Kurti homazhe për At Artur Liolinin, nipin e Nolit: I pikëlluar! Përfaqësues i denjë i shqiptarëve

0
Gjigandi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet e tij, për ndarjen nga jeta të At Artur Liolinit, Kryekancelarit të Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Ortodokse në Amerikë.

Ai shprehet se ndien pikëllim për këtë njeri të cilin, kryeministri thotë se ka pasur nderin ta takojë para 10 viteve.

Kurti shkruan se At Artur Liolini iu përkushtua gjatë jetës së tij edhe një veprimtarie patriotike, të përshkuar prej një diplomacie kulturore ku synonte përafrimin mes shqiptarëve si dhe të ngritjes së shpirtit kombëtar shqiptar, gjithmonë me një brengë të veçantë për Kosovën.

“Për At Artur Liolinin, shpirtin gjallërues të shqiptarëve në Amerikë

I pikëlluar të marrë lajmin për vdekjen e At Artur Liolinit, Kryekancelarit të Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Ortodokse në Amerikë. E kam pasur kënaqësinë dhe nderin ta takoj në maj të vitit 2013, në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston të ShBA-ve. At Arturi ishte pasues i denjë i rrënjëve dhe degëve më të fisme të traditës ortodokse shqiptare dhe i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I lindur më 1943 në Nju Jork, në një familje emigrantësh shqiptarë të shkuar në Amerikë nga Boboshtica e Korçës, Arturi ishte një kultivues dhe mirëmbajtës i asaj fryme patriotike shqiptare, që e kishte mbjellur dhe ushqyer Fan Noli me kohë mes shqiptarëve të Amerikës.

RonaTyra

Dhe kjo nuk mund të ishte ndryshe, përderisa Arturi i ri, e kishte patur fatin ta njihte Fan Nolin e madh që në të gjallë të tij, siç shihet edhe në një fotografi, ku Arturi fëmi duket mes babait të tij Evansit dhe vetë Fan Nolit. Artur Liolini u diplomua për histori të artit bizantin dhe të artit mesjetar në Universitetin e Princetonit më 1967, para se të dorëzohej prift në Kishën e Shën Gjergjit në Boston më 1970. Këtu, ai e themeloi bibliotekën e Fan Nolit, klerikut patriot dhe kryeministrit shqiptar, përkthyesit poliglot dhe historianit origjinal, për të cilin At Arturi e shkroi edhe veprën “Fan Noli dhe vetëdija shqiptare”.

Përveç shërbimit të tij si klerik fetar, At Artur Liolini iu përkushtua gjatë jetës së tij edhe një veprimtarie patriotike, të përshkuar prej një diplomacie kulturore të përafrimit dhe kohezionit mes shqiptarëve si dhe të ngritjes së shpirtit kombëtar shqiptar, gjithmonë me një brengë të veçantë për Kosovën.

At Artur Liolini vdiq në moshën 80 – vjeçare, duke lënë pas gruan e tij, priftëreshën Margarita dhe tre fëmijë.

Ngushëllime familjes Liolini, ngushëllime komunitetit shqiptar në Amerikë, ngushëllime Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe gjithë botës shqiptare.

Lavdi jetës dhe veprës”,-shkruan Kurti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu