Moldavia jep alarmin: Rusia mund të na sulmojë

0
Gjigandi

Zyrtarët moldavë të zbulimit paralajmëruan se forcat ruse mund të nisin një ofensivë ushtarake në Ukrainën jugore në fillim të vitit të ardhshëm.

Një nga qëllimet, thonë ata, mund të jetë bashkimi i forcave ruse në Ukrainë me një rajon separatist të mbështetur nga Moska në Moldavi, të quajtur Transnistria. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anna Kosstutschenko vizitoi këtë rajon. Për arsye sigurie disa nga personat e intervistuar nuk e bënë të ditur identitetin e tyre.

Nina u lind dhe u rrit në fshatin ukrainas Velyka Mykhailivka në rajonin e Odesës, i cili ndodhet në kufi me Transnistrinë, një rajon i Moldavisë që kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Pjesën më të madhe të jetës së saj, ajo ka punuar në një fabrikë të zonës. Sot, është pronare e një dyqani buke.

Ukrainasja nuk shprehet e shqetësuar pas paralajmërimeve të zbulimit moldav mbi mundësinë e një ofensive ruse në Ukrainën jugore.

RonaTyra

“Janë vetëm fjalë. Jemi mirë këtu, gjithçka është e qetë. Djemtë tanë po na mbrojnë”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Por të tjerë shprehen të shqetësuar.

“Jemi shumë afër kufirit. Gjithmonë jemi nën trysni, ndërsa përpiqemi të ndihmojmë ushtarët tanë, me sa mundemi”, thotë Liudmila, një banore tjetër.

“Po i afrohemi kufirit me Moldavinë. Ato shtëpi që po shihni, janë në territorin e rajonit të Transnistrisë”, thotë Oleksandr Kovalchuk, i cili u lind dhe u rrit në këtë rajon të Ukrainë.

“Prindërit e mi jetojnë rreth 26 kilometra larg kufirit me Moldavinë”, thotë ai.

Moldavia shpalli pavarësinë e saj nga Bashkimi Sovjetik më 1991.

Një vit më vonë, separatistët e mbështetur nga Rusia nisën një luftë civile në Transnistri dhe që atëherë kontrollojnë rajonin që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Moldavisë.

Atje vazhdon të ketë trupa ruse. Prania e tyre është shqetësimi më i madh i ukrainasve që jetojnë pranë kufirit.

Zoti Kovalchuk thotë se nga fillimi i luftës në Ukrainë, shumë persona kaluan kufirin e Ukrainës me Moldavinë pranë Tiraspolit, kryeqytetit të Transnistrisë.

“Sipas informacioneve jozyrtare, në gjashtë muajt e fundit shumë të rinj dhe persona të moshës së mesme erdhën në Transnistri, me justifikimin se po vizitojnë të afërmit ose se kishin punë. Por asnjëri nuk është larguar ende. Ne mendojmë se janë oficerë rusë që po presin diçka. Sipas burimeve tona, deri tani janë mbledhur rreth 1 mijë burra”, thotë zoti Kovalchuk pjesëtar i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Zyrtarë moldavë të zbulimit paralajmëruan këtë javë mbi mundësinë e një ofensive ruse në Ukrainën jugore në fillim të vitit të ardhshëm, me synimin për të lidhur Ukrainën dhe Transistrinë.

Por zoti Kovalchuk thotë se kjo nuk ka gjasa të ndodhë.

“Edhe nëse do të ndodhë, Ukraina do të fitojë. Kemi më shumë njerëz. Jemi në avantazh”, thotë ai.

Ndërkohë, banorët e fshatit Velyka Mykhailivka po përgatiten për temperatura edhe më të ulta gjatë dimrit.

Grupe vullnetare ngritën qendra për ngrohje, për banorët, kjo pasi sulmet ruse shkaktuan ndërprerjen e energjisë elektrike në të gjithë vendin.

“E dimë se ky do të jetë një dimër i vështirë. Vendi ynë është gjithçka që kemi dhe për të do të luftojmë deri në fund. Jemi të zotët e tokës sonë”, thotë Anatoly Ivanov, zvendëskryetar i fshatit Velyka Mykhailivka.

Në fshat jeta vazhdon, por me kujdes të shtuar, e duke mbikëqyrur çdo lëvizje pranë kufirit perëndimor./VOA

a.m/dita

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu