Ndryshe nga sa ndodh me profilet mjekësore, për psikologët e rinj, provimi i licencës do të zhvillohet brenda këtij viti. Provimi i shtetit për licencat e reja në këtë specialitet është vendosur që të bëhet gjatë javës së ardhshme, përkatësisht në datën 20 dhjetor. Provimi i informatizuar edhe për psikologët do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit sipas të njëjtave rregulla sikundër ndodh me profesionet e tjera të rregulluara.
Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka detajuar listën zyrtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet për të dhënë në këtë sezon provimin e shtetit, rezultatet pozitive të të cilit janë vendimtare në sigurimin e lejes së ushtrimit të profesionit si psikolog , të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Në këtë sezon provimit të licencës do t’i nënshtrohen 152 kandidatë në total, prej të cilëve 65 kalojnë në testim për Psikologji klinike, 35 për psikologji orgazicionale, 48 kandidatë për psikologjinë e edukimit shkollor, si dhe 5 të tjerë do të testohen në psikologji ligjore. Për secilin kandidat që është pjesë e listave të shpallura për provimin e shtetit, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka përcaktuar edhe orarin se kur duhet të paraqitet për të plotësuar testin.
Kështu, në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, bëhet e ditur se oraret janë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar, çka do të thotë se nëse nuk paraqiteni në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për ju, duhet të prisni sezonet e ardhshme të testimeve për të garuar sërish për lejen e ushtrimit të profesionit.
Për të mos rrezikuar përjashtimin nga gara për licencat në këtë sezon, duhet të bëni kujdes që në ditën e provimit të paraqiteni pranë kësaj qendre 30 minuta përpara orarit të publikuar për zhvillimin e testimit, teksa duhet të jeni detyrimisht të pajisur me këto dokumente: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal) dhe kopje të tyre, si dhe faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit , të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes. Mungesa e një prej dokumenteve ju penalizon duke ju lënë jashtë testimit, çka do të thotë se duhet të prisni sezonet e vitit të ardhshëm për të hyrë sërish në testin e licencës, duke humbur kështu shanset për të aplikuar përgjatë kësaj periudhe për vendet e lira të punës në strukturat publike dhe private në vend.
Autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit sqarojnë se tarifa që duhet të shlyejnë kandidatët që e japin për herë të parë provimin e shtetit për licencën e psikologut është 10,000 lekë, ndërsa përsëritësit që ngelën në sezonin e parë, për të dhënë sërish këtë provim gjatë datës 20 dhjetor do të duhet të shlyejnë një tarifë më të lartë. Kështu, tarifa për kandidatët që e japin për herë të dytë provimin e shtetit do të jetë 12,500 lekë. Kjo tarifë vjen në rritje sipas herëve të pjesëmarrjes në provim.
Edhe për këtë specialitet, testi do të jetë i informatizuar, çka do të thotë se pyetjet janë vetëm me alternativa. Në përfundim të testit kandidati do të mësojë direkt se sa është numri i pikëve të marra me përgjigjet e dhëna për çdo pyetje. Në ndihmë të bluzave të bardha që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Kështu, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit. Për të qenë kalues në këtë provim duhet të siguroni mbi 50 pikë me përgjigjet e dhëna.
Sipas rregullores së përcaktuar për provimet e shtetit, personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara.
Në ditën e provimit çdo kandidat duhet:
- Të paraqitet pranë Qendrës së Shërbimeve të Arsimit 30 minuta para nisjes së provimit.
- Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal).
- Kopje të Kartës ID ose Pasaportës.
- Faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, të kryer në një bankë të nivelit të dytë (sipas faturës për arkëtim të publikuar, bazuar në herën e pjesëmarrjes).
- Maskë mbrojtëse.
Kandidati gjatë zhvillimit të provimit duhet të zbatojë rregullat e mëposhtme, ku:
- Ndalohet mbajtja dhe përdorimi i celularëve apo mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter mos kualifikimi.
- Ndalohet komunikimi me kandidatët e tjerë gjatë zhvillimit të provimit deri në marrjen e deklaratës së rezultatit.
- Ndalohet lëvizja përtej vendit të përcaktuar për zhvillimin e provimit.
- Ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit.
Psikologji Ligjore
Psikologji Edukimi Shkollore
Psikologji Organizacionale
Psikologji Klinike