Messi, Modric, Mbappé, Amrabat, 4 simbolet e gjysmëfinalistëve të Botërorit. Cili do të triumfojë?

0
Gjigandi

Messi është vetë Argjentina: playmaker, lider dhe golashënues, bërthama e atomit që nuk ka mbaruar. Një varësi e rrezikshme, edhe pse Scaloni nuk ka shumë energji alternative. Modric është valorizuesi i Kroacisë: solisti që ndez imagjinatën e një orkestre të përsosur, por me pak variacione simfonike.

Mbappé është arma e shkatërrimit në masë e Francës: një kombinim i fuqisë, teknikës dhe shpejtësisë që i thyen mbrojtjet, ose i shpërqendron ato duke liruar hapësirë për shokët e skuadrës. Amrabat është qendra e përhershme e gravitetit të Marokut: çelësi që transformon densitetin e fazës mbrojtëse.

Këto janë katër simbolet e gjysmëfinalistëve të Botërorit të Katarit, pasqyrojnë identitetin e ekipeve të tyre kombëtare. Bileta për në finalen e 18 dhjetorit është në… këmbët e tyre.

ARGJENTINA – Nëse Messi e ka topin, është e pamundur ta ndalosh

RonaTyra

Pelé ka fituar tri Kupa Bote, Maradona një, a mund të qëndrojë Messi në kuotën zero? Ky është shansi i fundit i një historie të mrekullueshme, që i mungon kapitulli më i bukur. Është e qartë edhe nga qëndrimi “i keq” ndaj Holandës: Messi po luan gjithçka. Do të ishte shumë për të thënë nëse mendimi nuk do të kthehej te Maradona në “Meksikë 1986”. Atje, Diego do të kishte fituar edhe nëse do të kishte luajtur vetëm.

Messi nuk është gjithëpërfshirës, por futbolli ka ndryshuar dhe është gjithnjë e më e vështirë të fitosh i vetëm kundër skuadrave të organizuara taktikisht dhe atletikisht të pashtershme. Messi nuk ka lidershipin e Diegos, i mungon Burruchaga dhe nuk ka një Valdano të fiksuar pranë tij, por e merr ekipin e tij për dore dhe shpërthen me topin ngjitur në këmbë. Ai hapi rezultatin kundër Arabisë Saudite, Meksikës, Australisë dhe bëri që Molina të shënonte kundër Holandës me një pasim gjenial.

Të gjithë për të, ai për të gjithë. Leo prek mesatarisht pothuajse 70 topa për lojë, ka gjuajtur 22 herë, ka kryer 8 faulle. Van Gaal tha: “Duhet t’ia heqësh zotërimin e topit që të shpëtosh prej tij”. Varet shumë se kë do t’i vërë “pullë poste” nga pas trajneri Dalic. Ndoshta Brozovic.

KROACIA – Mesfushori Modric, rol determinues

Vëzhguesit e Brazili-Kroaci u befasuan nga Modric, përtej rezultatit. Dhe jo nga klasi i tij, kjo është e qartë, por që e nisi lojën si “mesfushor sulmues fals”, në rolin e Casemiro te Brazili.  Mbresëlënës është evolucioni i kroatit, i cili meriton notën 10 në atë zonë të drejtimit modern që sot “vishet” në mënyrë ideale me “8”-shin, mes De Bruyne dhe Verratti.

Me 90 prekje topi për lojë, Modric tërheq të gjitha fijet (strategjitë) e kombëtares kroate. Por nuk e bën ulur në tavolinën e tij, e ndjek lojën me një lëvizje që i mungon Gavit dhe Pedrit, ka bërë më shumë faulle se sa ka pranuar dhe me vertikalizime lëviz gjithë Kroacinë.

FRANCA – Mbappé, veprime përparimtare

Skuadra më sulmuese. Deschamps sulmon thuajse me të gjithë, por simboli i golit, jo çuditërisht golashënuesi më i mirë, është Mbappé. Trashëgimtar i caktuar i Ronaldos, me të cilin është më i afrueshëm teknikisht, dhe i Messit. Por krahasuar me mitet e dy dekadave të fundit ai tashmë ka fituar një Botëror po synon të dytin. Sulmues i majtë? Qendërsulmues? Ai ka një zonë të mirëpërcaktuar, të majtën e sulmit (në Rusa 2018 ishte i djathtë), duket si një lojtar regbie në mënyrën se si depërton kundër mbrojtjeve kundërshtare.

Krahasuar me PSG-në, në kombëtare duket më i shpenguar, shënon mjaft gola, por është gjithmonë “vertikal”. Ai mezi prek topat në gjysmëfushën e tij, vetëm në atë të kundërshtarit. Boshti i majtë plotësohet me Theo Hernandez dhe Rabiot, dy të tjerë me pak interes për shikimin anësor, gjithmonë duke parë dhe vrapuar drejt horizontit. Mbappé do të gjejë mikun e tij Hakimi si kundërshtar. Por t’i përkushtohesh atij do të thotë të lini të lirë Giroud dhe “vrasësit” e tjerë francezë…

MAROKU – Amrabat, strumbullari që vjen nga Italia

Me një posedim mesatar prej 30 për qind, është e qartë se Maroku nuk është i interesuar ta ketë topin. Mjaftojnë pak raste, por shfaqet vdekjeprurës. Regragui është mjeshtër i taktikave në këtë Botëror. Ai starton me një 4-3-3, por gjatë lojës përfundon në një 4-5-1, ushtron presion obsesiv dhe, pasi aksioni rival prishet, lëshohet furishëm përpara. Të gjitha në një vrapim me një prekje. “Lokomotiva” e sulmit është Ounahi, fenomenal, por strumbullari i strategjisë konsiderohet Amrabat, përpara mbrojtjes, me një gamë më pak sulmuese se te Fiorentina dhe fuqinë për të dominuar të gjithë frontin horizontalisht.

Amrabat është mbrojtësi i pestë dhe mesfushori i parë. Zgjedhja e parë i takon atij, me një lëvizje i befason rivalët e tij, por jo shokët e skuadrës, mendërisht të gatshëm për të nisur në progresion. Në rolin e tij strumbullar ai duhet të prekë 100 topa, por nuk arrin as 50, sepse Maroku luan shkencërisht me mosposedimin. Portugalia nuk e kuptoi kurrë se si t’i sfidojë marokenët në qendër, nëse Franca bën të njëjtin gabim, ajo mund të përballet me një “kurth” vdekjeprurës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu