Migjeni, Dëshmor i Atdheut

0
Gjigandi

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Migjeni, siç ishte në të vërtetë

Këto ditë në shtypin shqiptar është shkruar për përvjetorin e lindjes së Migjenit, një një shkrimtar dhe poet gjenial, i papërsëritshëm dhe frymëzues i rinisë. Në këto shkrime pasqyrohet veprimtaria letrare e Migjenit, por në asnjë shkrim nuk theksohet se Migjeni është Dëshmor i Atdheut. Migjeni është cilësuar “Patriot i Rilindjes” dhe është shpallur dëshmor i Rilindjes me vendim nr. 129, datë 3 nëntor 1969 të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës. Në kartelën e dëshmorit Atdhetar i vjetër me nr. 131, shkruhet “Zhvilloi veprimtarinë e tij letrare patriotike mbrenda atdheut. Migjeni është poeti që shprehu dufin dhe revoltën e masave popullore kundër shtypjes e mjerimit në regjimin e Zogut. Shkroi vargje e proza të pavdekshme që u botuan mbas çlirimit ne veprat e Migjenit. Vargjet e tij “Qeshu rini, qeshu, se bota është e jote” janë bërë të famshme, të shkruar më datë 14.9.1984 nga Kryetari i Komitetit të Veteranëve të rrethit, Hys Zaja dhe të plotësuara më datë 10 janar 1998 nga Kryetari i Komitetit të Veteranëve të rrethit, Qemal Llazanji.

Ky fakt, pra që është shpallur dëshmor që në vitin 1969, nuk është pasqyruar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (FESH) të vitit 1985, por theksohet sjelljen e eshtrave të tij nga qeveria shqiptare në vitin 1956, si dhe dhënien e titullit “Mësues i Popullit”. Ndërsa në fjalorin e vitit 2008, nuk flitet jo e jo që është shpallur dëshmor, që është Mësues i Popullit, por dhe për sjelljen e eshtrave të tij nga qeveria shqiptare. Kuptohet vet shpjegimi i këtij fakti, Akademia e Shkencave në vitin 2008 varej nga forca politike e PD. Shpresojmë që në fjalorin që po përgatitet të thuhen këto fakte, por dhe në shtypin e përditshëm kur shkruhet për një dëshmor të Rilindjes sonë Kombëtare.

RonaTyra

 

Frymëzim për rininë antifashiste

Millosh Gjergj Nikolla është i njohur si poet, autor dhe publicist shumë i njohur. Migjeni, është emri i penës së tij. Ai ishte poet dhe prozator shqiptar i shquar i viteve 1930 të shek. XX. Migjeni është një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shek. XX. Në kohën që jetoi ishte një zë novator nga brendia dhe forma, ku ndikimi në letërsinë shqipe të kohës bëri një epokë. Migjeni u përfshi në shkrime të fuqishme të kohës duke kaluar nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik. Ai pasqyroi varfërinë dhe bë mbrojtës i heronjve të tij në krijimet “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj., duke fshikulluar indiferentizmin e klasave ndaj vuajtjeve të popullit. Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë ishte i ndjeshëm. Këngët e tij u bënë burim frymëzimi për rininë antifashiste. Krijimtaria e tij e plotë u bë e njohur pas Luftës së Dytë Botërore.

 

Arsimimi dhe mësues në Vrakë e Pukë

Migjeni arsimin fillor e nisi në qytetin e Shkodrës në një shkollë serbo-ortodokse. Në vitet 1923-1925 ndoqi studimet në Tivar, tek motra Lenka që ishte martuar me Llazar Jovanin, me origjinë nga Kavaja. Në vjeshtë të vitit 1925, daja Jovan Kokoshi, i nxorri bursë në gjimnazin e Manastirit. Përfundoi maturën në vitin 1927 me rezultate të mira. Në vitin shkollor 1927-1928, ndjek seminarin ortodoks “Jan Shën Teologu” po në Manastir. Në gjimnazin e Manastirit mëson për histori, fizikë, matematikë, si dhe gjuhët serbisht, greqisht, latinisht, frëngjisht, rusisht, por edhe pedagogji, metodikë, gjimnastikë dhe këngë. Në diplomën e lëshuar prej drejtorisë së shkollës më 18 qershor 1932, cilësohet “bir i Gjergjit, tregtar”. Me “Dëftesën e Pjekurisë” e shpallin kandidat të aftë për shërbim kishtar, në mësim të fesë dhe studime intelektuale të larta në fakultetet universitare.

Më 22 qershor 1932 niset nga Manastiri për në Tivar. Në pasaportën e marrë në Manastir prej konsullatës shqiptare lexohen shënimet: “Shtati i lartë, balli i rregullt, sytë gështenjë, hunda e rregullt, goja normale, flokët gështenjë, mjekra e mustaqet e rruara, ngjyra e bardhë, shenja të veçanta s’ka”. Në vitet 1933-1937 punoi si mësues në shkollën fillore në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo ishte koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi në fillim të vitit 1934 dhe filloi bashkëpunimin me revistat “Iliria”, “Bota e re” etj. Në vitin 1936 shkrimet e tij poetike i përmblodhi në librin “Vargje të lira”. Qeveria nuk lejoi qarkullimin e tyre. Në vitin 1936 takon Petro Markon para se ai të nisej për në Spanjë. Kalon një verë me Lazër Radi, i cili u frymëzua prej Migjenit dhe i kushton një libër kujtimesh. Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali për t’u shëruar nga sëmundja e mushkërive. Migjeni la në dorëshkrim një pjesë të rëndësishme të prozës së tij.

 

Aspiroi për një botë të re…

Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën. Ai u brumos në bankat e shkollës, ku u ndikua mjaft nga veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike. Me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj. Migjeni, në themel të veprimtarisë së tij vendosi aspiratën për një botë të re. Ai dëshironte që njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet dhe pa frikë për të sotmen dhe të nesërmen. Humanizmi përshkon tërë veprën e tij. Në poezitë e para, si “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Zgjimi”, “Shpirtënit shtegtarë”, etj., shpreh pakënaqësinë e thellë ndaj realitetit shtypës të kohës dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur të shprehur me figura romantike. Poeti ngrihet kundër rrëmujës së shoqërisëe dhe forcave shtypëse të kohës, “kalbësinave që kërkojnë shejtnim”. Kritika e rreptë ndaj një mjerimi të paparë dhe të rëndë për vendin, gërshetohet në vepra me dëshirën e zjarrtë për “një agim të lum e të drejtë kombëtar”, me shpresën për të luftuar për ditë më të bukura. Migjeni në shkrimet e tij ka si karakteristik kalimi e shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

Në botimet e Migjenit vend parësorë zënë pasqyrimi i varfërisë, sepsë kjo për të kishte rëndësi të madhe shoqërore për të dalë në dritë e vërteta e regjimit të kohës në të cilin jetoi. Heronjtë e Migjenit në veprat e tij ai “Legjenda e misrit”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “A don qymyr zotni?”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, etj., ishin të papunë, rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e bukës. Ata ishin malësorë, nxënës, punëtorë, fshatarë të mjerë, që nuk u kishte ecur në jetë dhe të flakur jashtë shoqërisë. “Poema e mjerimit”, vepra më e shquar e Migjenit, përshkrn tablo të gjalla, rrëqethëse të vështirësive të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara dhe të venitjes së tyre. Shkrimtari ngrinte zërin fort kundër mjerimit, kundër sundimit dhe regjimit të monarkisë. Në shkrimin “Zoti të dhashtë” Migjeni ngre zërin e protestës kundër indiferentizmit të klasave të pasura ndaj vuajtjeve të popullit. Klasën e pasur Migjeni e pasqyroi kryesisht në jetën e tyre të pasur që bënin në kurris të popullit, si dhe tregoi moralin e tyre në shkrimet “Të çelen arkapijat” dhe “Studenti në shtëpi”, duke pasqyruar marrëdhëniet e tyre familjare. Në skicën “Studenti në shtëpi” ai ironizon inteligjencien e kohës, një inteligjencë e paaftë për të luftuar për ideale të larta dhe njerëzore. Në shkrimet “Kanga skandaloze”, “Programi i një reviste”, “Novelë mbi krizën” etj., Migjeni goditi haptazi dhe me forcë artin dhe shtypin zyrtar. Ishte i pari që guxoi të shkruante dhe të ngrihej kundër klasës shfrytëzuese, duke i pasqyruar me simpati të thellë masat e gjera punëtore. Migjeni vëllimin e tij “Vargjet e lira” e botoi në vitin 1936. Në këtë botim ai vëllimi çelej me vjershën “Parathënia e parathënieve”, ku shpren gëzim, pasi siç thotë “shekulli ka nisur të çlirohet prej skllavërisë shpirtërore”. Motivi i vjershës ishte mendimi revolucionar i tij, ku shprehet në vargun “Përditë prendojnë Zotat”. Ky postulat shkon mjaft mirë në kohën e sotme, ku njeriu hipën në fron (pushtet), bëhet zot i të gjithëve dhe nuk përkulet para “idhujve”.

Në skicën “Zeneli”, por dhe tek “Luli i vocërr”, Migjeni nxjerr në pah aftësitë intelektuale të masave, si dhe dëshirën e madhe për ndryshime shoqërore, për protesta ndaj padrejtësive, qofshin këto dhe të veçuara apo të zbehta. Tek skica “Mollë e ndalueme” është një rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, e cila zbulon thelbin e dukurisë, shfaqet prirja për t’i dhënë personazhet me viza, me figura poetike shprehëse. Në të gjitha skicat e tij, shfaqet ironia, që është një nga veçoritë më kryesore të stilit të tij. Shkrimet e Migjenit kanë lënë shumë gjurmë të dukshme tek letrarët e rinj të kohës. Në çdo ndryshim, në për shkuljen e botës së vjetër dhe krijim të botës së re, Migjeni i drejtohet rininë. Rininë e cilësonte si më të pastrën, më të bukurën pjesë të shoqërisë, ku ai mbështet shpresën, besimin në fitore, për triumfin e idealit për një jetë të re: “Rini, thueja kangës ma të bukur që di!”. Migjeni, me mohimin e shoqërisë të klasave të pasura, me aspiratën e fortë për një të ardhme më të mirë të masave të popullit, zgjoi në rrethet e rinisë përparimtare të kohës energjitë dhe vrullin e saj për aksione konkrete. Kështu me veprat e tij, ai ndihmoi në mënyrë të dukshme në formimin shpirtëror të saj. Këtë rol rinia e luajti në vitet e qëndresës kundër pushtuesit fashist, ku skicat dhe poezitë e tij qarkullonin në rininë antifashiste që po zgjohej për luftë kundër pushtuesit.

Migjeni me veprën e tij, në moshën më të mirë të krijimtarisë, shkëlqeu me bujarinë e shpirtit të tij. Migjeni erdhi i vrullshëm dhe iku i fisëm e njerëzor. Në zemrën e Migjenit, përpëlitej krenaria e dhimbjes dhe tuberkolozi gjembshpuar, duke lënë pas vargun që ka arritur në lartësitë e Shqipërisë… Migjeni vdiq para kohe nga turbekolozi, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale pa sukses në Sanatoriumin “Ospedale Valdes” afër Torinos në Itali, më 26 Gusht 1938, në moshën 27 vjeçare e në kulmim e krijimtarisë së tij letrare.

 

Vlerësime për Migjenin

Me çlirimin e vendit, vepra letrare e Migjenit u bë i njohur. Vepra letrare e Migjenit është botuar në vitet 1954, 1957, 1961. Në vite kanë dalë dhe botime të ndryshëm të tij. Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë. Eshtrat e Migjenit janë vendosur në varrezat e dëshmorëve në Shkodër.

Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në vitin 1956. Ai është vlerësuar me titullin “Mësues i Popullit” në vitin 1957. Emrin e tij e mbajnë institucione si: Teatri “Migjeni” në Shkodër, Shkolla 9-vjeçare “Migjeni” në Pukë, shkolla jo publike “Migjeni” në Durrës; Bulevardi “Migjeni” në Kashar, Tiranë; bust në Shkodër për Migjenin dhe statuja në Pukë për Migjenin me nxënësin e tij, Zenelin; si dhe një avion shqiptar mban emrin “Migjeni”, etj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu