Matura 2023, pyetjet që do bien në tezën e fundit. Zbardhen programet orientuese

0
Gjigandi

Është bërë e udhës tanimë që programet orientuese të provimeve për maturantët të bëhen publike pa nisur mirë matura shtetërore. Instituti i Zhvillimit të Arsimit ka hartuar listën e tri lëndëve me detyrim e tetë me zgjedhje për gjimnazet e përgjithshme.

Ndërsa të rinjtë kanë gjithë kohën që iu nevojitet për të punuar në mënyrë të pavarur apo me orët konsultuese në shkolla, që përgjithësisht janë të pamjaftueshme. Ndonëse nisin herët, për arsye të ndryshme, shpesh ata detyrohen të zhvillojnë kurse jashtëshkollore apo orë shtesë me mësuesit respektivë.

GJUHA E HUAJ

I pari testim i Maturës, gjuha e huaj do të vijë si sintezë e njohurive dhe shprehive të fituara përgjatë gjithë procesit mësimor në lëndën që e përcaktojnë vetë të rinjtë, bazuar në kurrikulën shkollore. Pyetjet që do të bien ndahen në disa kategori e përkatësisht edhe mbartin një peshë të caktuar. Kësisoj, pyetjet që kanë të bëjnë me të lexuarit e kuptuarit e një teksti të shkruar që jepet në test kanë gjysmën e totalit të pikëve. Në të tjera, do të vlerësohet përdorimi i drejtë i gjuhës me pyetje nga gramatika e leksiku që mbart 25% të pikëve dhe pjesa tjetër nga të shkruarit. Përmes një eseje, nxënësit do t’i kërkohet me shkrim një tekst të detajuar rreth temave me subjekte që lidhen me fushën e tij të interesit, duke shpjeguar këndvështrimin e tij rreth temës dhe duke dhënë avantazhet dhe disavantazhet e opsioneve të ndryshme.

GJUHA SHQIPE

RonaTyra

Zakonisht, testimi i dytë të cilit i nënshtrohen maturantët është ai i gjuhës shqipe dhe Letërsisë, që prej motesh zhvillohen në një të vetëm. Janë thuajse të njëjtët autorë, shqiptarë e të huaj, çdo vit që riciklohen përmes veprave të ndryshme që kanë hartuar, mbi të cilët u kërkohet maturantëve të sjellin refleksionin e tyre përmes një eseje. Ndryshe nga gjuha e huaj, tek ajo shqipe, pesha ndahet sipas niveleve. Ai bazë, me pyetje përgjithësisht me alternativa e të thjeshta ka 40% të pikëve, po aq edhe niveli mesatar dhe niveli i lartë 20% të pikëve totale. Struktura e testit të gjuhë-letërsisë do të jetë e ndarë në tre pjesë: testi jo letrar, që mund të jetë përshkrues, rrëfyes, informues, një tekst letrat me fragmente nga veprat e listuara në tabelën përbri shkrimit, si dhe pjesa e tretë me një ese ku kërkohet që maturanti të dëshmojë formimin gjuhësor e letrar.

MATEMATIKA

Provimi i tretë me detyrim është lënda e Matematikës, ku nxënësi pyetet për kompetencat e mësuara në tri vite gjimnaz: të menduarit matematik, zgjidhja e situatave problemore, arsyetimi matematik. Pesë janë temat kryesore mbi bazën e të cilave do të hartohen pyetjet: numri; matja; gjeometria; algjebra dhe funksioni (përfshirë derivatin dhe integralin); statistika dhe probabiliteti. Peshën më të madhe e zënë pyetjet nga algjebra e më pak nga statistikat dhe numri.

Në faqen e IZHA-së (Instituti i Zhvillimit të Arsimit) secili maturant mund të gjejë programet orientuese për lëndën që interesohet, mbi bazën e të cilit krijon idenë e pyetjeve që do të hartohen në testime. Programi orientues për provimin e Maturës Shtetërore në lëndën e matematikës, nëpërmjet përqendrimit në konceptet dhe shprehitë kryesore të mësuara gjatë viteve, ka si qëllim të orientojë punën e mësuesit, përgatitjen e nxënësve dhe hartuesit e testeve përfundimtare për provimin e Maturës Shtetërore. Hartimi i programit orientues është mbështetur në kurrikulën me kompetenca të lëndës së matematikës së arsimit të mesëm të lartë, duke mbajtur parasysh formimin e njohurive dhe rezultateve të të nxënit nëpërmjet modelimeve, arsyetimeve, zgjidhjes problemore dhe interpretimeve në situata të thjeshta dhe më komplekse.

LËNDËT ME ZGJEDHJE

Janë tetë programe orientuese për lëndët që nxënësit kanë zgjedhur për të dhënë provim në fund të vitit: Biologji, Filozofi-Sociologji, Fizikë, Gjeografi, Histori, Kimi, Qytetari – Psikologji dhe Ekonomi Bërthamë. Për secilën prej tyre janë përpiluar një listë temash të trajtuara ku ekspertët që do të mbyllen me ditë në ambientet e QSHA-së për të hartuar fondin e pyetjeve prej nga përzgjidhet në mënyrë rastësore me kompjuter, teza finale. Është drejtoresha e QSHA-së e vetmja që mban testet, duke u siguruar kështu që ajo të mos “rrjedhë” deri në momentin që dorëzohet në shkolla. Ajo që rëndom ka ndodhur çdo vit është dalja e tezës së provimit pasi ka mbërritur në duart e administratorëve e maturantëve, duke dëshmuar kështu cedimin e procesit të administrimit të maturës shtetërore.

Mjekësia, gati fondi i pyetjeve

Një grup pune me profesionistë të fushës janë mbledhur prej kohësh pranë ambienteve të Qendrës së Shërbimeve Arsimore për të hartuar fondin e pyetjeve për pranimet në “Mjekësi e Përgjithshme”, i cili këtë vit do të zhvillohet me konkurs. Ky i fundit nuk do të ketë gjithë peshën në pranim, por 30 për qind në vlerësimin final, ndërsa 70 për qind do të vijë nga notat e tre viteve dhe provimeve me detyrim të maturës. Ka qenë vetë ministrja e arsimit, Evis Kushi, e cila ka bërë me dije se fondi me pyetje nga tre lëndë: Biologji, Kimi e Fizikë, për maturantët e interesuar për konkurrim do të jetë gati në ditët e fundit të këtij viti me qëllim që të rinjtë të kenë gjithë kohën e duhur për t’u përgatitur. Si për datat e provimeve të fundit me detyrim e me zgjedhje, ashtu edhe për këtë testim nuk ka ende një datë të firmosur nga ministrja, por ajo që dihet me siguri është sezoni i provimeve, që sipas kalendarit përkon me muajin qershor. Sivjet, ato do të zhvillohen në salla super të mëdha apo edhe në korridore, të mbikëqyrur nga shumë mësues, me qëllim për të shmangur abuzimet me Maturën Shtetërore.

Ndryshimet që do implementohen këtë vit

Duke filluar nga viti 2023, pas afro një dekade e gjysmë implementim matura shtetërore do të ndryshojë sërish. Sipas Ministrisë së Arsimit, gjetjet e Maturës Shtetërore të vitit të kaluar treguan për disnivel vlerësimi të nxënësve krahasuar me notën mesatare gjatë vitit mësimor dhe atij të provimeve të Maturës. Ndryshimet e Maturës Shtetërore do të përfshijnë testin e Matematikës dhe Gjuhës Shqipe, ku sipas të dhënave të Maturës Shtetërore për vitin 2021 nota mesatare e gjimnazistëve në Matematikë ishte 6 dhe ajo në Gjuhë Shqipe 7.

Sipas MAS, korrigjimi dixhital ka treguar një vlerësim të drejtë dhe të saktë për maturantët. Për këtë arsye pritet që në testim të shtohen pyetjet që do të korrigjohen në mënyrë dixhitale. Po ashtu, MAS ka menduar që të heqë fletëpërgjigjen në fund të testimi. Pikërisht atë fletën e fundit që shpesh harxhonte së tepërmi kohën dhe hutonte maturantët. Në jo pak raste një ushtrim i zgjidhur saktë, por i rrethuar gabim në fletëpërgjigje për shkak të shpejtësisë a hutimit i penalizonte ata. Ndryshime janë parashikuar edhe në lidhje me vlerësimin e testeve, me shfuqizimin e një pike në rregullore, e cila prej vitesh paracaktonte se korrigjuesit nuk gabonin, duke mos iu dhënë maturantëve të drejtën për rivlerësim të tezës së tyre. Një tjetër risi që lidhet me maturën shtetërore, por që nuk kërkon angazhimin e maturantëve lidhet me rankimin e gjimnazeve.

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar ka nisur nga puna për të bërë renditjen e gjimnazeve sipas një formule me disa tregues. Formati do t’u niset çdo shkolle për të matur cilësinë e tyre, si dhe krahasuar me gjimnazet e tjera. Nisma e fundit lidhet me provimin e automatizuar për t’u futur në Mjekësi e Përgjithshme. kjo ka qenë kërkesë e disa viteve më parë nga vetë Universiteti i Mjekësisë, pas ankesave për prurje jo të forta të rinjsh në degën e lakmuar nga shumica dërrmuese e maturantëve. Ajo që u përfol muaj më parë do të implementohet, duke nisur nga matura e këtij viti vetëm me këtë profil duke filluar si projekt pilot për t’u shtrirë më tej edhe në profile të ndryshme. Të dhënat e maturës shtetërore të publikuara më herët nga Ministria e Arsimit treguan një rënie me tre deri në katër nota të nxënësve në provimet e maturës, krahasuar me arritjet gjatë vitit mësimor, duke lënë vend për fiktivitet në vlerësimin e nxënësve.

LETERSI, VEPRAT NE PROVIM

Homeri “Iliada”

Eskili “Prometeu i mbërthyer”

Dante Aligeri “Ferri”

Shekspir “Hamleti”

Gëte “Fausti”

Hygo “Katedralja e Parisit”

De Rada “Këngët e Milosaos”

Naim Frashëri “Lulet e verës”

Balzak “Xha Gorio”

Albert Kamy “I huaji”

Lasgush Poradeci “Ylli i zemrës”

Migjeni “Novelat e qytetit të veriut” dhe “Vargjet e lira”

Dritëro Agolli “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”

Ismail Kadare “Pallati i ëndrrave” Azem Shkreli “Lirikë me shi”

 

j.l./ dita

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu