Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka promovuar në mënyrë aktive planin e tij të paqes prej 10 pikash, duke e diskutuar atë me presidentin e SHBA-së, Joe Biden ndër të tjera dhe duke u kërkuar liderëve botërorë që të mbajnë një samit global të paqes bazuar në të.
Cili është plani i paqes prej 10 pikash i Zelensky?
Zelensky së pari njoftoi formulën e tij të paqes në një samit të nëntorit të ekonomive kryesore të Grupit të 20 (G20), shkruan Al Jazeera.
Plani kërkon:
- Siguri nga rrezatimi dhe armët bërthamore, duke u fokusuar në rivendosjen e sigurisë rreth termocentralit më të madh bërthamor të Evropës, Zaporizhzhia në Ukrainë, i cili tani është i pushtuar nga Rusia.
- Siguri ushqimore, duke përfshirë mbrojtjen dhe sigurimin e eksporteve të grurit të Ukrainës në vendet më të varfra të botës.
- Siguri energjetike, me fokus në kufizimet e çmimeve për burimet energjetike ruse, si dhe ndihmë për Ukrainën për të rivendosur infrastrukturën e saj të energjisë, gjysma e së cilës është dëmtuar nga sulmet ruse.
- Lirimi i të gjithë të burgosurve dhe të dëbuarve, përfshirë të burgosurit e luftës dhe fëmijët e dëbuar në Rusi.
- Rivendosje e integritetit territorial të Ukrainës dhe Rusisë duke e riafirmuar atë sipas Kartës së OKB-së, për të cilën Zelensky tha se “nuk varet nga negociatat”.
- Tërheqje e trupave ruse dhe ndërprerja e armiqësive, rivendosja e kufijve shtetërorë të Ukrainës me Rusinë.
- Drejtësi, duke përfshirë krijimin e një gjykate speciale për të ndjekur penalisht krimet ruse të luftës.
- Parandalim i ekosidit dhe mbrojtje e mjedisit, me fokus në çminimin dhe restaurimin e objekteve të trajtimit të ujit.
- Parandalim i një përshkallëzimi të konfliktit dhe ndërtimi i arkitekturës së sigurisë në hapësirën euroatlantike, duke përfshirë garancitë për Ukrainën.
- Konfirmim i përfundimit të luftës, duke përfshirë një dokument të nënshkruar nga palët e përfshira.
Zelensky u kërkoi udhëheqësve të vendeve të Grupit të Shtatë (G7) të mbështesin idenë e tij për një samit global të paqes që do të fokusohej në planin e paqes “në tërësi ose në disa pika specifike në veçanti”.
a.m/dita