Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procesin e trajnimit dhe licencimin e punonjësve për hekurudhë, në kuadër të projekteve hekurudhore që pritet të nisin. MIE ka publikuar në Fletoren Zyrtare udhëzimin për formimin profesional të personelit hekurudhor me qëllim përcaktimin e kushteve dhe procedurave, programin e trajnimit profesional dhe organizimin e testimit për certifikimin dhe licencimin e makinistëve dhe kandidatëve për makinistë që operojnë në sistemin hekurudhor. Udhëzimi i drejtohet autoritetit hekurudhor në vend, sipërmarrjeve hekurudhore dhe qendrave të formimit profesional.
Sipas dokumentit, për të hapur një qendër formimi profesional duhet të kesh staf të certifikuar nga Agjencia Europiane e Hekurudhave, pajisje dhe mjedis të përshtatshëm për trajnim, me qëllim përgatitjen e makinistëve dhe kërkuesve të tjerë për provimet, për të marrë ose për të mbajtur licenca dhe certifikata.
Për procedurat e funksionimit hekurudhor dhe të sigurisë, duhet të paraqesin kërkesën e tyre pranë Autoritetit. Qendrat e formimit profesional mund të krijohen nga administruesit e infrastrukturës, sipërmarrjet hekurudhore, subjektet publike apo private. Për njohjen, rinovimin ose ndryshimet që kërkohen, qendra e formimit profesional paraqet një kërkesë të specifikuar me shkrim tek Autoriteti.
Në rast aprovimi, Autoriteti lëshon deklaratë njohje 2 muaj më vonë. Deklarata e njohjes përmban dhe adresën e Autoritetit, emrin dhe adresën e qendrës së trajnimit, detyrat e trajnimit, numrin e identifikimit të qendrës të dhënë, datën e skadimit të deklaratës së njohjes. Ajo është e vlefshme për 5 vite, por mund të rinovohet. Kur Autoriteti konstaton se qendra e trajnimit nuk i plotëson më kërkesat për njohje, Autoriteti heq ose pezullon deklaratën e njohjes. Nga ana tjetër, makinistët do të pajisen me një licence të veçantë që tregon se makinisti plotëson kushtet minimale për sa u përket kërkesave mjekësore, arsimit bazë dhe aftësive të përgjithshme profesionale. Por do të pajisjet dhe me një certifikatë se ku mund të operojë.
Licenca është e vlefshme në të gjithë territorin e vendit dhe në vendet kufitare sipas marrëveshjeve, ndërsa certifikata, është e vlefshme vetëm për ato infrastruktura dhe mjete lëvizëse të identifikuara në të. Kushtet për t’u bërë makinist me licencë janë, mosha minimale duhet të jetë të paktën 22 vjeç, arsimi minimal tetëvjeçar/nëntëvjeçar. Konfirmim mjekoligjor të aftësive fizike dhe psikologjike, të kenë demonstruar kompetencën e tyre të përgjithshme profesionale.
Aplikimet për licencë duhet të depozitohen pranë Autoritetit nga makinisti kandidat ose çdo subjekt në emër të tij. Kërkesat e paraqitura pranë Autoritetit mund të jenë për dhënien e një licence të re, përditësimin e të dhënave të licencës, rinovimin ose kopje. Ajo lëshohet brenda një muaji dhe vlen për 10 vite. Licenca lëshohet në një origjinal të vetëm ose kopje të vërtetuar vetëm nga Autoriteti.
Rikthimi i makinistëve, term i harruar pothuajse në tregun e punës për më shumë se 30 vite, lidhet me projektet hekurudhore që pritet të përfundojnë brenda disa viteve në Shqipëri. Momentalisht Shqipëria ka funksionale vetëm linjën hekurudhore Durrës-Kashar dhe Durrës-Elbasan në pritje të projekteve si ai i Durrës-Tiranë që nisi në vitin 2021, Vorë-Hani i Hotit për të cilën pritet miratimi i kredisë nga BERZH, dhe Durrës-Prishtinë, që në janar 2023 nis studimi i fisibilitetit.
Sipas të dhënave të Instat për hekurudhat ku të dhënat nisin në vitin 2005, pasagjerët që përdornin trenin në vend, kalonin shifrën 1 milion, për të rënë në vetëm 24 mijë në vitin 2021. Kjo për shkak se transporti hekurudhor nuk ishte më i përshtatshëm për të shërbyer si transport publik, përshkak të amortizimit të trenave, por edhe vetë shinave.
Pak para hyrjes së vitit 1990, Shqipëria kishte një linjë hekurudhore prej 677 km, Durrës- Peqin, Shkozet-Tiranë, Peqin-Elbasan, Vorë-Laç, Rrogozhinë-Fier, Elbasan-Librazhd, Librazhd-Prrenjas, Fier- Ballsh, Prrenjas-Gur i Kuq, Laç-Lezhë, Lezhë-Shkodër, Shkodër-Han i Hotit, Rrogozhinë-Fier- Vlorë dhe Milot-Rrëshen-Klos. Vetëm në vitin 1982, hekurudha shqiptare ka transportuar 13 milion pasagjerë.
j.l./ dita