Piro Vito*
Një vit më parë, në mesin e dhjetorit 2021, u nda nga jeta, u shua njëri prej yjeve më të shndritshme dhe më të spikatur të kulturës shqiptare, një poet brilant, biri i Labovës së Gjirokastrës dhe i gjithë Shqipërisë, Arben Duka.
Meriton të theksohet se gjatë kësaj periudhe një vjeçare, e përditshmja DITA ku ai së bashku me kolegët e tij u kanë dhuruar lexuesve një kënaqësi të veçantë, në faqen 6 të saj, ka botuar pa asnjë ndërprerje një pjesë të poezive të shkruara ndër vite nga ai ose që ruhen në arkivin e tij. Ky qëndrim i kësaj gazete serioze është tepër domethënës. Lexuesve të saj duke shikuar fotografinë e Arbenit në krye të faqes u duket sikur ai u thotë se shpirtërisht kam qenë dhe do jem me juve, miqtë e mi të shumtë anekënd Shqipërisë.
***
Vepra më e madhe poetike në botë është ajo që i përket qytetërimit Indian. Ajo quhet Mahabarata dhe ka 214.775 vargje. Pas saj vinë Iliada dhe Odisea të lashtësisë greke dhe vijojnë vepra te poetëve të njohur romakë, francezë, rusë, gjermanë, anglezë, latino amerikanë etj.
Edhe Shqipëria jonë e vogël, e sakatuar nga kundërshtarët e armiqtë e saj historikë të mbështetur nga fuqitë evropiane, dhe me një barrë përsipër nuk mbetet prapa. Përkundrazi, ajo me talentet që nxori nga gjiri i vet, i kaloi parashikimet. E zhytur në mjerim në kohët më të trazuara, kur ekzistenca e kombit u vu në pikëpytje, nuk e lëshoi veten të mbytej nga trishtimi. Përballoi me kurajo tallazet e kohës dhe mbijetoi. Me qenien e vet vitale dhe virulente, populli ynë nxori nga gjiri vet talente të fuqishme me forcë të jashtëzakonshme shprehëse.
Njëri nga ata është padiskutim Arben Duka. Një nga miqtë e mi u përpoq të afirmohej në fushën e letrave dhe shkroi mjaft poezi erotike. Me gjithë përkrahjen e dashamirësve dhe miqve të tij, ai nuk arriti atje ku pretendonte. Ndonëse ka vite që ka vdekur, disa nga poezitë e tij u rezistuan kohës. Po përmend 2 vargje që më kanë ngelur në mendje. Andon Zako, fli i qetë, se vëndin ta zura vetë.Në fakt nivelit të A. Z. Çajupit i cili me krijimtarinë e tij u bë i njohur në të gjitha trojet shqiptare së bashku me rilindasit e tjerë për rolin që luajtën në ngritjen e frymës patriotike të popullit për heqjen qafe të sundimit shumë shekullor të perandorisë osmane si dhe për rrënjosjen e gjuhës amtare si element bazë i kombit dhe kritikat ndaj frymës përçarëse të pseudopatriotëve që bënin lojën e armiqve tanë historikë.
I përmenda sa më sipër jo më kot, por qëllimisht për të shtruar pyetjen: Çfarë mund të thuhet tashmë për poetin e talentuar Arben Duka i cili me krijimtarinë e tij të jashtëzakonshme, me artin e vet e ngriti më lart nivelin dhe prestigjin e vendit dhe të kombit tonë?
Për të bërë këtë, me aq sa të mundemi, dhe sa më lejohet brenda caqeve të këtij shkrimi, do të jetë më e përshtatshme t’i referohem konkretisht veprës së tij, duke zgjedhur midis mijëra poezive apo vargjeve, një pjesë shumë të vogël, sidomos ato ku ai përmes një gjuhe të pastër, artikuloi ndjesitë e veta për disa nga problemet që preokupojnë shoqërinë tonë. Arbeni ndoqi me vëmendje evoluimin e gjendjes social ekonomike, ku binin në sy politizimi ekstrem i shoqërisë, ku çdo shtëpi është një parti. Vetëm një strofë e poezisë “Shqipëri moj ç’fat që pate”, mjafton për të pasqyruar gjendjen reale të vendit:
Shqipëri moj ç’fat që pate,
Çdo pëllëmbë e kafene,
Ju del tymi i hashashit,
Ku këndon gryka e kallashit…
Në krijimtarinë e vet, ai ishte konciz. Fjalët që dilnin nga shpirti i tij i shqetësuar, fillimisht i bluante me mokërr dhe që ato të zinin vend, i kalonte në sitë. Ai nuk u kufizua vetëm në konstatime, por u ndal edhe në disa nga shkaqet e kësaj gjendjeje. I brengosur nga fakti që vendi ynë prej shekujsh qëndroi mbrapa mjaft vendeve të tjerë të botës, ai goditi fenomenet që bien më tepër në sy, mungesën e durimit, të vetëpërmbajtjes dhe mirëkuptimit, i cili pasohet nga grindjet e vazhdueshme me njëri-tjetrin. Dhe kjo ndodh se të gjithë e mbajnë veten më të mençurit e botës.
Vargjet e kësaj poezie të Arben Dukës besoj se s’kanë nevojë për koment:
Për gjithë brezat pa pushuar,
Si për bijë dhe për etrit,
Çorba jonë e preferuar,
T’i hamë kokën njëri tjetrit.
Të shkruash për jetën dhe veprën e poetit Arben Duka nuk është një punë e lehtë. Përkundrazi, është një obligim dhe barrë tepër e vështirë sepse ka të bëjë me një figurë komplekse që ishte dhe do të ngelet njëri nga personalitetet madhore të artit dhe kulturës së Shqipërisë. Në baladën “Dimëroj si Zogu i Detit”, ai ndër të tjera shkroi se pas një shekulli do të kuptohet nëse lamë ndonjë gjurmë në këtë botë të flamosur.
Ndonëse nuk ka kaluar një vit, nga data e ndarjes nga jeta, unë i lejoj të drejtën vetes të shprehem se kjo periudhë ishte e mjaftueshme për të kuptuar se sa ndjehet mungesa e tij, zbrazësia që ai krijoji në atë fushë ku ai e thoshte fjalën dhe i shprehte mendimet me kompetencë. Për këtë arsye ai dëgjohej me vëmendje dhe vlerësohej nga shokët e stafit të gazetës Dita dhe mijëra lexues të saj.
Me aftësinë e veçantë vëzhguese dhe forcën e pashtershme krijuese, Arbeni i dha popullit një vepër madhore jo vetëm nga volumi, por edhe nga finesa artistike, nga mjetet stilistike të përdorura si metaforat, krahasimet, similitudat etj. Logjika e shëndoshë dhe argumentet bindëse, e bënë atë një nga poetët që meritojë plotësisht respektin dhe admirimin e popullit nga gjiri i të cilit doli. Ai deklaroi se nuk mund të ishte i pëlqyer dhe i pranueshëm nga të gjithë. Mangësitë apo nxitimi që u vu re në disa poezi të tij e kishin burimin në revoltën e tij të brendshme për të nxjerrë në pah dufin ndaj fenomeneve negative që po e gërryenin shoqërinë shqiptare ose atyre që e sulmuan të parët ose e ofenduan pa ndonjë arsye ose shkak.
Nëpërmes poezive të tij, ai tregoi se nuk e humbi nordin, orientimin në jetën e vet të mundimshme, nuk ra në pesimizëm, nuk e mbyti dëshpërimi. Ishte ky një nga mesazhet që u drejtoi njerëzve, se edhe në rastin më të keq, të mos e humbin shpresën, të mos vënë kujen, sepse fuqia e besimit ngre të vdekurin nga varri. Ndaj ta mbajnë shpresën gjallë sepse buka e përditshme është më e madhja pasuri.
Arben Duka vuri në dukje se mbi të gjitha në jetën e tij deshi të vërtetën dhe asnjëherë nuk pranoi të bëhej furkë për mbartësit e të keqes, vazhdimisht u tha shqiptarëve se: Atdheu është yni dhe nuk është i kusarëve dhe kërkoi të mos e ulnin kokën, as përpara zotit.
Ai nuk bën poezi për të shkuar radhën apo për të mbushur gazetat, por për të qenë i dobishëm sepse askush në jetë nuk mund të jetë i përkryer, prandaj vuri në shënjestër të penës burracakët dhe egoistët që e shitnin atë cerqë dinjiteti për pesë kacidhe. Nëpërmjet humorit dhe satirës vuri në lojë ata individë që nuk ishin në gjendje të bënin një punë të saktë dhe iu qepën politikës të cilën e shohin si të vetmin zanat ku mund të pasurohen dhe mund të nxjerrin shumë përfitime. Këtë fenomen, ai e trajtoi mjeshtërisht në poezinë “Ninull”, në të cilën, përmes vargjeve të goditura i këndon fëmijës në qytet.
Rritu bir i nënës,/ mezi të pret vendi, /o politikan ore qen bir qeni!
Duke gjykuar se midis krahëve të politikës nuk ka diferenca, nuk ka dallime thelbësore, ajo vijon:
Nuk ka rëndësi, /i kuq apo blu, /se bën prokopi /dhe po të jesh hu!
Dhe në përfundim të ninullës, nëna nuk harron ta porosisë evlatin se si duhet të sillet kur të ngjisi shkallët e politikës:
Të grijë në havan/ ata që ka nën vete(vartësit)/ ndërsa atyre që ka sipër /(eprorëve) t’u lëpijë prapanicën!
***
Gjatë viteve të sistemi njëpartiak, Arben Duka shkroi një mal me poezi të cilat u botuan në gazetat e kohës. Por për hatër të vërtetës dhe për respekt të tij duhet thënë se ai nuk ishte konformist, kishe mjaft rezerva për gjërat që nuk i pëlqenin, nuk i aprovonte sepse nuk zbatoheshin konform orientimeve apo bëheshin devijime në bazë. Përveç këtyre, ai si individ manifestonte disa qëndrime liberale që binin në sy në publik ose në sektorin ku punonte. Ndofta, këto ishin disa nga arsyet që në fillim të proceseve demokratike, sidomos fill pas krijimit të partisë së parë opozitare, shkuan tek ai përfaqësues të Partisë Demokratike dhe i kërkuan të rreshtohej në radhët e saj. Arbeni pasi i dëgjoi me vëmendje të dërguarit dhe u njoh me programin e partisë së sapokrijuar, ua preu shkurt duke refuzuar ftesën që iu bë për t’u anëtarësuar në atë parti. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Ai s’kishte si të pranonte dhe si të mendonte që një parti e cila kërkonte të vinte në pushtet nëpërmjet shkatërrimeve të veprave që u ndërtuan nga populli në 4 dekada. Kjo nuk përputhej me konceptet e tij dhe gjithashtu nuk kishte ndodhur asgjëkundi. Prandaj u tha se kjo rrugë e çon vendin në kaos dhe në anarki dhe u nda përfundimisht me ta, qëndroi deri në fund të jetës i palëkundur në idetë e tij. Ardhja e opozitës në pushtet dhe praktikat që ndoqi ajo vërtetuan më së miri drejtësinë e zgjedhjes që bëri dhe pozicionit që mbajti në jetë Arben Duka, çka u pasqyrua qartë edhe në veprimtarinë e tij të ngjeshur artistike.
Poeti Arben Duka u shpreh në mënyrë të qartë dhe të prerë se në çdo qelizë të tij e ndjente veten njeri të thjeshtë, se ishte popull dhe nuk priste ta donin të gjithë, për ndryshe do të ishte i humbur, do të ishte një hiç. Me vendosmëri dhe këmbëngulje, ai deklaroi se ishte i papranueshëm për racën injorante dhe hipokritët, prandaj jo vetëm nuk u pajtua po iu kundërvu pa hezitim qëndrimeve antihumane, çnjerëzore të manifestuar nga hajdutët, kusarët, intrigantët, maskarenjtë me maskë. Atij i dhimbsej Shqipëria, prandaj e urrente pa masë fallcitetin kudo që e vinte re në shoqërinë tonë duke filluar nga patenta e shoferit deri tek gradat e pamerituara shkencore. Në veçanti ai e urrente dhe e stigmatizoi fallcitetin në kullën e ndritur të pushtetit kur shikonte se drejtues apo funksionarë të hallkave të shtetit vepronin në kundërshtim me interesat themelore të popullit dhe të vendit.
Me penën e tij të fuqishme, me sarkazmën therëse apo me humorin e hollë, ai thuri vargje që ishin një shuplakë e fortë në fytyrën e atyre që spekuluan me demokracinë, që vepruan në kundërshtim dhe në shkelje të ligjeve për t’u plotësuar egon dhe oreksin e tyre të shfrenuar për t’u pasuruar në rrugë të pandershme, pa derdhur djersë, duke bërë rrush e kumbulla pasurinë e popullit, duke shkatërruar dhe grabitur atë që u ndërtua me mundin dhe sakrificat e brezave të tërë. Se kishte një karakter dhe një logjikë të tillë, ai qëndroi i paepur dhe i vendosur në luftë me të keqen. Se kishte një shpirt të gjerë dhe të pastër si kristali, me po aq vendosmëri qëndroi derisa mori frymë, në krahun e të mirës e të vërtetës. Ai vlerësoi maksimalisht dhe e admiroi poetin e njohur Ali Asllani të cilin e çmoi si të madhin e të mëdhenjve që iu bë mellani flori, në kohën e maskarenjve dhe u frymëzua nga idealizmi dhe krijimtaria e tij. Duke iu referuar Hakërrimës së Ali Asllanit, Arbeni shkroi se i buçisnin veshët si trompetë për shkak se pasuesit e “Sulltan Lalepit, që i ngritën shtatoren në Tiranë nuk kanë vdekur, janë të njëjtët në çdo epokë dhe njëlloj si gjarpërinjtë, e kafshojnë të zezën nënë.”
Nga halli ose nga malli për të bërë vizita mjekësore ose për t’u çmallur me të afërmit, Arbeni ishte i detyruar të shkonte jashtë Shqipërisë. Por shpirti i tij nuk gjente rehat asgjëkundi, veç vendit të tij. Donte të kthehej sa më parë në atdhe, sepse aty yjet ndrinin ndryshe dhe ndryshe ndriçon hëna, sepse veç aty kuptohet ç’është dashuria për një prag shtëpie, për një rrap të lashtë, për një degë hardhie. Ai çmallej jo vetëm kur e shkelte me këmbë vendlindjen që e adhuronte, kur takohej me njerëzit e saj të mirë e të dashur që nuk i harroi asnjëherë. Për atë atdheu qëndronte mbi gjithçka dhe dëshira e tij me sublime ishte të prehej në atdhe. Këtë dëshirë ai e shprehu vite më parë nëpërmjet vargjeve:
Atje ku më lindi nëna
Ku piva gjirin e thatë
Atje të më vdesi zemra
Atje do të ngjallem prapë.
Këtë ide e përforcoi dhe e saktësoi më mirë kur, me të drejtë, ai e identifikoi vendlindjen me atdheun në një poezi tjetër kur ndër të tjera tha:
Vetëm në atdhe e ndjen veten mbret
Si shqiponja e malit në folenë e vet.
Arbeni ishte njohës i thellë, enciklopedi e folklorit të popullit. Binte në sy preferenca e tij për këngën labe dhe kjo shpjegohet me faktin se vendlindja e tij, Labova, si zgjatim i Lunxhërisë, ndodhet midis Labërisë dhe Zagories që janë të njohura për traditat e pasura me këtë këngë. Ai që fëmijë u rrit dhe u edukua me këto tradita. Por nuk ishte indiferent për zakonet,traditat, këngët e krahinave të tjera shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, i respektonte dhe i dëgjonte me ëndje. Me pasion dhe këmbëngulje ai punoi pa u lodhur dhe u arsimua një intelektual me njohuri dhe horizont të gjerë. Librat ishin shokët e tij të pandarë dhe gjumi e zinte në orët e vona me të nën jastëk.
Është tepër e vështirë të gjesh qytet, fshat, krahinë, figura të shquara të popullit që nga Gjergj Kastrioti, Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Nënë Tereza e gjer tek Adem Jashari etj, që u shquan për mençurinë dhe trimërinë e tyre dhe u sakrifikuan për interesat e larta të kombit , të cilët Arbeni i shkalit në poezitë e tij të bukura, u thuri këngë që këndohen kudo në çdo cep të Shqipërisë dhe kudo që jetojmë nëpër botë. Duke pasur njohuri të gjera në fushën e muzikës ai krijoi lidhje të gjera dhe bashkëpunoi me kompozitorët, instrumentistët dhe këngëtarët, kërkonte mendime dhe gjithashtu, me modesti u bënte sugjerime ose i këshillonte me synim që të bëhej kombinimi më i përshtatshëm i teksteve të goditura, prej tij me muzikën popullore dhe atë të lehtë. Është e njohur miqësia e tij e sinqertë me Dritëro Agollin, Vaçe Zelën dhe shumë të tjerë.
Periudha të jetës së tij, Arben Duka i kaloi në Gjirokastër ku u njoh me traditat e pasura, zakonet dhe mentalitetin e banorëve të mençur, punëtorë dhe të pastër të tij, u njoh me cilësitë dhe vlerat e përbashkëta dhe ato që e dallonin me vendlindjen e tij, Labovën dhe ruajti për njerëzit bujarë, miqësorë dhe inteligjentë të Gjirokastrës respekt e mirënjohje të veçantë. Ai i kushtoi atij qyteti mjaft nga poezitë e tij të bukura. Vargjet e shkruara apo të stilizuara prej tij me pasion, bijtë dhe bijat e Gjirokastrës i përjetësuan me zërin e tyre melodioz me këngë të mrekullueshme që dëgjohen me ëndje dhe këndohen edhe në ditët e sotme.
Admirimin dhe nostalgjinë për qytetin e gurtë ai e shprehu në disa poezi përmes të cilave e quajti Gjirokastrën shqiponjë e gdhendur në gur ku edhe guri flet me zërin e zemrës, me gjuhën e xhanit, ndaj e cilësoj atë “kurorë e vatanit”, pika e florinjtë në Malin e Gjerë etj.
***
Vlerësimin që shkrimtarët tanë më të talentuar e përshkruan me detaje, në libra apo faqe gazetash, Arben Duka, e shprehu me pak fjalë që i dolën nga shpirti, e lartësoi atë me temat më të goditura dhe figurat e bukura artistike:
Gjirokastra ime,/ fjalët mjaltë e zemrës,/ ku edhe guri flet me zërin e zemrës…
Vlerësimin maksimal për Gjirokastrën, e cila për bukurinë dhe vlerat arkitekturore është pranuar nga UNESCO-ja, pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, poeti Arben Duka e bëri nëpërmjet vargjeve “Nuk ka Shqipëria/ as bota e tërë, /po the Gjirokastra, /i ke thënë të tëra”; që i këndoi me pasion bilbili gjirokastrit Petrit Lulo.
Sipas mendimit tim, konsideratat për qytetin e Gjirokastrës, poeti Arben Duka e lidh me një fakt tjetër, me arsyetimin se ai qytet është vendlindja e njërit prej personaliteteve më të njohura që ka nxjerrë kombi ynë, ndaj të cilit janë mbajtur qëndrime të diferencuara deri në kontradiktare. Arbeni u pozicionua hapur në krah të tij. Më poshtë në vijim të këtij shkrimi, po paraqes me sa të mundem, në mënyrë të përmbledhur pikëpamjet e tij për veprimtarinë e Enver Hoxhës, si një ndër themeluesit e PKSh dhe rolin e tij në ndërtimin e Shqipërisë.
-Më 1944 në Shqipëri, mbretëronte errësira dhe kaosi dhe brenda pak kohe, nga niveli zero që u nisëm, ndryshoi rrënjësisht gjendja, u bënë mrekullira. Duke iu referuar konkretisht fakteve, poeti përmend disa pre tyre të cilat po i paraqes shkurt:
Popullsia ishte analfabete, shumica dërmuse e saj nuk dinte të shkruante dhe lexonte, sundonte padija dhe në të gjitha anët e vendit u ngritën shkolla, institute dhe universitete. Njerëzit hapën sytë dhe veshët, nuk besonin se ç’po ndodhte.
Kënetat u thanë të gjitha dhe jeta u përmirësua në mënyrë të ndjeshme. Krahas bonifikimit, gjithandej u hapën kanale kulluese dhe vaditëse, u ndërtuan hidrovore. Këto mundësuan që bujqësia të zhvillohej pa prerë dhe në kushtet ekstreme atmosferike me reshje të dendura, nuk ndodhën përmbytje që të shkaktonin dëme të jashtëzakonshme, siç ka ndodhur disa herë gjatë tri dekadave të fundit, pas ndryshimit të sistemeve.
Përpara Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri kishte vetëm dy centrale elektrike. Pas saj, me një punë këmbëngulëse dhe sakrifica të mëdha, u bashkuan malet, u ngritën hidrocentrale që bënë të mundur elektrifikimin e gjithë vendit.
Në veri dhe në jug të Shqipërisë, u hapën miniera për nxjerrjen e mineraleve dhe pranë tyre u ngritën qytete të tëra me pallate, shkolla, spitale, fabrika dhe uzina. Këto arritje spektakolare u shoqëruan me një sërë masash për mbrojtjen e vendit nga sulmet eventuale të jashtme, ndërsa brenda kufijve shtetërorë u vendos qetësia dhe siguria absolute për të gjithë. Për të mos vazhduar më tej me historinë e viteve kur në krye të vendit ishte Enver Hoxha të përshkrua në poezitë e shumta të Arben Dukës dhe të perifrazuara me afërsi nga ana ime, është mirë që të evidentohet fakti që afërsisht 6 vite më vonë, gjithçka që ishte ndërtuar, u shkatërrua, u rrafshua sikur të mos kishte ekzistuar kurrë, nën justifikimin absurd të luftës kundër komunizmit.
Në ato rrethana i tronditur nga ç’ka ndodhi, poeti atdhetar, që më parë ishte habitur nga ato që pa dhe dëgjoi në fëmijërinë e vet, u pikëllua jashtë mase për batërdinë që pa, kuptoi se ajo bëhej që të shuhej nga historia emri i Enver Hoxhës. I revoltuar nga veprimet e pakontrolluara të skotës së çakërdisur ai shkroi vargjet: Lule Enver Hoxha, /që të kishim hekur, /o mos kishe lindur,/ o mos kishe vdekur! Dhe në vijim të asaj poezie theksoje: se për Enver Hoxhën shkrova pas kësaj plot, por strofë më të bukur se kjo s’bëra dot, se “kur qe gjallë (Enveri p.v) nuk isha enverist i thekur, vlerat ia kuptova mbasi kishte vdekur”
Ndërsa me një poezi tjetër poeti shkruan që në titullin e saj, se këto zabrahanë i mund edhe i vdekur!
***
Arben Duka, me meritë u bë poeti më i dashur nga shumica dërrmuese e popullit dhe i anatemuar nga pinjollët e kriminelëve dhe kolaboracionistëve që sipas rastit u mënjanuan, u diferencuan apo u denigruan nga shteti monist. Disa prej tyre që u kundërvunë apo shkelën me ndërgjegje ligjet e kohës u persekutuan dhe vuajtën në burgjet e diktaturës.
Ashtu si gazetari i njohur çek Julius Fuçik, bëri thirrje për vigjilencë, Arbeni rastësisht në krijimtarinë e vet u referua personazhit të mitologjisë së lashtësisë, Laokoontit i cili ngriti zërin dhe kundërshtoi qëndrimin e trojanëve që pranuan me mendjelehtësi kalin e drunjtë të grekëve si dhuratë. Për këtë qëndrim, hyjnitë progreke e helmuan me anë të gjarpërinjve. Vrasja e tij është interpretuar si vrasje politike sepse pranimi i kalit në qytet ishte një gabim me pasoja fatale. Ai u bë shkak që beteja e Trojës përfundoi me disfatë, sepse gjatë saj u godit në pikën më delikate, në thembër të këmbës, udhëheqësi i trojanve, Akili. Qyteti i Trojës ra në duar të kundërshtarëve dhe u shkatërrua.
Këtë analogji që është përdorur deri në kohën e sotme, Arbeni e përdori që të shërbejë jo si shembull për të shuar kuriozitetin, por si apel për vëmendje dhe kujdes të përhershëm nga shtetarët dhe populli.
Jo rastësisht poeti e stigmatizoi berishizmin dhe e quajti kryezullumqar, mallkim biblik të Shqipërisë, sinonim të gogolit, sa edhe nëna në djep i thotë bebes: Hesht se po vjen ai. Para se të largohej nga jeta, Arbeni shkroi vargjet: Doli ujku nëpër sheshe,
Prapë qenka tërbuar,
As zakonin,as lëkurën,
nuk e ka ndërruar.
Arben Duka i mbylli sytë, me shpresën se ulërimat e ujkut do të ishin të fundit dhe populli do të gjente rehat. Por profecia e tij nuk është realizuar ende. Nëpër foltoret e Saliut vazhdojnë të mblidhen disa që ai u ka hedhur trutë e gomarit dhe po tundin kartën e vjetëruar të antikomunizmit.
Si atdhetar i flaktë, Arbeni, me poezitë e tij shprehu admirimin dhe respektin e thellë për ata burra e gra që me pushkë e me penë e shkrinë jetën për Shqipërinë, që nuk u gjunjëzuan nga pengesat vështirësitë e shumta dhe luftuan e punuan me ngulm për realizimin e idealeve të tyre fisnike.
Bilibili i poezisë i këndoi Ismail Qemalit sepse shpalli pavarësinë të bashkojë trojet shqiptare, se hodhi idenë – një komb, një flamur – se mendoi bashkimin, prandaj mbajti në krah Isa Boletinin dhe emëroi ministër Hasan Prishtinën. Pasi rikonfirmoi, se atë që bëri Ismail Qemali, nuk e deshi Europa ndaj e ndau Shqipërinë në 4 copa dhe e quajti ashtu siç ishte një hata të madhe, sepse nga ajo padrejtësi na grabitën Kosovën dhe Çamërinë, Ulqinin dhe Manastirin dhe kë mundën rrëmbyen qafirët.
Ishte kjo ide, kjo revoltë e brendshme, që e yshti I. Qemalin të kërkonte me këmbëngulje idenë e Shqipërisë natyrale dhe jo Shqipërinë siç e keqinterpretojnë qëllimisht kundërshtarët tanë tradicionalë dhe pseudopatriotët që gjoja u digjet shpirti për atdheun dhe nuk lënë rast pa bërë për të përçarë popullin. Me anë të vargjeve të tij, ai vuri në piedestal ato gra, burra të pavarur me mençuri dhe trimëri, me pushkë apo me penë, u treguan të paepur edhe në çastet më kritike, qëndruan heroikisht përpara xhelatëve duke u betuar “Për një baltë e për një tokë se ç’mu zbardh e shkreta kokë”, ose trimat e Çamërisë që përpara litarit preferuan të kërcenin vallen dhe të shqiptonin këngë epike që zbuti dhe zemrën e sulltanit.
Ashtu sikur Arbeni e konsideroi veten popull, edhe populli, sa herë që dëgjonte një këngë që e impresiononte, thoshte se atë me siguri e ka qëndisur Arben Duka me shokët e tij, çka dëshmojë se ata u identifikuan në një të vetëm dhe të pandarë nga njëri-tjetri.
***
Zemra e poetit Arben Duka, mbeti në ato vise ku “ perëndia mban hatëre”, ku “bora hedh vellon e bardhë/ dhe thëllëza ecën ngadalë”, ku jetojnë “burra e gra me shpatull mali”, ku “e tretin trimat plumbin” dhe “mbi konak e bëjnë gjumin”, që të mos i zërë hasmi gafil, në befasi. Shpirti i poetit gjezdisi në ato vise ku “trimëria pi sisë, në malet e Labërisë dhe në malësitë e gjithë Shqipërisë. Mendja e Arbenit vazhdimisht kujtoi kohë të vështira, kur nën brezin e luftëtarit legjendar të Kosovës, Isa Buletinit, revolja e tij hasharitej kur dëgjonte zërin e pabesisë të atij që me një gjuhë të rëndë dhe me humor të shtirë, u përpoq të justifikonte lojën e ndyrë prapa shpinës së Shqipërisë, padrejtësinë flagrante që i bën asaj, në sofrën e madhe të fuqive të mëdha. Kamxhiku i tij la vraga të thella në trupin e atyre që brenda dhe jashtë Shqipërisë kryen veprime dhe akte dyanësore në dëm të kombit dhe popullit shqiptar. Në mijëra epigrame, Arbeni shprehu shqetësimin për situatën e rëndë të krijuar nga çoroditja e shoqërisë tonë, nga veprimet absurde të nxituara nga forcat kontroverse politike të cilat bëhen shkak i një jete të trishtuar si muzikë funebër- kudo që hedh sytë shoh njerëz të egër. Ai fshikullon të babëziturit që i shikojnë fukarenjtv me neveri, i quajnë “pabuksa”. Për ta ai i paralajmëroi: “Me baltë e me sy, /mos e vrit të varfrin / se pikëllimi i tij,/ helmon dhe gjarprin”.
Për veten e tij, ai gjithmonë i këndoi të bukurës, në mënyrë të veçantë dashurisë sepse dashuria shton nurin, se ajo tret edhe gurin. Arben Duka u nda nga jeta herët, pa e lëshuar penën nga dora. Nuk mundi të shprehte deri në fund dhe të hidhte në letër të gjitha idetë apo mendimet që kishte me kohë, ashtu si i kuptonte dhe si dëshironte ai. Natyra tregohet mospërfillëse dhe e pamëshirshme ndaj jetës së individëve, nuk bën seleksionim ndërmjet të aftëve dhe të paaftëve, të ndershmëve dhe maskarenjëve, hileqarëve dhe punëtorëve të palodhur, si dhe egoistëve dhe tahmaqarëve. Këto janë koncepte relative për të. Vdekja thoshte Arbeni nuk bën mik askënd. Drapri i vdekjes korr përditë çfarë i del përpara, nuk do t’ia dijë dhe e mohon të drejtën e respektit të radhës, të arsyetimit për çka ka bërë njeriu në jetë. Jam i prirë të besoj se vlerësimin e drejtë, të paanshëm për veprën që la prapa Arben Duka do ta bëjnë brezat që do të rrinë në Shqipëri dhe kudo që janë shpërndarë në të gjithë cepat e botës.
Rruga që duket, nuk ka nevojë për kallauz, thotë populli. Vepra e pavdekshme e Arbenit ka folur dhe do të flasë vetë. Ajo i përket përjetësisë. Arbeni nuk e humbi besimin tek e ardhmja e njerëzimit prandaj në këtë shkrim homazh, dëshiroj ta mbyll me vargjet ku liriku i papërsëritshëm shprehu optimizmin për të ardhmen, në poezinë me titull “Baladë shprese dhe besimi”:
Lavdi atyre që do të rrinë
Male vërejtjesh do të shëmbin
Për të skalitur dashurinë
Si grurë do mbjellin mirësinë
*Ish-ambasador i Shqipërisë në Rumani