrukturën, Veliaj vecoi sistemimin e gjithë zonës së njohur si Triangolo: “Sigurisht ajo ka qenë një problematikë shumë e madhe. Jemi në prag të zgjidhjes së ngërçit të fundit dhe më në fund gjithë njësia, sidomos pjesa e juridikut shfryn te garda, del tek sheshi “Nënë Tereza” dhe pastaj lidhet me rrugët më të mëdha të Tiranës,” shpjegoi ai.
“Ne duam që këtë Pranverë të hapim Piramidën e Tiranës, pra një pjesë e buxhetit do të shkojë edhe për të bërë përfundimet e punëve tek Piramida. Piramida do të jetë shkolla më e madhe në Ballkan për teknologjinë e informacionit.
Sa i përket shkollave të tjera që i shtohen paketës së shkollave të reja Veliaj përmendi “26 Nëntorin”, rikonstruksionin e shkollës “Emin Duraku”, “Dëshmorët e lirisë”, etj.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu