Henri Çili dhe avokati i tij mbrojtës janë shprehur se botuesi i njohur ka një studio ligjore për ndërmjetësime dhe se akuzat që rëndojnë ndaj tij nuk janë të bazuara në fakte.
Ky ka qenë një ndër argumentët më të fortë të pronarit të Universitetit UET përpara trupës gjykuese dhe prokurorisë, e cila e akuzon Henri Çilin për një sërë veprash penale.
Por për të kundërshtuar akuzën, Çili është shoprehur se studioja ligjore në pronësi të tij merret pikërisht me ndërmjetësime, përfaqësime lobuese dhe gjyqësore. Ndërkohë avokati mbrojtës Ardian Vishaj është shprehur se akuzat për mashtrim dhe ndikim të paligjshëm nuk qëndrojnë të dyja bashkë, pasi e dyta nuk mund t’i atribuohet Henri Çilit, në kushtet kur ai ështëpronar i një studioje ligjore ndërmjetësimi.
Henri Çili gjithashtu ka shtuar se përgjimet e nxjerra si provë në gjykatë nga prokuroria ai nuk ka pse t’i mohojë pasi sipas tij tregojnë bisedat që ai bën në studion e tij ligjore. Më tej botuesi ka folur dhe për kunatin e tij, (i përfshirë në skemën e zbuluar nga përgjimet e prokurorisë) duke thënë se nëse ai ka kryer akte penalisht të dënueshme, le të përgjigjet personalisht përpara ligjit.
Kujtojmë se Henri Çili është akuzuar se ka tentuar të ndikojë në shkallët e larta të gjyqësorit për t’i zbutur masën e akuzës vëllezërve Aliko nga Lazarati, të dënuar nga shkalla e parë dhe ajo e apelit me burgim (një i përjetshëm dhe tjetri me 18 vite) nën akuzën e vrasjes së efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha. Në këmbim Çili do të merrte një total prej rreth 700 mijë eurosh në para të thata, prona dhe toka.