Kombëtarja shqiptare e futbollit po përjeton një prej momenteve më të mira të saj, teksa kualifikim në Kampionatin Europian që do të luhet në Gjermani tashmë është më afër se kurrë.
Pas fitores vendimtare me Çekinë, mund të themi se dy ndeshjet e fundit konsiderohen si festë për kuqezinjtë, pasi duhet vetëm një barazim që të na kualifikojë.
Megjithatë, kombëtarja jonë duket se do të vijojë të dhurojë spektakël në fushë, duke na falur emocione pafund, e njëkohësisht duke vendosur rekorde të reja në historinë e saj të futbollit.
Pas një miqësoreje me Bullgarinë, që do të luhet në 17 tetor në Shqipëri, kuqezinjtë do t’i rikthehen dy ndeshjeve të fundit të Europianit në nëntor.
Në 17 nëntor është përballja e parë në Moldavi, ndeshje që do të luhet në orën 18:00.
Ndërsa tre ditë më pas, në 20 nëntor do të luhet ndeshja e fundit ndaj Ishujve Faroe.
Shqipëria aktualisht mban vendin e parë në grupin E me 13 pikë, çka është një rekord më vete.