Ankthi i pritjes i ka lënë vendit emocioneve, teksa Edicioni i 61 i Festivalit të Këngës në RTSH, ka nisur sonte “udhëtimin” e 4 netëve në transmetim televiziv. Nën udhëheqjen e Arbana Osmanit, mbrëmjen e kësaj të enjte do të ngjiten në skenën e “Pallatit të Kongreseve 13 këngëtarë, në garë për të lënë gjurmën e tyre në fondin e muzikës shqiptare, si edhe për ëndrrën drejt Liverpool-it në edicionin e ardhshëm të Festivalit Evropian.
Fest 61, eventi muzikor kombëtar më i rëndësishëm, ka rezervuar për publikun në këtë mbrëmje të parë edhe disa numra specialë, ndërsa nuk do të mungojnë emra të njohur të artit që do të ngjiten në skenën magjike të Festivalit për të dhuruar emocione dhe mesazhe të forta për publikun, që do t’ju mbajnë të “mbërthyer” para ekranit.
Ndryshe nga edicionet e kaluar, artistët që do performojnë këtë mbrëmje, Enxhi Nasufi, Erma Mici Fabian Basha, Anduel Kovaçi, Fifi, Urban Band, 2 Farm, Sara Kapo, Rezarta Smaja, Albina dhe familja Kelmendi, Sergio Hajdini, Luna Çausholli, dhe Rovena Dilo, do të njohin për herë të parë publikun me këngët e tyre.
Në total, Festivali do të mirëpresë në skenë 16 artistë të njohur të skenës 10 këngëtarë të rinj dhe grupe alternative që garojnë për 5 çmime të rëndësishme që do të caktohen nga një juri profesioniste. Këtë vit ndryshe nga herët e tjera çmimi i parë i Festivalit të Këngës do të përcaktohet nga juria profesioniste, ndërsa kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2023 do të zgjidhet nga votat e publikut.