Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka thënë të premten se partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit, është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës.
Ai tha gjatë një konference për media në Mitrovicën e Veriut se Lista Serbe e mori këtë vendim në bashkëpunim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Rakiç theksoi se tani “topi është zhvendosur në fushën e Prishtinës”, dhe se pret që në komunat e veriut të Kosovën të thirren sa më parë zgjedhjet e reja.
Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë tani, të cilët e morën detyrën pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan dhe kundërshtuan ashpër nga serbët lokalë, duke shkaktuar tensionim të situatës.
Kosova, pasi u përball me masa ndëshkuese nga BE-ja, u zotua për riorganizimin e zgjedhjeve, por dëshiron ta bëjë këtë vetëm përmes një udhëzimi administrativ i cili ua mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse përmes një peticioni.
Më 13 shtator, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se dorëheqja e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbë në veri të Kosovës “është kërkesë vetëm e Beogradit”, duke këmbëngulur se kryetarët mund të largohet nga zyrat vetëm përmes udhëzimit të ri administrativ.
Por që nga atëherë, gjendja vetëm sa është tensionuar edhe më shumë, pasi Policia e Kosovës u sulmua më 24 shtator nga një grup serbësh të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe më vonë nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Millan Radoiçiç e mori përgjegjësinë e sulmit.
Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës”, gjë të cilën Serbia e ka mohuar.
Më 12 tetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u bëri thirrje përfaqësuesve të serbëve në veri të Kosovës që të iniciojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Ministri Krasniqi ka thënë në të kaluarën se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.
Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye. \rel\
p.k\dita