Një ngjarje e 80 viteve më parë në një fshat të Malësisë dhe…

0
Gjigandi

Nga Shaqir Vukaj

Botuar në DITA

Është folur e shkruar shumë herë për të Rënët për Atdhe, për ata që dhanë jetën për Shqipërinë … por për t’ju kthyer edhe një herë këtij problemi u nxita nga një veprim sa human, aq patriotik i Z. Ali Synaj një fshatar i thjeshtë nga Vorfa e Malësisë së Madhe, i cili me iniciativën dhe shpenzimet e veta ndërtoi një lapidar në nderim të katër Dëshmorëve të Luftës së Vorfës të nëntorit 1943 kundër pushtuesve nazistë, tre nga të cilët, nga familja e tij, gjyshi dhe dy xhaxhallarët (Ali Keq Synaj, Ismail Ali Synaj, Mehmet Ali Synaj) dhe Hasan Mehmet Hykaj. Rast i rrallë në Shqipëri ku një familje ka tre Dëshmorë….

Nazistët gjermanë, në vazhdën e reprezaljeve, dhunës dhe kryesorja për të eliminuar njësitë partizane të Qarkut të Shkodrës, më 2 nëntor 1943 (pak kohë mbasi kishin pushtuar Shkodrën) ndërmorën një ekspeditë ndëshkimore në drejtim të fshatit Vorfë, ku kishte bazën një njësit partizan. Ata sulmuan në befasi me mortaja, mitraloza e automatikë, por pavarësisht nga befasia ata hasën në rezistencën e atyre pak partizanëve që ndodheshin aty dhe fshatarëve të Vorfës. Në atë përpjekje u vranë tre partizanë, Istref Shabani, Halit Bajraktari dhe një francez, liruar nga partizanët nga një kamp përqendrimi që ishte bashkuar me partizanët si dhe u plagos një grua. Nazistët pushkatuan katër fshatarë nga Vorfa, që sipas ndonjë spiuni… kishin qenë bazë e partizanëve dhe kishin luftuar përkrah tyre.

Pa u sqaruar mirë ngjarja, Prefekti i Shkodrës, me telegramin dt.3.11.1943 ngutej për të njoftuar qendrën dhe t’i jepte “sihariqin” si më poshtë:

RonaTyra

“Kam nderin t’ju njoftoj se në datën 3 të këtij mueji, Komanda Gjermane, mbas informatave (nga Ndrec Prenga-Komandant i Xhandarmerisë e ndonjë tjetër) ka pas dergue në katundin Vorfë të Postribës afro 300 gjermanë dhe kanë rrethue shtëpinë e Qerim Baculit ku thuhej se gjendeshin 10 partizanë, nji sasi prej 74 vetash ndodhej neper katund. Mbas një luftimi prej dy orësh të gjithë ilegalët kanë përfitue ikjen, vetëm nji thuhet se asht plagosë prej tyne. Në këtë rast asht plagosë nji grue prej ati katundi dhe nji ushtar gjerman.

Ushtarët gjermanë kanë pushkatue për reprezalje katër katundarë nga Vorfa… Përveç kësaj kanë djegë shtëpinë e Qerim bacilit, të Arif Avdylit, të Lish Keqit dhe Haxhi Brahimit me gjithë pasuninë që kanë pas”.         

Ndërsa komandanti i i Përgjithshëm i Xhandarmerisë Hysni Peja, me shkresën Res.dt.15.11.1943 njoftonte Ministrinë e Brendshme si më poshtë:

Në operacionin e bamë prej ushtrisë gjermane në katundin Vorfë e Rrjoll të Qarkut Shkodër, si përkrahës të komunistave kanë pushkatue personat e me poshtëm: 1-Ali Keqi nga fshati Vorfë 2- Ismail Alia nga fshati Vorfë 3-Mehmet Alia nga fshati Vorfë 4-Hasan Ahmeti nga fshati Vorfë 5-Ndue Gjoni Rrjoll 6-Bajram Cufi Rrjoll 7-Të birin e Gjok Prek Keqit 8-Të birin e Pjetër Gjokës.

Kane djegë disa shtëpi”.

Operacioni kundër fshatit Vorfë është një nga qindra operacionet që kanë ndërmarrë pushtuesit italianë e gjermanë kundër atyre që kishin marrë pushkën e luftonin për çlirimin e vendit. Aty nazistët vranë 11 vetë, partizanë e fshatarë që mbështesnin dhe ishin bazë e Luftës Nacional Çlirimtare.

Veprimi i z Ali Synaj duhet përshëndetur dhe duhet marrë si shembull nga familjarët e pasardhësit e Dëshmorëve të Atdheut, nga gjithë shoqërinë e në radhë të parë nga institucionet shtetërore. Jo thjeshtë ndërtimi i një përmendoreje, por kryesorja respekti e nderimi për njerëzit e gjakut, që ka dhënë jetën për Atdhe.

***

Para v.1990, në këtë fshat ka pas një përmendore në nderim të Katër Dëshmorëve të fshatit, shkolla kishte emrin “Katër Dëshmorët e Vorfës”, aty kishte një muze modest për historinë e fshatit, ku ndërmjet tjerave kishte ndonjë dokument edhe për këta Dëshmorë etj. Mirëpo ç’ndodhi?. Kur, në fillim të viteve 90-të të shekullit të kaluar u hodhën parullat e “shok terapisë”, “çekut të bardhe”, “të shkatërrojmë gjithçka që la komunizmi” etj. kur turmat laramane, të nxitura e të frymëzuara nga disa… që luanin fijet nga larg, iu lëshuan varrezave të Dëshmorëve, busteve e përmendoreve, pllakave përkujtimore e gjithçka lidhej me emrin e Dëshmorit të Atdheut. Kështu ndodhi edhe në Vorfë. Me të drejtë njerëzit normalë pyesnin e pyesin edhe sot:

Po me Dëshmorët ç’patën?

Ç’patën me bustin e Ndrec Ndue Gjokës, pishtarit të papërsëritshëm të përhapjes së arsimit, me monumentin e katër Cucave të Mirditës, vrarë në mënyrë çnjerëzore vetëm se u bënë shembull emancipimi, me Monumentin e Pesë Heronjve që e hoqën nga qendra e Shkodrës dhe e hodhën në plehrat e qytetit, lapidarin e 26 të internuarve në kampin e Prishtinës, pushkatuar në Kukës, që e hodhën në lum… Kështu mund të përmenden dhjetëra veprime antikombëtare. Po cila ka qenë arsyeja dhe qëllimi i vërtetë? Qëllimi ka qenë dhe është mohimi me çdo kusht i Luftës Nacional Çlirimtare. Dhe për këtë duhej filluar me ata që dhanë jetën në këtë luftë, me ata që vunë jetën e tyre në themelet e lirisë. Duhej tu prisheshin varret, monumentet, bustet, lapidarët, tu hiqej emri rrugëve, shkollave, mundësisht të harrohej emri i tyre…

E filluan me veprime konkrete, me shkatërrime e rrafshime, për ta vazhduar me ndryshimin e datës së Çlirimit. Është e turpshme ajo që ndodhë në Shqipëri (si në asnjë vend tjetër të botës) që Dita e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë festohet në dy data, më 28 dhe 29 Nëntor. Dhe tashmë shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë nuk e kuptojnë përse ndodhë kështu. Me argumente qesharake, se gjermani i fundit ka ikur nga Shkodra më datën 28 Nëntor në 12 pa pesë….etj. ato forca që duan të mohojnë Luftën Nacional Çlirimtare, sapo patën shumicën në Kuvend ndryshuan datën e Çlirimit, kur dëshmitarë, pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Shkodrës, dokumente vendase e të huaja, veçanërisht ato gjermane ( më të besueshmet) vërtetojnë se Shkodra është çliruar më 29 Nëntor…

Duke dashur të njollosin Luftën Nacional Çlirimtare (në pamundësi për ta mohuar krejtësisht) disa të ashtuquajtur politikanë e studiues (kryesisht pasardhës të bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazifashistë) filluan të flasin e të shkruajnë për “Luftë Civile” në Shqipëri. Nuk ja vlen të merresh me ta, por do tu kujtoj se me këtë problem janë marrë e vazhdojnë të merren specialistë të njohur në Europë e botë, të fushave juridike, politike ushtarake, Institucione Studimore Ndërkombëtare etj. që kanë përcaktuar qartë se ç’është Lufta Civile, kur dhe ku janë zhvilluar ato deri në ditët e sotme. Konventa e Vjenës e përcakton qartë se “Në vendet e pushtuara nuk mund të ketë Luftë Civile, sepse aty zhvillohet luftë kundër pushtuesve, sepse në qoftë se aty luftohet, luftohet vetëm kundër pushtuesve, pavarësisht zënkave, grindjeve apo përplasjeve me armë që mund të zhvillohen midis fiseve apo grupeve rivale, që shpesh herë nxiten nga pushtuesit apo në shërbim të tij” (Sikur të ishte shkruar me qëllim për Shqipërinë e Luftës Dytë Botërore).

Nazistët gjermanë pushtuan pothuajse gjithë Europën dhe në shumë vende gjetën bashkëpunëtorë. Në shumë vende pati rezistencë të armatosur, ku luftëtarët vendas u përplasen me armë me pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre, por askush nuk thotë se ka pas Luftë Civile në Francë, Jugosllavi, Sllovaki, Norvegji, Rusi, Poloni etj. ku janë zhvilluar beteja të vërteta midis luftëtarëve të rezistencës dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesit. Institucionet e specializuara ndërkombëtare, kanë përcaktuar se në periudhën 1816-1997, në botë, janë zhvilluar 213 Luftëra Civile ku si më të përgjakshmet përmenden: Lufta Civile në SHBA (1861-1965), Lufta Civile në Rusi (1917-1922), Lufta Civile në Kinë (1927-1949), Lufta Civile në Spanjë (1936-1939, Lufta Civile në Greqi (1946-1949) etj. Por më e rëndësishmja është se nuk përmendet asnjë luftë civile në vendet e pushtuara nga nazifashistët gjatë Luftës Dytë Botërore në Europë, për më tepër në Shqipëri…

Mbas përfundimit te Luftës Dytë Botërore, në të gjitha vendet e pushtuara të Europës, u arrestuan bashkëpunëtorët e pushtuesit, ndaj të cilëve u zhvilluan gjyqe publike. Duken të pa besueshme shifrat zyrtare të bëra publike për dënimet e dhëna: Në Francë-dënuar 120 mijë vetë, pushkatuar rreth 20 mijë vetë, në Holandë- dënuar mijëra me burgim të përjetshëm, 200 vetë me vdekje, në Norvegji-dënuar 37500 vetë, në Danimarkë-dënuar 15742 vetë, në Belgjikë- dënuar23584, me burgim të përjetshëm 200 vetë, në Luksemburg- dënuar rreth 10 mijë vetë, Çekosllovaki-vrarë pa gjyqe mbi 20 mijë vetë, dënuar afro 100 mijë vetë, me vdekje713 vetë, burgim të përjetshëm 741 vetë, Austri- dënuar 13600 vetë… Kështu mund të vazhdohet edhe me vende te tjera. Tepër i rëndësishëm dhe kuptimplotë është fakti se në këto vende deri më sot nuk është marrë e nuk merret askush me rehabilitimin e tyre. Përkundrazi, jo vetëm që nuk merret më askush me ta, por nuk u përmendet as emri sepse dënimi më i rëndë për ta është harresa…

Vetëm në Shqipëri ka ndodhur, si askund në Europë. Vetëm këtu janë rehabilituar kolaboracionistët, bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë, ata që kanë larë duart me gjakun e bijve më të mirë të Shqipërisë. E pabesueshme që disa prej tyre janë heroizuar, janë dekoruar, u janë ngritur buste e monumente…

Për të ulur sa më shumë e mohuar rolin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare disa të ashtuquajtur studiues apo politikanë, janë marrë me numrin e Dëshmorëve, duke ju kundërvënë shifrës prej 28 mijë të rënëve gjatë kësaj lufte. Është e vërtetë se gjatë viteve të Diktaturës së Proletariatit përdorej vend e pa vend emërtimi 28 mijë Dëshmorë.

E vërteta eshët se shifra për 28 mijë të Rënë gjatë luftës është publikuar për herë të parë nga gazeta “Bashkimi i Kombit”, organ zyrtar i Qeverisë Kuislinge, më 22 tetor 1944, në artikullin “Mjaft më” ku ndërmjet tjerave thuhej: “Sipas një statistike, që kur shkeli Italia në vendin tonë, më 7 prill 1939 e gjer më sot, janë vrarë në veprime luftarake kundra okupatorit, ose për pasojë të luftës të të huajve që është zhvilluar në vendin tonë, 28 mijë njerëz”.

Në konferencën e Paqes në Paris në v.1946, Enver Hoxha, në fjalimin e tij ka thëne: “Sakrificat e popullit tonë kanë shumë të mëdha. Me një popullsi prej 1 milion banorë kemi 28 mijë të vrarë”

Në raportin e Administratës së Kombeve të Bashkuara (UNRRA) për të vrarët dhe dëmet materiale gjatë Luftës Dytë Botërore, thuhet qartë se “Humbjet njerëzore në Shqipëri kanë qenë 28-30 mijë vetë”. Me të drejtë lind pyetja, këta 28 mijë të vrarë, si duhen konsideruar Dëshmorë, të Rënë për Atdhe, Martirë, Viktima apo ç’emër t’u vëmë! Të gjithë janë vrarë në luftë, me pushkë në dorë ose nga dhuna e reprezaljet e pushtuesit apo në kampet e përqendrimit etj. Quaji si të duash. Por po të mos pushtohej Shqipëria, sikur shqiptarët tu nënshtroheshin si dele pushtuesve, nuk do të kishim asnjë të vrarë. Të gjithë ata do ta gëzonin jetën si të gjithë të tjerët. Pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre vrisnin vetëm kur kishte rezistencë, me pushkë apo mënyra të tjera, siç ka ndodhur në shumë vende tjera të Europës.

Që të quhet Dëshmor i Atdheut duhet një vendim zyrtar, që sipas Ligjit ‘Për statusin e Dëshmorit” që jepet nga një Komision i Posaçëm… Pavarësisht nga kjo, ata 28 mijë shqiptarë janë vrarë duke luftuar me pushkë në dorë, janë vrarë nga pushtuesit për hakmarrje apo gjatë reprezaljeve kundër popullatës civile apo vrarë ose vdekur nga torturat në kampet e përqendrimit, sepse ju kundërvunë pushtuesve nazifashistë, ashtu si mundën…

Tani dalin disa te ashtuquajtur politikanë, studiues apo quaji si të duash që, nduke u përpjekur të mohojnë Luftën Nacional Çlirimtare, madje ndonjëri duke mos e quajtur pushtim, pushtimin gjerman, e ndonjëri duke e quajtur pushtimin italian “Bashkim me Italinë” përpiqen të ulin numrin e të Rënëve. Një far Teodor Kareco që të Rënët për Atdhe i quan “faqja e zezë e kombit”, dhe që sipas tij nuk janë më shumë se 3500 të vrarë… Para pak ditësh, një ish deputet, përmendi shifrën 1120 Dëshmorë. Dua t’i kujtoj këtij njeriu të pa lexuar se vetëm në kampet e përqendrimit, brenda dhe jashtë Shqipërisë janë ekzekutuar 1250 shqiptarë (të gjithë të evidentuar me emra e mbiemra, vendlindje, kampin e internimit, datën e vrasjes etj.). Duke ndjekur të njëjtin qëllim, për të ulur e mohuar Rënët në Shqipëri, Kryetari i njërit Ball Kombëtar, para pak ditëve arrinte në absurditete sa deklaronte se “Në Shqipëri gjatë luftës Antifashiste janë vrarë zero italianë dhe gjermanë”.

Por kjo kategori nuk mjaftohen me kaq. Ish drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, që iku me bisht në shalë për t’ju shmangur mashtrimeve e vjedhjeve (plagjiator i deklaruar), arrinte deri aty, sa Dëshmorët e Atdheut t’i quajë kriminelë e vrasës. Kështu, kur në kuadrin e 75 vjetorit të çlirimit të Atdheut, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit u varën portretet e disa Heronjve e Dëshmorëve të Atdheut, ai shkruante “Rrënjët e përtëritura të së keqes shqiptare kanë depërtuar kudo… e së fundi i patë këto rrënjë të shpalosura publikisht në Bulevardin kryesor me portretet e vrasësve, një thirrje demagogjike “gjaku” për të shtrënguar radhët”…. (Vini re, kaq i urren Dëshmorët ky njeri, sa i ndryshon edhe emrin bulevardit Dëshmorët e Kombit). Dua t’i kujtoj lexuesit se si ky Institut, në librin “Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1945” (botuar me paratë e dhëna nga Qeveria, nga paratë e taksapaguesve shqiptarë) disa nga Dëshmorët e Heronjtë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare quhen kriminelë. E pa besueshme dhe e pa dëgjuar askund në botën demokratike të quhet kriminel Raqi Qirinxhi sepse “ka qenë intendent i grupit partizan”, Xheladin Beqiri sepse “ka pas funksione drejtuese në reparte partizane”, Hajdar Dushi sepse “ka qenë zv/komandant i Batalionit Partizan të Shkodrës”, Mustafa Xhani sepse “ka bërë një raport për aktivitetin e Batalionit të Martaneshit”, Mustafa Gjinishi sepse “ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare”, arrihet deri aty sa të quhet kriminel edhe Myslim Shyri, pa dhënë asnjë shpjegimetj.

Është interesant fakti se për t’ju kundërvënë çdo gjëje që krijoi e ndërtoi populli shqiptar gjatë 45 viteve të sistemit që përmbysëm, disa pasardhës të kolaboracionistëve apo bashkëmendimtarë me ta, në emër dhe me pretekst dekomunistizimin e Shqipërisë, duke shfrytëzuar gabimet, fajet dhe krimet që u benë në ato vite, shigjetat i drejtojnë, në radhë të parë kundër atyre që dhanë jetën për Atdhe. Kështu në një projekt-ligj të propozuar nga njëri grupim i PD-së, paraqitur në Kuvend para pak kohe, propozohej që të hiqen emrat e Dëshmorëve nga rrugët, shkollat e institucionet, të rrafshohen varrezat e tyre, të shkatërrohen buste, lapidarë, monumente etj. kushtuar atyre e Luftës Nacional Çlirimtare, të hiqet nga qarkullimi çdo vepër letrare që flet për ta e për Luftën, të zhduken të gjithë filmat artistikë, të gjitha veprat e artit pamor etj. veprime të pa dëgjuara askund në Europë e më gjerë, (nenet 7, 11 dhe 12 të këtij projekt –ligji). Nën pretekstin e dekomunistizimit të Shqipërisë ata duan të zhdukin çdo vepër artistike të krijuar në ato vite me idenë e çmendur se janë krijuar në epokën e realizmit socialist. Duan të zhdukin veprat e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit e shumë shkrimtarëve e poetëve të shkëlqyeshëm që krijuan në ato vite, duan të djegin filmat e xhiruar në atë periudhë, të harrohen e emrat e aktorëve të jashtëzakonshëm Loro Kovaçi, Sander Prosi, Kadri Roshi, Tinka Kurti, Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Rikard Ljarja, Roza Anagnosti e shumë e shumë të tjerë, të harrohen emrat e Prek Jakovës kompozitorit të operës parë shqiptare e ”Mrika”, Çesk Zadejës, Tish Daisë, Ferdinand Dedës, Kujtim Laros e shumë të tjerëve, duan të rrafshojnë monumentin e “Nënës Shqipëri”, të “Pesë Heronjve”, të shkatërrojnë mozaikun e Muzeut Kombëtar e ndonjëri arrin deri aty sa propozon të shkatërrohet Monumenti i Pavarësisë në Vlorë (sepse është vepër realizmit Socialist) etj. etj. Ata duan të mos përkujtohet asnjë datë historike që lidhet me Luftën Nacional Çlirimtare, të mos përkujtohet as Konferenca e Pezës, Konferenca e Unitetit të shqiptarëve. Duan të shuajnë kujtesën e Kombit… Janë ata që shkatërruan muzetë e Vaso Pashë Shkodranit, të Luigj Gurakuqit, të Migjenit, qindra muze neper fshatra, shkatërruan shtëpi kulture e biblioteka…

Një filozof i njohur ka thënë se “Ata popuj që nuk nderojnë Dëshmorët e tyre nuk mund të quhen kombe te civilizuar”. Për çdo komb të qytetëruar, të Rënët për Atdhe janë nderi, lavdia e krenarie e tyre, ndër vlerat më të shenjta. Për ta janë shkruar e shkruhen libra e monografi, xhirohen filma, emrat e tyre i gjen në çdo enciklopedi e histori të shkruar. Kudo neper sheshet e qyteteve e kryeqyteteve të Europës e më gjerë, sheh buste e monumente të tyre. Emrat e tyre mbajnë shkolla e institucione shtetërore, kudo sheh pllaka me emrat e tyre, madje me germa të arta. Shembujt janë pa fund. Për Heroin e Francës, komunistin 17 vjeçar Gi Moke, pushkatuar nga nazistët gjermanë, është folur e shkruar pa fund. Emrin e ti mban një stacion Metroje në Paris, i venë nga ish Presidenti Ge Gol. Ish presidenti i Francës Sarkozi, kur ka lexuar letrën e tij para pushkatimit ka urdhëruar që kjo letër të lexohet në të gjitha shkollat e Francës.

Menjëherë mbas Luftës Dytë Botërore, në parkun e madh Treptov të Berlinit u ngrit kompleksi gjigant në kujtim të 20 mijë ushtarëve dhe oficerëve sovjetikë të rënë në betejën e Berlinit. Mbas bashkimit të Gjermanisë dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, pati ndonjë politikan që kërkoi prishjen e këtij kompleksi madhështor, ose të paktën të hiqeshin citatet e Stalinit mbi sarkofagët e kompleksit muzeal, por Qeveria Gjermane jo vetëm që nuk pranoi, por sipas një marrëveshje me Qeverinë Ruse u angazhua të kujdesej e ta mirëmbante. Më ka rastisë ta vizitoj këtë kompleks para viteve 90-të, kur për të kujdesej Qeveria Sovjetike dhe mbas viteve 90-të kur kujdeset Qeveria Gjermane. Them me bindje se ky kompleks më mirë mbahet tani se atëherë kur kujdeseshin sovjetikët….Madje citatet e Stalinit në dy gjuhët, gjermanisht dhe rusisht sipas marrëveshjes midis dy qeverive janë ruajtur sepse, sipas Qeverisë Gjermane “Janë dokument historik, i domosdoshëm për ndërgjegjësim”.

Në fshatin Lidice, në afërsi të Pragës ngrihet madhështor monumenti me skulptura natyrale i 82 fëmijëve vrarë nga nazistët, që mbasi dogjën e rrafshuan fshatin, pushkatuan 184 meshkuj të fshatit… Në mes të Pragës qëndron monumenti i gazetarit komunist Julius Fuçik, autorit te librit “Me litar në grykë”, përkthyer në 90 gjuhe të botes, pushkatuar nga nazistët. Në muret e Bibliotekës së Bolonjës janë të shkruar me germa të arta : “Emiliano Romano-3 milionë banorë, luftuan 14425 partizanë, u vranë 2059 vetë, u plagosën 952 vetë, u pushkatuan 2350 vetë, vdiqën në kampet e përqendrimit 829 vetë”. Kështu mund të vazhdohet me shumë shembuj nga e gjithë bota që nga SHBA, Britania e Madhe, Holanda, Polonia, Norvegjia, Danimarka, Luksemburgu, etj. etj.

Ne shqiptarët përdorim një shprehje “Gjaku nuk bëhet ujë ”. Pavarësisht nga ç’kanë bërë e duan të bëjnë këto forca të errëta antikombëtare, shumica dërmuese e shqiptarëve i nderojnë e i respektojnë ata që kanë dhënë jetën për Atdhe, pavarësisht në cilën luftë apo kryengritje janë vrarë. Disa historianë shkruajnë se që nga Kryengritjet e viteve 70-të shekullit 19-të deri në ditët e sotme kemi rreth 50 mijë të Rënë për Atdhe, kështu që po të bëjmë një llogari të thjeshtë, disa qindra mijëra shqiptarë kemi lidhje gjaku me ta. Më kanë bërë përshtypje të veçantë ceremonia kushtuar 278 të Rënëve në Kryengritjen e Malësisë së Madhe të v.1911 (Kryengritja e Ded Gjon Lulit) organizuar para pak muajsh në Koplik, ku pasardhës të tyre (disa të ardhur edhe nga SHBA) duke marrë certifikatën Dëshmor i Atdheut dhe flamurin shqiptar u mbusheshin sytë me lot…siç nuk më shlyhet nga kujtesa ceremonia që u organizua para pak vitesh në Anë të Malit, në nderim të 16 banorëve të kësaj zone të Rënë gjatë luftimeve për mbrojtjen e Shkodrës në v.1912-1913. Bëhet fjalë për të Rënë për Atdhe para mbi 100 vitesh, dhe pasardhësit e tyre, ndihen krenarë edhe sot për çka bënë ata. Kështu kemi me qindra shembuj kudo në Shqipëri…

Është e vërtetë se vitet e fundit në shumë rrethe janë rregulluar e sistemuar varrezat e Dëshmoreve të Atdheut, janë kthyer emrat e disa shkollave e rrugëve të hequra padrejtësisht, janë riparuar apo venë bustet e disave prej tyre, por përsëri jemi larg asaj që duhet bërë për nderimin e tyre…. Shembulli i ish Prefektit të Qarkut të Shkodrës, Pavlin Radovani, që pavarësisht nga kundërshtimi i Këshillit Bashkiak, gjeti mundësi dhe në bashkëpunim me atdhetarë të atij rrethi, hoqi monumentin e Pesë Heronjve nga plehrat ku e kishin hedhur, dhe duke i qëndruar mbi krye për 24 orë e transportoi dhe e vendosi në një vend të dukshëm, në rrugën kryesore që vjen nga Mali i Zi. Po ashtu riparoi e sistemoi varrezat e dëshmoreve, që i kishin kthyer në vend grumbullim plehrash. Duhet përmendur për punën e shkëlqyeshme që ka bërë ish Kryetari i Bashkisë Ballsh, Agron Kapllani (Nga Partia Demokratike) që jo vetëm riparoi varrezat, rregulloi rrugën, por vendosi dhe bustin e Heroit të Popullit Gjok Doçi…Po kështu mund të përmenden Bashkia Himarë me kryetar Jorgo Goro, Bashkia Gjirokastër me kryetar Flamur Golemi e në mënyrë të veçantë Bashkia Roskovec, me kryetare Majlinda Bufi. Këta shembuj e të tjerë duhet të shërbejnë për Qeverinë në radhë të parë për bashkitë e tjera ( sepse e kanë detyrim ligjor kujdesin, respektin e nderimin për të rënët për Atdhe). Dua ti kujtoj Bashkisë Tiranë, që pavarësisht nga punët e mira që ka bërë, duhet të kujdeset më shumë për varrezat e Dëshmorëve, bustet, monumentet e tyre etj. Mos të përsëriten më veprime të tilla si zhdukja e Lapidarit të Heronjve të Popullit Muhamed Gjollesha dhe Shyqyri Ishmi që e kanë shembur dhe vënë një pllakë, zhytur në një qoshe… Do të ishte në nderin e shqiptarëve që mijëra turistë që shkojnë në Pazarin e Ri (që është bërë model) të shihnin edhe një Përmendore të këtyre Heronjve, varur në atë shesh nga pushtuesit… Kjo Bashki, krahas tjerave duhet të mbajë premtimin që ka bërë për ndërtimin e një lapidari në kujtim të Dëshmorëve të 4 Shkurtit që për vite e zvarrisë…apo mos ndoshta familjarët e këtyre Dëshmorëve duhet të marrin shembullin e Z.Ali Synaj, dhe ta ndërtojnë me shpenzimet e veta…

Askush nuk duhet të harrojë se kjo Shqipëri që gëzojmë sot, krahas tjerave i ka rrënjët në gjakun e të Rënëve për Atdhe.

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu