Kroacia është shteti i radhës me të cilën, vendi ynë ka nënshkruar marrëveshje për njohjen e pensioneve, për të cilën do të përfitojnë rreth 3,000 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Kroaci dhe anasjelltash.
Marrëveshja është nënshkuar sot në Zagreb, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Albana Koçiu dhe Ministri i Punës, Sistemit të Pensioneve, Familjes dhe Politikës Sociale të Kroacisë, z. Marin Piletić.
Kjo marrëveshje u siguron qytetarëve të të dyja vendeve njohjen e ndërsjelltë të kontributeve të sigurimeve shoqërore për përfitimin e pensioneve.
Formalizimi i marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Kroacisë mundëson koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore në përputhje me standardet e legjislacionit evropian, duke mundësuar gjithashtu përfitimet e papunësisë, pagesat e barrëlindjes, përfitime në para në rastin e aksidenteve në punë, etj.
Falë marrëveshjes për mbrojtjen shoqërore, e cila do të nisë të zbatohet pas ratifikimit nga parlamentet e të dy vendeve, qytetarët nuk do të humbasin kontributet e paguara, pavarësisht se ku kanë punuar. Ajo bazohet në disa parime bazë si trajtimi i barabartë, ruajtja e të drejtave të arritura, bashkimi i periudhave të sigurimit, si dhe ofrimi i përfitimeve, brenda dhe jashtë shtetit të origjinës.
Kroacia i shtohet kështu një sërë shteteve të tjera, me të cilat tashmë Shqipëria ka finalizuar marrëveshjet për mbrojtjen shoqërore, që sigurojnë njohjen e ndërsjelltë të kontributeve, si edhe lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve sa i përket tregut të punës, në rajon e më gjerë.
Një ditë më parë, më 1 tetor, hyri në fuqi marrëveshja me Zvicrën, ndërkohë që Shqipëria zbaton marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me Turqinë, Hungarinë, Çekinë, Kanadanë, Gjermaninë, Maqedoninë e Veriut, Luksemburgun, Kosovën, Austrinë dhe Belgjikën. Janë në proces ratifikimi nga palët e huaja marrëveshja me Rumaninë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.
Gjithashtu është nënshkruar edhe një plan Bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kroacisë në Fushën e Shëndetit dhe Mjekësisë për vitet 2024-2026.