Qeveria shqiptare ka planifikuar një strategji të re për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikëqyrjen e tregut, e cila është hedhur për konsultim pak orë më parë.
Në një dokument voluminoz, përcaktohen të gjitha objektivat dhe masat që duhet të marrë çdo autoritet për t’u garantuar siguri konsumatorëve shqiptarë, sipas strategjisë 2023-2030.
Objektivi i parë është ai i sigurisë ushqimore dhe përputhja me standardet europiane, përgjegjësi e ministrisë së Bujqësisë. Aty thuhet se duhet të përmirësohet sistemi i kontrollit ushqimor, teknologjia ushqimore dhe monitorimi i sigurisë ushqimore.
Ministrisë së Financave dhe e Ekonomisë i është vënë si përgjegjësi mbrojtja e interesave ekonomike të konsumatorëve lidhur me shitblerjen e mallrave dhe mundësinë e dëmshpërblimit, për të cilën do të krijohen platforma online.
Një zhvillim të rëndësishëm që parashikon projektligji është ai i miratimit të VKM-së mbi të drejtat e turistëve/ udhëtarëve në paketat e udhëtimit drejt Shqipërisë.
Energjia është një tjetër fushë ku qeveria synon të shtojë mbrojtjen për konsumatorët, specifikisht për rregullimin tarifor për pikat e karikimit të makinave elektrike.
Në dokument përmendet dhe se objektivi i Aviacionit Civil për këtë periudhë do të jetë ulja e rasteve të shkeljeve të të drejtave të konsumatorit nga shoqëritë ajrore të cilat operojnë në vendin tonë dhe në rast të shkeljeve kompensim për çdo rast të veçantë në zbatim të dispozitave ligjore.
Ndër të tjera, qeveria i kushton rëndësi të veçantë trajnimit profesional të stafeve sipas institucioneve dhe shpërndarjen e informacionit tek konsumatorët për t’i sensibilizuar ata. Strategjia përfshin dhe objektiva të reja për Bankën e Shqipërisë, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, AKEP, ERRU etj. Të gjitha ndryshimet janë përafrime me direktivat e BE-së dhe janë hartuar nga ministria e Financave. Pas procesit të konsultimit, drafti do të miratohet nga kabineti qeveritar, për të kaluar më pas në komisionet parlamentare.