As një vit më pare, Vedat Muriqi (24.04.1994, Prizren) zbarkoi në ishull për të nënshkruar me Mallorca. Ishte merkatoja dimërore e sezonit 2021-2022 dhe skuadrës së La Liga i duhej një sulmues i fortë për të mbijetuar mes më të mirëve. Ardhja e kosovarit i befasoi tifozët mallorcanë. Ai nuk po luante me Lazion dhe numrat e tij nuk ishin më tërheqës.
33 ndeshje dhe 14 gola më vonë, Muriqi tashmë është idhull në Mallorca. “Pirati”, i cili e përjetoi luftën ballkanike (genocidin serb në Kosovë) si fëmijë, dha një intervistë për “MARCA”, ku bëri me dije se qëndrimi i tij në ishull do të jetë afatgjatë.
Lufta – “Unë gjithmonë them që asnjë qenie njerëzore nuk duhet të shohë gjërat që kam parë unë gjatë atyre viteve. Duhet të arratiseshsha nga shtëpia sepse erdhën disa ushtarë e na thanë do të vendosim bomba, ndaj duhej të iknim. Shkuam në Shqipëri dhe ishte një kohë shumë e vështirë. Nëse shikoj pjesën pozitive, ta përjetoj atë tani më bën t’i vlerësoj gjërat e vogla shumë më tepër”.
Fëmijëria – “Fillova të punoja në një restorant në pronësi të dajve të mi kur isha nëntë vjeç. Aty bëja gjithçka: kamarier, ndihmësin në kuzhinë etj. E gjitha kjo derisa mbërrita në Shqipëri në moshën 16-vjeçare. Gjatë asaj kohe, vetëm unë mund të punoja për të mbajtur nënën dhe motrën, pasi babai im vdiq në luftë. Asokohe duhej të shkoja në shkollë, edhe të luaja futboll. Nuk i bëja dot të dyja, kjo ishte arsyeja pse vendosa ta lija shkollën, sepse nuk mund ta lija futbollin, që është jeta ime. E di që nuk kam bërë mirë duke e lënë shkollën dhe tani mund të them se kam qenë shumë me fat”.
Futbolli – “Pas luftës, ekipi nga qyteti im njoftoi se do të merrnin fëmijët të luanin dhe të stërviteshin. Nëna ime, e cila e pëlqen shumë futbollin, më shtyu të shkoja në stërvitje, edhe pse ishte shumë larg shtëpisë sonë. Asnjëherë në jetën time nuk kam menduar se mund të bëhesha një lojtar profesionist. As nuk e imagjinoja të shkoja në Turqi, të shënoja gola, të shkoja në Serie A… Nuk mund ta imagjinoja kurrë, sepse ishte shumë e vështirë të dilje prej andej. Në fund ia dola falë mentalitetit, punës dhe fatit”.
Lazio dhe kalimi te Mallorca – “E kam thënë gjithmonë se kam një mentalitet shumë të fortë. Kam kaluar dy muaj te Lazio, ku isha shumë keq në të gjitha aspektet. Gruaja ime më ndihmoi shumë, ajo ishte gjithmonë me mua. Kur erdha këtu, pasi nuk luajta në Itali, e prisja me padurim. E dija që mund të ishin katër muajt e fundit në një nivel të lartë. Kjo është arsyeja pse unë doja t’i bëja gjërat siç duhet. Këtu, që nga dita e parë më dhanë shumë besim. Edhe tifozët, prandaj doja t’ua ktheja”.